Historike/Patriarkana do të njohë Kishën Ukrainase dhe Maqedonase pa konsensusin e Kishave të tjera

Postuar në 04 Shtator, 2018 12:52

Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës ka vendosur që të shpallë autoqefalinë e kishave që duan të jenë të pavarura pa marrë konsensusin e kishave të tjera. Kjo raportohet nga agjencia maqedonase, MIA, që referon një agjenci bullgare, news.bg. Sipas këtyre burimeve, vendimi është marrë në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë mbajtur në datat 1-3 shtator të këtij viti. Ky vendim ka përftuar interpretimin e një akti që shkon kundër politikës së KIshës ruse dhe asaj serbe, të cilat kundërshtojnë autoqefalinë e Kishës Maqedonase dhe Ukrainase dhe që për këtë kanë kërkuar miratimin e kishave të tjera.

Sipas burimeve në fjalë, pritet që Patriarkana të lëshojë tomosin për autoqefalinë e kishës Ukrainase brenda këtij muaji, një vendim për të cilin Kisha Ruse ka paralajmëruar skizmën. Mbetet e paqartë se cila është situata për Kishën Maqedonase, ndërkohë që brenda këtij debati duhet kujtuar se Kisha Shqipatre nuk është shprehur publikisht. Vlen të kujtohet vizita e Kirillit të Rusisë në Tiranë pak muaj më parë, gjatë së cilës ai theksoi disa herë miqësinë me Kryepeshkopin Janullatos.

Një sinjal sado i tërthortë për qëndrimin shqiptar përcillet sot teksa Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë shpërndan në faqen e vet në Facebook, një letër proteste të Patriarkut serb, Irinej, dërguar Patriarkut Ekumenik, Vartholomeu, përmes së cilës ai kundërshton autoqefalinë e Kishës Ukrainase dhe akteve të tjera skizmatike. Irinej duket se ka hallin e precedentit që kjo krijon për Kishën Maqedonase dhe atë Malazeze, ndërkohë që vështirë të lexohet këtu se kujt i blaton aleancë KOASH.

Herezia e etnofiletizmit(ndarja kishtare në bazë konbësie) është një ndër fatkeqësitë më thelbësore të ortodoksisë bashkëkohore

shkruan Irinej, i cili në të vërtetë mban titullin e Patriarkut të serbëve.

Shtetet, popullsitë dhe “popujt” mes të cilëve kërkohet autoqefalia sot, kultivon në të vërtetë skizma politike dhe justifikon hapur aktivitetin e tyre shkatërrues duke invokuar interesat shtetërore dhe nacionale(Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi). Këto shtete u krijuan nga komunistët dhe shumica e tyre udhëhiqen sot nga ateistë, siç është edhe rasti i sunduesit ateist dhe të papagëzuar në Malin e Zi, Milo Gjukanoviç…

vijon më tej ai.

Duket se zhvillime të tilla po neutralizojnë të ashtuquajturën panortodoksi, teksa Patriarkana e Konstandinopojës, kryesisht e dominuar nga elementi grek, po luan fijet për të rifuqizuar veten përballë rivales së vet që është Kisha e Rusisë. Kjo përballje nuk është e re vetëm se tashmë me një rol të ndryshuar krahasuar me zhvillimet e shekullit të 18-të, kur Patriarkana bëri çmos ta ndalte zhvillime shkëputëse në Ballkan. Pak javë më parë një tjetër debat preku Ortodoksinë, por kësaj radhe nga SHBA ku u kërkua që qendra e Patriarkanës të zhvendosej aty, nisur nga premisa të zhvillimit dhe numerike. E qartë është se autoriteti i Patriarkanës është vënë seriozisht në dyshim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.