Koncesionet dhe (mungesa) e bursës. Një mësim nga ngjarja tragjike e Italisë
Aksidenti tragjik në Xhenova të Italisë ka provokuar reagime dhe pasoja në disa drejtime të cilat janë dëshmi të efektit korrigjues të një ekonomie të integruar si ajo italiane. Përtej aspektit politik që ka të bëjë me vendimin e qeverisë në Romë për të ndaluar konçesionet e rrugëve, efekti më domethënës është ndjerë në bursë.
Atlantia, kompania që qëndron në krye të Autostrade per l’Italia ka marrë goditje shumë të fortë duke humbur 4.85 miliardë euro. Aksionet e saj, siç raporton gazeta “Corriere della Sera”, kanë rënë me 25%, ndërkohë që goditje kanë marrë edhe kompani të tjera që janë të përfshira në këtë sektor.
Astm dhe Sias, konçesionaret e autostradave që janë në pronësi të grupit “Gavio” kanë pësuar rënie përkatësisht me 8.4% dhe 7.9%. Rënie ka edhe për Autostrade Meridionali me 4.8%
raporton CS.
Nuk është e sigurtë nëse kjo rënie lidhet 100% me aksidentin eXhenovas, por është shumë e sigurtë se ky aksident ka ndikuar patjetë në bursë e cila na jep me rënien e aksioneve vetëm një shpjegim: qytetarët dëshirojnë më pak të investojnë në kompani të tilla që kanë pësuar humbje të besueshmërisë. Nga ana tjetër, kjo tërheqje në investime do të thotë më pak burime kreditimi për kompanitë në fjalë të cilat vihen në kushte të forta krize. Atlantia ka investuar në 10 vitet e fundit 10 miliardë euro për autostradat italiane dhe me rastin e aksidentit të fundit me urën “Morandi” ka shprehur qëndrimin e vet të menjehershëm për të zbardhur të vërtetën e saj, e cila lidhet ngushtësisht me kredibilitetin në një treg ku qytetarët dhe paratë e tyre kanë rol të dorës së parë.
Ky efekt domino ndodh në një vend si Italia që nuk është shembulli më i mirë për t’u ndjekur dhe ku skandalet nuk kanë të sosur. E megjithatë ai shërben si pasqyrë për të gjykuar mbi situatën konçesionare të rrugëve në Shqipëri, të cilat sot po ndërtohen me taksat tona dhe po u rimburoshen dyfish kompanive: së pari në vlerën e investimit që paguhet me këste dhe së dyti me tarifën e kalimit dhe mirëmbatjes që e paguajnë përdoruesit. Të dyja modelet janë larg njëri-tjetrit për shumë aspekte, por këtu mund të vëmë në dukje aspektin korrigjues të bursës që është në fakt pjesëmarrje e të gjithëve në një aktivitet që ngrihet mbi pronën publike. Në Shqipëri konçesionet që fitojnë kontrata preferenciale dhe shpesh skandaloze, nuk janë të inkuadruara në bursë, madje as edhe jashtë vendit. Po të heqim rastet e Bankers Petroleum, konçesionarit të Rinasit dhe Osi Systems(Rapiscan), kompanitë e tjera me pronësi biznesmenë shqiptarë operojnë në një ekonomi të shkëputur nga ndikimet e drejtpërdrejta nga mjedisi i huaj. Më e keqja ato operojnë në një klimë rregullash për të cilat lobojnë lehtësisht pranë qeverisë.
Nëse do të sjellim një shembull të afërt me situatën e ndodhur së fundmi në Itali, ai është padyshim rasti i konçesionit të rrugës Durrës –Kukës. Çfarë ndodhi me këtë kontratë? Qeveria u detyrua të rinegocionte termat dhe afatet në pjesë të caktuara të saj, pas protestave të qytetarëve. Përfundimi? 50 milionë dollarë më shumë për kompaninë. Është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhte me kompaninë “Kastrati” nëse kjo situatë do ta ekspozonte atë në bursën e aksioneve. Se cili do të ishte efekti mbi situatën e vet. Po kështu është pak e vështirë të imagjinohet nëse qeveria shqiptare do të kishte marzh manovre të vepronte ashtu si veproi në kushtet kur në lojë janë paratë e qytetarëve, kësaj radhe jo si taksa me të cilat bën atë që do, por si investime direkte, që japin të drejta pronësie mbi aktivitetet të ndryshme.
Marrëzia e kontratave preferenciale siç po shohim të ndodhë në Shqipëri, vuan në këtë kushte edhe defiçencën e bursës që do të ishte minimumi i garancisë për një përgjegjshmëri në investime dhe çka ka më shumë rëndësi, në shpërndarjen e fitimeve. Sot qeveria shqiptare ka autorizuar firmosje kontratash që i titullon në emër të Republikës, për të cilat në çdo eventualitet del vetë garante, duke krijuar për kompanitë që fitojnë me gara të dyshimta, kushte financimi dhe kreditimi bankar që përndryshe nuk do të ishin të mundura. Cikli destabilizues kontratë konçesionare monopoliste, apo ekskluzive, garanci shtetërore, kreditim dhe mandej fitim i siguruar, e përjashton tërësisht qytetarin shqiptar nga e drejta për të investuar dhe fituar dhe për pasojë ai përbën premisën për këtë formë operimi të bizneseve që arrijnë të komodohen mirë me çdo qeveri.
Ekzekutivi i tanishëm ka krijuar edhe agjenci për konçesionet, por deri më tani nuk ka asnjë të dhënë sesi është ecuria e tyre. Ka vetëm apel publik nga institucionet e huaja bankare për ndikimin negativ të tyre në ekonomi dhe në financa dhe për nevojën e ndaljes së praktikës së PPP-ve që në fakt edhe si të tilla nuk zbatohen në formulë. Në Shqipëri ende nuk ka ndodhur ndonjë ngjarje si ajo e Xhenovës dhe do uruar që të mos ndodhë. Por është fakt se konçesionet në vendin tonë janë tashmë shprehje e një raporti të përmbysur pasuri publike – fitim dhe se ato janë bërë de facto të pakontrollueshme dhe të pazhbëshme. Premtimet për zhbërje kontratash janë retorikë sa kohë nuk pasqyrojnë elementë konkretë të procedurës dhe nuk janë vullnet i qartë politik. Në Itali ishte një çështje sigurie ajo që hapi debatin, por është bursa ajo që tronditi në themele kompanitë që do të rimendojnë më mirë investimet e tyre. Është e sigurtë se në Shqipëri, të paktën me këtë qeveri, çdo ngjarje do të kalojë si faturë për qytetarët me rinbursime për kompanitë, të cilat siç e shohim në rastin e inceneratorëve marrin para edhe kur nuk bëjnë punë. Sepse nuk kanë asnjë ekspozim direkt dhe në fund fare luajnë lirshëm me paaftësinë dhe korrupsionin e nëunësve që përpilojnë kontratat, nën drejtimin e dobët në mos të dyshimtë të një qeverie që nuk habit më.
Add new comment