Përshtypje të ndryshme në vetëm pak vjet: Shqiptarët duan të ikin...
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvisu, ka dhënë një intervistë për Albanian Daily News, përmes së cilës ka përcjellë disa mendime të veta për zhvillimet e fundit. Arvisu, që ndodhet në Tiranë me rastin e një dekorate që I është akorduar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka pranuar se ndikimi i SHBA në botë po bie. Edhe interesi i vetë SHBA për prani në rajone si Ballkani ka rënë.
Po, jam dakord. Dhe meqë mund të flas lirshëm tashmë, po ju parashtroj një këndvështrim disi radikal: Nëse shikon ndërhyrjet amerikane në disa prej konflikteve anembanë globit, Afganistan, Irak, Siri, Jemen, Libi… këto vende janë katandisur si mos më keq. Sigurisht nuk është tërësisht faji amerikan (përjashto Irakun, ndoshta) por nuk kemi ndrequr asgjë dhe mendo pastaj buxhetet e tmerrshme në para, staf, madje jetë njerëzore për ne dhe civilët. Një katastrofë, nga të gjitha administratat. Dhe ky nuk është një moment krenarie për SHBA-në.
Unë besoj se për një pjesë modeste të këtyre shpenzimeve, nëse do angazhoheshim seriozisht në Ballkan në një përpjekje të përbashkët dhe të mirëmenduar me BE-në për promovimin e demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe investimeve, institucioneve të forta demokratike etj, etj, ky do kishte qenë një investim shumë produktiv.
Edhe pse ka mjaft dështime amerikane në ndërhyrjet e pas Luftës së Dytë, dy suksese të mëdha më vijnë në mendje: Koreja e Jugut dhe Japonia. Shihni ku janë këto vende tani! Kjo do mund të aplikohej edhe për Ballkanin.
është shprehur ish-ambasadori.
Sipas tij gabimi me administratën e Donald Trump është se ajo ka abdikuar nga roli udhëheqës i Amerikës në botë. Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, Arvisu ka pranuar se atij i ka rënë në sy prirja për të ikur e shumë njerëzve, diçka që sipas tij është shqetësuese.
Ajo që më ka bërë përshtypje është se njerëz të rinj, çifte në të 30-tat me të cilët kam folur, tentojnë largimin. Paradoksalisht mjaft prej tyre janë të mirëarsimuar, madje dhe me punë jo të këqija. Por thonë se nuk shohin të ardhme këtu. Shumë syresh kanë aplikuar edhe për “vizë diversiteti” në SHBA, të tjerë po shqyrtojnë mundësitë në Europën Perëndimore… Mbase kjo që po them nuk është “shkencore”, pasi nuk mund të quhen mostër sondazhi ata 20-30 vetë me të cilët komunikoj. Por bëj habi sesi kaq shqiptarë të talentuar që njoh, duan të ikin. Secili për arsyet e vet, thonë se janë të acaruar; por emëruesi i përbashkët është mungesa e shanseve për të bërë përpara këtu në atdhe
ka thënë Arvisu.
Add new comment