Ta thellosh krizën duke refuzuar ta shpjegosh atë
Kriza aktuale politike ka risitë e veta në një fakt që bie në sy qartë: socialistët nuk janë më në gjendje të flasin hapur për shkaqet e saj. Kur themi socialistët me këtë nuk nënkuptohen ministrat e kabinetit, por ata njerëz që kanë një karrierë përfaqësimi dhe që nuk janë aktualisht në detyra funksionale. Dhe të mos jesh në gjendje të flasësh për krizën do të thotë që të mos arrish dot ta shpjegosh atë siç duhet dhe mandej ta përcjellësh këtë shpjegim te njerëzit që sidoqoftë kanë nevojë të kuptojnë diçka më shumësesa demagogjia e zakonshme.
Në një intervistë për gazetën “Dita” një nga figurat kryesore të socialistëve në vitet ’90 – ‘2000, Sabit Brokaj, i pranishëm përherë në situate të tilla, ka dhënë si recetë për të shpjeguar gjendjen e tanishme sjelljen e Sali Berishës dhe PD-së dhe sidomos marrëveshjen e vitit 2008 që solli ndryshimin e Kushtetutës. Sipas Brokajt, kjo marrëveshje themeloi pushtetin e kryetarëve në politikën shqiptare duke zhbërë sa hap e mbyll sytë arritjet e të majtëve në vite. Mirëpo teksa thotë këtë gjë, Brokaj, në mënyrë të pabesueshme sugjeronse marrëveshja e prillit 2008, që solli ndryshimin e Kushtetutës u bë si një lëshim i Edi Ramës ndaj Berishës.
…mosndryshimi i asaj marrëveshjes së 2008-s është kulmi i hipokrizisë së partive të djathta apo të majta. Është njëlloj pajtimi me statuskuonë aktuale dhe pranimin e krizave edhe në të ardhmen. Përndryshe duhet të pranojmë që në politikë të vijnë edhe kriminelë, edhe të korruptuar, edhe idiotë, sikurse edhe kanë ardhur. Dhe po u dhe atyre këtë mundësi ata do ta kryejnë këtë mision të ndyrjes së politikës, do të ketë zhgënjime të mëdha…
Në qoftë se pritet ndonjë ndryshim pozitiv në politikën shqiptare, ky ndryshim pritet vetëm nga Edi Rama. Nuk e pres unë këtë ndryshim nga Saliu, Ky ishte një lëshim që Edi ia bëri Saliut. Mua më shqetëson fakti që Edi hesht akoma
shprehet ish-ministri i Mbrojtjes.
Mirëpo kjo thjesht nuk është e vertetë. Ose dijenia publike për prillin e 2008-ës është krejt tjetër. Edi Rama nuk kishte sesi të bënte lëshime ndaj Sali Berishës në këtë kohë, pasi jemi menjëherë pas ngjarjeve të Gërdecit dhe Berisha, asokohe kryeministër nuk ishte në gjendje të diktonte ndonjë gjë, por do të pranonte çdo gjë përveç largimit nga pushteti. Zoti Rama braktisi protestat dhe kërkesën për largimin e Berishës dhe mori Kushtetutën që donte.
Aq më shumë i faturohet atij ky ndryshim, po të kemi parasysh se z. Rama është zbatuesi i parë në Shqipëri i parimit të listave të mbyllura. Kushtetuta e vitit 2008 është produkt tipik i një mentaliteti si ky i z. Rama që arriti të bunkerizojë edhe PS-në. E çuditshmja këtu nuk është kjo. E çuditshmja në fakt është deformimi që bën z. Brokaj, që mund të jetë çdo gjë, por vetëm naiv jo. Fraza e tij se pret gjëra pozitive nga Edi Rama tingëllon si shaka që nuk ngjit gjëkundi, sidomos po të mbahet parasysh situate e tanishme, por edhe mënyra sesi qeverisën socialistët e Rilindjes. Mirë tensioni është faturë e Berishës, po kanabisi, konçesionet dhe largimi i shqiptarëve faturë e kujt janë?
Kush do flasë kundër këtij veprimeve të këtij kryeministri që po krijon një klimë të përgjithshme dekurajimi dhe që katapulton anonimë në detyra publike, që urren dhe ka frikë debatin e hapur dhe që arrogancën ja zbut vetëm protesta e dhunshme? Mbrojtja në këtë formë nuk i vlen më as PS-së, përkundrazi e dëmton atë pasi e unifikon të ardhmen e saj me projektin personal të z. Rama.
Add new comment