I keqpërdoruri i madh, Hashim Thaçi
Sa më shumë kalon koha aq më shumë po kuptohet se në debatin për kufijtë e Kosovës, Hashim Thaçi është i keqpërdoruri i madh. Përtej mungesës së transparencës për origjinën e idesë së tij për shkëmbim territori, preisdenti kosovar po gjendet vetëm në një situatë ku nuk e ndihmon dot kush. E ca më keq, ku versioni i lënies në baltë është llogaria më e thjeshtë politike.
Prej disa kohësh aktorë të ndryshëm politikë pyesin se përse Edi Rama nuk prononcohet për idenë e shkëmbimit të territoreve. Se përse nga qeveria shqiptare nuk ka një qasje më publike. Kjo pyetje është përgjysmë e vërtetë, pasi kryeministri Rama teksa ka heshtur përgjatë gjithë kësaj kohe, në të vërtetë ka autorizuar, apo ka lejuar që ministri i tij i Jashtëm, Ditmir Bushati, të shprehet kundër idesë së ndarjes. Z. Bushati e ka shprehur disa herë një gjë të tillë.
Po kështu z. Rama ka lejuar dhe nuk është shqetësuar që të kundërshtojë zërat dhe spekullimet e shumta se pas idesë së ndarjes qëndon Soros, se ai ka një marrëveshje me Vuçiçin, apo se në lojë janë interesat amerikane. Në vende me gazetari provinciale si Shqipëria, spekullime të këtilla janë dhurata më e mirë për të ushqyer idenë se kryeministri është pjesë e lojërave të mëdha dhe se në çdo gjë që bën nuk ja fut kot. Z. Rama nuk zhgënjen në këtë rol. Në prononcimin e tij të parë sot në studiot e Top-Channel, z. Rama ka folur duke mos thënë në fakt asgjë:
Është një çështje që i takon shtetit të Kosovës. Na një anë në Kosovë ka një debat mbi një ide, jo një platformë. Nga ana tjetër, si përfaqësues i Shqipërisë ndjej detyrimin që të respektoj vendimin e tyre. Unë kam qenë i qartë, se do të flas për Kosovën, por nuk mund të flas në emër të Kosovës. Është e paudhë për mua që të bëj komentatorin. Na duhet shumë më tepër se sa debati i radhës
tha Rama.
Një përgjigje e mefshtë dhe konformiste sa më s’ka. Kjo është një politikë e pasivitetit pozitiv që në të vërtetë udhëhiqet nga llogari personale. Ky është edhe minusi i saj.
Z. Rama mund të jetë në dijeni se këtë projekt e sponsorizojnë amerikanët, apo një segment i pushtetit në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk u kundërvihet për shkak se kërkon afrimin me administratën amerikane. Por ai mund të nxjerrë ministrin e Jashtëm për të qetësuar edhe palën gjermane apo franceze dhe britanike që janë kundër ndarjes. Po kështu kjo lloj politike dylli zhbën deri diku agresivitetin e opozitës shqiptare që në këtë temë po faktorizohet më së shumti nga Hashim Thaçi që doli në skenë me një ide të cilës nuk i rend askush pas në botën shqiptare. Dhe sot që ai ka nevojë të marrë mbështetje nga Tirana, në të vërtetë merr vetëm heshtjen apo sytë e ulur të taktit diplomatik të Edi Ramës, ndërkohë që ministri i Jashtëm Bushati ndodhet në Kosovë për të ripohuar se kufijtë nuk duhen ndryshuar.
Por nuk përjashtohet që presidenti Kosovar të ketë një as në mëngë, meqenëse kësaj radhe shërbeu me devotshmëri me një politikë që pretendon se e ka shprehje të një vizioni.
Add new comment