Partia e Freskut e hedh njëherë llafin për revolucion
Opozita e përfaqësuar nga Partia Demokratike në Parlament, ka arritur në fund të fundit një fitore propagandistike: ka ngulitur idenë se qeveria aktuale ka lidhje organike me krimin. E ka bërë këtë në mënyrë metodike, të vazhdueshme, me dhe pa LSI-në në qeverisjes dhe ka patur edhe fatin e një ekipi, skandalet e të cilit nuk kanë të sosur. Megjithatë PD-ja nuk ka krijuar frymën e nevojshme për ndryshim, ndonëse së fundmi ka nisur të flasë edhe për përmbysje. Pak më herët z. Berisha fliste për revolucion, term ky që nxiste proporcionalisht acarimin parlamentar të Flamur Nokës. Pse vallë PD-ja nuk ia del që të mobilizojë energjitë e njerëzve? Këtë analizë ajo e ka detyrim ndaj vetes së pari, nevojë për mbijetesë së dyti dhe mandej e ka detyrim edhe ndaj demokratëve dhe qytetarëve. Mirëpo sjellja e kësaj partie duket se i ngjan atij që spiunon dhe sheh me keqardhje se i spiunuari nuk po arrestohet. Lexoni se çfarë thotë deputeti Gent Strazimiri sot në një intervistë për “syri.net”:
Organizatë kriminale që rrëzohet me votë nuk ka. Populli në rrugë që të çlirojë zgjedhjet e lira dhe pastaj vota, mund të sjellë stabilitetin në këtë vend. PD-ja është në këmbë që prej 2013-s, por çështja është se përse shoqëria nuk reagon. Unë mendoj se opozita e ka misionin e saj që të ngrejë popullin në këmbë, është që të bindë elitën, gazetarët, shoqërinë civile. Ne kemi shumë intelektualë por nuk kemi inteligjencën. Kjo shoqëri duhet të kuptojë që kjo çështje nuk i përket vetëm opozitës por të gjithë shqiptarëve. ‘Çadra’ tregoi se edhe sikur e gjithë PD të ngrihet në këmbë, kjo nuk mjafton, duhet të ngrihet i gjithë populli. E gjithë shoqëria duhet të ngrihet në këmbë. Këta nuk janë as socialistë, këta janë oligarkë, këta janë një bandë
Z. Strazimiri mundet edhe t’i besojë këto që thotë, por është mirë që këto bindje të jenë objektive. Së pari PD-ja nuk është në këmbë që nga viti 2013, sepse PD-ja ngjan se nuk është çuar për asnjë çast nga stanjacioni i atij viti. Më keq madje, ka ecur prapa edhe në numër votash.
Së dyti, nuk ka sesi të pranohet si e vërtetë kjo “analizë”, kur Çadra tregoi se pushteti mund të kushtëzohet dhe shumë madje, por kur kauzat shndërrohen në pazare, atëherë fatura e dështimit duhet paguar. Çadrën e mbylli dhe futi në çantë zoti Lulzim Basha, pa dhënë ndonjë shpejgim dhe pasi na foli për ditë të tëra se ai do të rrëzonte kriminelin Edi Rama.
Sot Edi Rama për PD-në është njësoj, bandit dhe kriminel. Ka ndryshuar vetëm PD-ja që po pranon pafuqinë e vet, po kërkon që populli të ngrihet e t’i japë pushtetin sepse përndryshe këtu do bëhet qameti. Një forcë politike që nis e dorëzohet në këtë formë e ka mbaruar misionin e vet. Një forcë politike, kryetari I së cilës për asnjë çast qëkurse mori detyrën nuk krijoi bindjen se është aty për të bërë opozitarin, por përherë flirton me pushtetin, ka mbaruar. Ajo është asgjë më shumë se një bandë minore hileqarësh llafazanë e duargjatë.
Edhe incidenti I fundit në “Opinion”, i papërgënjeshtruar deri më tani nga PD-ja, na provon dyshimin e përhershëm se ajo luan me besimin e njerëzve në rolin e opozitarit. Historia e Babales u duk se groposi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndërkohë që ne morëm vesh se zotërinjtë deputetë të PD-së komunikonin me z. Xhafa duke i dhënë mbështetje.
Një parti që bën kaq shumë për të çorientuar qytetarët, për të larguar ata nga besimi se opozita duhet të bëjë opozitë, ajo parti është kapitull i mbyllur i një grupi dështakësh. Partia Demokratike, apo Partia e Freskut nga qeverisë, nuk mundet sot të luajë aktorin dramatic duke i bërë thirrje shqiptarëve të çohen se po na mbyt krimi. Ajo duhet t’i udhëheqë proceset me ndjenjën e një misioni, jo me logjikën e një pazarxhiu. Ajo nuk duhet të ishte sot aneks i lojërave të Ilir Metës dhe Sali Berishës, por të ishte distancuar ndaj të parit që e akuzonte muaj më parë për vrasje dhe t’i japë duart të dytit. Nëse nuk e ka këtë forcë, nëse do që ekulibrin e tanishëm të pushtetit ta shndërrojë në forcë të vetme opozitare, atëherë le të prrallisë edhe ca kohë pasi shumë shpejt do të duhet të dorëzojë çelësat. Vetëm nëse ndodhtë ndonjë mrekulli.
Add new comment