Pakti për Arsimin apo Pakti për mashtrimin?
Kush ka ndjekur turin e dialogut mes kryeministrit Edi Rama dhe studentëve, mund të ketë vënë re se kreu I qeverisë ka përsëritur dhe vazhdon të përsërisë fjalën Dialog.
E kapur në befasinë e një proteste që jep mesazhe të shumëfishta, qeveria po synon të korrigjojë në formë demagogjike problemet e krijuara me ligin e vitit 2015. Zoti Rama në fakt ka lëshuar në ato gjëra që nuk kushtojnë: ulje tarifash, heqje e tarifave për provimet e bartura, shkarkim të përfaqësuesve të qeverisë në bordet e administrimit dhe premtime për përmirësim kushtesh në konvikte. Ai është gati të flasë për çështjet e bibliotekave, pasqyrimin e shpenzimeve online dhe kartën e studentwt.
Nëse do të kishim autonomi të vërtetë universitare, z. Rama nuk do ta kishte të lehtë që të ndërhynte në të gjitha këto çështje. Me profesoratin që ka dalë jashtë loje dhe që duket se është pjesë e problemit, kryeministri është në kushtet, ose po kërkon kushtet e një negociate direkte me studentët, të cilëve u ofron një dokument të ri për Universitetin. Një marrëveshje.
Por sa e vërtetë është kjo gjë?
Zoti Rama ka në tavolinë tetë pika me karakter financiar, logjistik dhe administrativ, por asnjë prej tyre nuk prek ligjin bazë për arsimin e Lartë. Shfuqizimin e këtij ligji e kërkon vetëm Lëvizja për Universitetin dhe ndonjë profesor i angazhuar(sot raportohet se 50 profesorë të Shkencave Sociale kanë kërkuar abrogimin e ligjit). Kryeministri është koshient, dhe këtë e bëri të qartë dje me mënyrën sesi u drejtohej studentëve në takimin e Vlorës, se për këto çështje mund të flasë me studentët, madje duke evidentuar nivelin e tyre të ulët.
Për çfarë duhet atëherë pakti? Së pari mund të mendohet se hapja e diskutimit publik me studentët do të çmobilizonte energjinë e protestës.
Së dyti, zoti Rama po tregon se ka synime të marrë frenat e kontrollit të plotë të universitetit në kuptimin e një angazhimi të përbashkët me studentët, që në fakt është fiksion. Sepse pakte të tilla duhen firmosur nga dy palë reale. Studentët janë vetëm një masë e papërfaqësuar që janë në rrugë për disa kërkesa minimale. Ata nuk ka treguar ndonjë aspiratë të veçantë pasi përndryshe do të kishin reaguar qysh në fillim kur u miratua ligji dhe më tej akoma, do ta kishin tematizuar ligjin në protestën e tyre. Kryeministri po ofron maksimumin verbalisht por po i gënjen me çikërrima në praktikë. Ai po del garant i demaskimit edhe të korrupsionit dhe arrogancës së profesorëve duke shembur në fakt prerogativat bazë të një autonomie demokratike.
Ky është një problem që shkon përtej studentëve. Në takimin e djeshëm, kryeministri u shpreh gjatë një replike se:
Do më kujtosh më vonë sesi sot ti ke kurajon e më fyen dhe kundërshton
Me këtë frazë zoti Rama ka shprehur një të vërtetë. Të vërtetën e qenies së tij politike se Ai në personin e vet mishëron garancinë e funksionimit demokratik. Ai me cilësitë e tij njerëzore është aspirimi i një sistemi të kalbëzuar. Me këtë në fakt ka pranuar edhe dështimin spektakolar të qeverijes së vet sipas parimeve dhe premtimeve të fillimit. Pasi një Shqipëri më pranë Europës është një Shqipëri demokratike, ku demokracia nuk është variabël I një njeriu, por pjesë e të gjitha relacioneve institucionale dhe njerëzore. Këtë problem zot Rama e manifeston edhe në raport me qytetarët kur në cilësinë e timonierit propozon ambiciet e veta si vizion dhe perspektivë unike për vendin. Është në themel një shprehje e pushtetit masiv që një njeri i vetëm ka mbledhur në vend kjo falë edhe çedimit të garancive kushtetuese përmes arnimeve të shumta.
Add new comment