Episodi i radhës në duelin për politikën e jashtme

Postuar në 02 Mars, 2019 00:12

Është përsëritur disa herë sa të quhet rastësi, apo konicidencë. Dublimi diplomatic mes kiryeministrit Rama dhe presidentit Ilir Meta është një shprehi e zakonshme mes dy politikanëve që e kanë shumë të vështirë bashkëjetesën në paqe dhe shmangien e rivalitetit thuajse për çdo gjë.

Politika e jashtme është patjetër edhe çështje imazhi dhe duhet thënë se në këtë drejtim, keu i shtetit Ilir Meta ka bërë disa gjetje që e vënë në avantazh jo vetëm për karakterin e tyre “pikant”, por edhe pse për natyrë z. Meta e ka më të huaj retorikën e zhurmshme sesa z. Rama.

Konkretisht, z. Rama e nisi hyrjen në pushtet me premtime të bujshme për emigrantët, por deri më sot si kryeministër ai nuk ka denjuar të zhvillojë takime me ta në vizita që bën në vende të ndryshme të Europës. Të prekë me dorë e të shohë me sy problemet e tyre, çfarë ndodh me ta dhe sesi sillen shërbimet konsullore shqiptare me ta. Në stilin e tij tipik, zoti Rama ka organizuar samite dhe darka, apo konferenca në Tiranë me të ftuarit që zgjedh vetë, për të ligjëruar me orë të tëra ëndrrat e tij për diasporën. Dekori patjetër që nuk zhgënjen, flamuj ngado, ngjyra dhe foni, edhe sepse fondet nuk janë kursyer.

Zotit Rama i pëlqen të hiqet si person që di të përshtatet në çdo ambient, sado i sofistikuar të jetë ai. Atletet në Paris e në Trieste janë një shenjë snobi që do të thotë se ndihet si në shtëpinë e vet “Atje LART”, duke harruar se Shqipëria që përfaqëson ndodhet përherë e më poshtë.

Zoti Meta ka zgjedhur të bëjë tjetër gjë. Për herë të parë pas shumë vitesh ai u kujtua si president për arbëreshët e Italisë. Zoti Meta u kujtua edhe për arbëreshët e Zarës në Kroaci duke i dhënë presidencës një rekord pozitiv në këtë këtë drejtim. Patjetër që ai këtu ka edhe lojën e vet personale, por ja që vizita e tij në Kalabri ishte e qëlluar.

Edhe pse prioritetet e punës mes të dyja institucioneve ndryshojnë, nisur nga mania e z. Rama për të personalizuar çdo gjë, është disi e pakuptueshme “harresa” në këtë drejtim dhe këmbëngulja për të kapur garën e kancelarive kryesore. Një harresë që i ka lënë fushën bosh kundërshtarit president. 

Nga ana tjetër diçka mund të thuhet edhe për produktin e diplomacisë së kryeministrit dhe presidentit. Në vizitën e fundit të z. Rama në Arabinë Saudite u nënshkruan tri marrëveshje jo me ndonjë domethënie të madhe, ndërkohë që asnjë projekt nuk u arrit të financohej. Edhe pse z. Rama e pritën në Riad me të gjitha nderimet.

Kundërpërgjigja e Presidentit ka qenë e shpejtë. Prej disa ditësh ai ndodhet në Egjipt që është vendi kryesor I botës arabe ku shqiptarët kanë lidhje të vjetra dhe të thella. Por nuk është vetëm kjo, as edhe fakti se ditën që z. Rama dilte me pompë në samitin e Diapsorës, presidenti njoftonte takimin me shqiptarët e Egjiptit. Është edhe ajo që diskutohet. Në fjalimin e mbajtur në konferencën e përbashkët për shtyp mes Metës dhe homologut egjiptian, Abdel Fattah El Sisi, ky i fundit njoftoi për disa elementë me rëndësi të vizitës së presidentit shqiptar në Kajro.

Konkretisht mes të dy presidentëve është folur për krijimin dhe mbajtjen e takimit të komitetit të përbashkët drejtuar nga dy ministrat e Jashtëm, krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Egjiptit dhe Shqipërisë, krijimin e Këshillit Shqiptaro-Egjiptian të Biznesit. Sisi ka folur edhe për bashkëpunimin e mundshëm në fushën e energjetikës, gazit natyror duke konsideruar me këtë rast peshën e Egjiptit në këtë drejtim dhe pozicionin e Shqipërisë. Duket se z. Meta ka qenë me axhendë të ngjeshur në këtë vizitë teksa homologu i tij egjiptian ka njoftuar po ashtu thellimin e bashkëpunimit mes universitetit të njohur Al Azhar dhe institucioneve shqiptare në kontekstin e tolerancës fetare dhe diskursit të moderuar islamik, njoftim ky që merr kuptim edhe nga prezenca – ndoshta si përkthyes – e Ermir Gjinishit në këtë vizitë, ish-nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe njeri me prononcim të hapur antigulenist. 

Tematika e diskutimeve i jep rëndësi vizitës në fjalë e cila për konsum të brendshëm i kundërpërgjigjet vizitës së z. Rama në Riad, ndonëse në kushte të tjera do të ishin parë si komplementare.

Në çdo rast, kur vjen puna te politika e jashtme ka një perceptim se kryeministri nuk gëzon mbështetjen që kishte në fillim të mandatit të parë dhe këtë boshllëk po e shfrytëzon kundërshtari i tij në Presidencë që po mban heshtjen ndaj krizës politike, me gjasë në pritje të gabimit të parë të z. Rama.

Momenti kur aktorë të huaj do t’i drejtohen presidentit për krizën e tanishme, do të jetë sinjali se qeveria do të ketë humbur besimin se është në gjendje të menaxhojë situatën dhe të japë zgjidhjen e duhur të saj sipas asaj që lexojnë ndërkombëtarët e shumtë të Tiranës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.