Si e shkatërroi kafeja turke një perandori të tërë

Postuar në 28 Shkurt, 2019 15:41
Sarah Jilani* - The Economist

 

Njihet si kafeja greke për grekët dhe qipriotët, kafeja boshnjake për boshnjakët, kafeja armene për armenët, kafeja arabe për arabët, por si kafja turke përveç turqve e njohin edhe kroatët, shqiptarët dhe serbët. Në mesin e shekullit të XVI, ajo ishte vetëm kahve - kafe. Në atë kohë, popujt e e mësipërm sundoheshin nga Perandoria Osmane, e cila kishte nën varësi adhuruesit e kafesë nga Evropa Juglindore deri në Persi. Por nga fillimi i shekullit XIX, perandoria nisi të krisej. Kafeja turke ka luajtur rolin e saj në këtë aspekt, por ai pak është njohur.

Kafeja mbërriti në Turqi gjatë sundimit të Sulejmanit të Madhërishëm. Kur njeriu që ai dërgoi për të qeverisur Jemenin u kthye në Turqi, ai solli me vete një pije energjike që atje njihej si qahwah. Me të mbërritur në oborrin osman në Konstandinopojë, kjo pije u bë një trend i menjëhershëm. U hapën dyqanet e para ku kokrrat e kafes arabike bluheshin dhe ktheheshin në një pluhur shumë të hollë me ngjyrë të ngjashme me atë të ekspresit të sotëm. Më pas, ajo zihej në enë bakri të quajtura xhezve. Pija që dilte - e hidhur, e zezë dhe e mbuluar me një shtresë të hollë të shkume që krijohet kur e kthen shpejt - shërbehej në filxhanë të vegjël porcelani. Për të balancuar shijen e hidhur, sipas një legjende, gruaja e Sulejmanit, sulltanesha Hürrem, e shoqëronte kafenë me një gotë ujë dhe një llokum - e cila është mënyra se si shërbehet edhe sot në Turqi.

Megjithatë, jo të gjithë besonin se Kurani ua lejonte myslimanëve ta pinin këtë pije të re stimuluese. Pavarësisht se në shkrimet e shenjta islamike, kafeja nuk përmendet në mënyrë specifike, një klerik i linjës së ashpër në oborrin e Sulejmanit lëshoi një udhëzim kundër pijes së re, me arsyetimin se konsumimi i çfarëdo gjëje të djegur ishte i ndaluar. Por kjo nuk e dëmtoi aspak kafenë. Shtëpia e parë e kafesë, ose kafeneja (kahvehane), u hap në Stamboll në vitin 1555, nga dy tregtarë sirianë. Shumë shpejt, pothuajse një në gjashtë dyqane në qytet nisi të shërbente kafe. Gradualisht, kafeja u përhap deri në skajin më të largët të perandorisë.

Kafenetë u kthyen në vendin ku njerëzit mund të mblidheshin, përveç shtëpive, xhamive apo tregjeve, duke u dhënë mundësinë të shoqëroheshin, të shkëmbenin informacion, të argëtoheshin, por edhe të mësonin. Njerëzit e shkolluar lexonin me zë të lartë lajmet e ditës; jeniçerët, anёtarёt e njё grupi elitar tё trupave osmane, nisën të planifikonin akte proteste ndaj Sulltanit; zyrtarët diskutonin intrigat e oborrit; tregtarët shkëmbenin thashethemet e luftës. Shumica analfabete u kthye në dëgjuese. Në këto kafene, ata u njohën me idetë që u kthyen në probleme për shtetin osman: rebelimi, mundësia për të vendosur vetë dhe fakti se edhe të fuqishmit mund ta kishin gabim.

Nuk u desh të kalonte shumë kohë derisa autoritetet të fillonin t’i konsideronin kafenetë si kërcënim. Disa sulltanë infiltruan spiunë në kafenetë e vendit për të vlerësuar opinionin publik; të tjerët, si Murati IV, sulltan i fillimit të shekullit të XVIII, u përpoqën t'i mbyllnin ato plotësisht. Por ato ishin një biznes shumë fitimprurës. Kur lëvizjeve nacionaliste morën përmasa të mëdha në territoret osmane në shekullin e XIX, popullariteti i kafeneve u rrit akoma më tepër. Grupet etnike në rajonet evropiane të perandorisë, me shumicë të krishterë ortodokse, filluan të viheshin në lëvizje për pavarësi. Udhëheqësit nacionalistë i planifikuan taktikat e tyre dhe i forcuan aleancat pikërisht në kafenetë e Selanikut, Sofjes dhe Beogradit. Përpjekjet e tyre, që kishin si “karburant” kafeinën çuan në pavarësinë e Greqisë në vitin 1821, Serbisë në vitin 1835 dhe Bullgarisë në 1878-n. Kafenetë e kishin bërë punën e tyre.

Vende të ndryshme i shtuan “nuancat” e tyre pijes së errët: grekët i shtuan mastikën, arabët e mbushnin me kardamom dhe e shërbenin në filxhanë pa dorezë.

Edhe kur pihet sade, ose e thjeshtë, shija e kafes varet nga pjekja; kokrrat e varietetit turk prodhojnë kafe me një shije prej dheu dhe tymi. Kur e mbaron se piri, në fund të filxhanit mbetet llumi. Efektet e kafesë turke shihen shpejt. Perandorë të botës, bëni kujdes prej saj!

*Sarah Jilani është gazetare e artit dhe kulturës në Stamboll

TemaTv/Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Panvarsisht se historia e mesiperme ka mjaft trillim brenda, por edhe te vertete, ajo mbetet e bukur! Ndoshta vertet qe kafeja mund te permbaje nja 10% te pergjegjesise se renies se perandorise osmane. Por jo me shume!

Submitted by Kuku (not verified) on

Fatkeqesisht, historia eshte vetem e pjesshme. Lynn Hunt tregon se kafenete e vijuan rrugetimin e tyre ne Britani ne shekullin e 17 kur nje tregtar hebre e solli si kulture ne Londer, dhe me pas u perhap ne te gjithe Europen aty nga mesi i shekullit 18. Pra, kafenete e parisit dhe vjenes qe njohim sot, jane mall "oriental"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.