Pa ekuivoke: Ndarja e Kosovës çon në luftë të re!

Postuar në 28 Korrik, 2018 10:33
Halil Matoshi - Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës

Në Kosovë po mbizotëron vetëdije e lartë qytetare dhe politike, unitet ndërinstitucional për sa i përket dialogut me Serbinë dhe përmbajtje e opozitës nga trazirat e mundshme, për t’iu shmangur destabilizimit, ndarjes ose edhe hyrjes në një konflikt të ngrirë. 

Tashmë është “sekret publik” se Rusia ka kohë që po bën një fushatë frikësuese ndaj kombeve të vogla ballkanike, për t’i nxjerrë ato nga kursi perëndimor dhe eventualisht për të krijuar kushte që diku-diku në pushtet të mbesin forcat proruse, e tjetërku të provokohen trazira që prodhojnë destablizim.

Kjo fushatë informuese dhe propaganduese ruse – aspekte të luftërave të shekullit 21 – është koduar si “Doktrina Gerasimov” që spikat praktikat e Rusisë në luftën e informacionit dhe po zhvillohet me shpejtësi, e shoqëruar me përdorimin e suksesshëm të internetit.

Opinionistë dhe politikanë në Kosovë dhe më gjërë, e kanë rikthyer në skenën mediale idenë e ndarjes territoriale të Kosovës, që në thelb është ide e mesit të shekullit njëzet me autor shkrimtarin dhe ish presidentin e RFJ, Dobrica Qosiqin. Kjo ide po rikthehet kinse për të dalë të gjithë me fytyrë, nga konflikti i Kosovës e që në thelb përmbush vetëm aspiratën e Serbisë “për të mos humbur gjithçka në Kosovë”.

Ideja se Kosova duhet të heqë dorë nga pjesa e saj në veri, përkatësisht nga territori i sajë kushtetues, në formën e saj origjinale (Qosiç & Co) burimisht është mendësi dhe qasje sovjetizuese ndaj shtetësisë së Kosovës.

Autorët që e mbështesin ndarjen, janë kryesisht integralistë të betuar, që nuk kanë një analizë të denjë politike dhe të drejtë historikisht, duke qenë të brumosur me idetë dhe zgjidhjet sovjetizuese të çështjeve etnike, pas Revolucionit të 1917 dhe posaçërisht gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me ç‘rast Jugosllavia e Titos ishte shndërruar “në burg popujsh” kurse në Bashkimin Sovjetik nën Stalinin, gjatë vizatimit të hartave të republikave dhe krahinave autonome si dhe shpikjës së termave kinse-politikë si ‘kombe dhe kombësi’ jo që janë privuar grupe popujsh nga e drejat e vetëvendosjës, por, disa popuj janë zhdukur në mënyrë sistematike, të pjesëshme ose të tërësishme, siç është rasti me Gjeorgjianët në ish BRSS, por edhe popullsinë gjermane në Vojvodinë, të njohur si “wolksdeutscher’, dhe më e pakta, ata janë mbajtur kundër vullnetit të tyre, nën sundimin centralist të idesë sovjetizuese, si psh, republikat Baltike në Bashkimin Sovjetik dhe shqiptarët në ish Jugosllavi.

Duke e lansuar edhe sot idenë e ndarjes së Kosovës, me apo pavetëdije, i bëhet një shërbim i mirë, me ose pa favore, doktrinës ruse të shtrirjes së ndikimit në rajonin tonë. E ky shërbim në thelb e promovon idenë e të bërit të pajetueshme Republikën e Kosovës deri në shpërbërjen e saj përfundimtare, si entitet jurdik-politik, në këmbim të ideve etnike, të shekullit 19 dhe 20, pra në këmbim të një “gjeopolitike” ëndërrimtare dhe folklorike.

Integriteti territorial i Kosovës do të mbrohet në të gjitha rrethanat nga patriotët kushtetues kosovarë dhe me ndihmën e aleatëve të saj.

Për tokat e Kosovës dhe kufijtë, më së paku u takon të flasin atyre opinionbërësve në Prishtinë, Tiranë e kudo tjetër, të cilët me lehtësi të padurueshme po promovojnë idetë e “ndërhyrjes jomiltariste” ruse në rajonin tonë, duke nxitur destabilizim si në rastin e Maqedonisë ku synohej konflikti ndërmjet elitave politike dhe etnike. Në Bosnjë kjo manifestohej duke i dhënë terren dhe mbështetje rrymës agresive përreth Milorad Dodikut, në Mal të Zi dëshirohej destabilizim përmes likuidimit të liderit politik Milo Djukanovic, kurse në Kosovë dhe Shqipëri ky ndikim po shtrihet përmes propagandimit medial të ideve për zgjidhje përfundimtare të nyjës ballkanike, që do të thotë lëvizje e kufijve kushtetues.

Së fundi shpërtheu skandali i përzënies së diplomatëve rusë edhe në Greqi.

Defilimi i shkrimeve – pompë, në portale të Prishtinës për “ushtarin e pamposhtur rus” dhe armatimeve të sofistikuara dhe shkatërrimtare ruse, fillimisht shihej si mendjelehtësi për t’i dhënë lexuesit atraksione që përkojnë me lajmet nga shoubizi, por me kalimin e kohës, u pa se ky ndikim rus po shtrihet edhe përmes përpjekjeve për obstruksion të raporteve të Kosovës me aleatët e saj strategjikë.

ShBA-ja ka meritë të pashembullt të shpëtimit të një populli – atij të Kosovës – nga përpjekjet gjenocidale të Serbisë së Millosheviqit duke i lartësuar vlerat e saj humane në mbrojtje të parimeve të lirisë, demokracisë dhe paqes dhe për këto parime ajo e ka ndërmarrë aksionin ndër më të mëdhejtë pas Luftës së Dytë Botërore, për shpëttimin e shqiptarëve të Kosovës.

Kur kësaj i shtohet fakti se projekti i komb-krijimit dhe shtet-ndërtimit në Kosovë (Nation-Building) deri më sot u ka kushtuar SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s rreth 30 miliardë, është akrobatikë imagjinative të menduarit se administrata e ShBA-së do t’i jepte drita jeshile shpërbërjes së shtetit kosovar.

Dhe kjo, sipas konspiracionistëve të Prishtinës, kinse po ndodh në dritën e takimit Trump-Putin në Finlandë.

Projekti i shtetit të pavarur kosovar është projekti ma kulmor i patriotizmit shqiptar dhe si i tillë do të jetë i përhershëm,

Ata që flasin për Kosovën dhe mundësinë e ndarjes së saj në kontekstin e arritjes së një Marrëveshjeje ligjërisht obliguese, që në thelb është njohje reciproke ndërmjet dy shteteve sovrane, duhet ta njohin kontekstin e lirisë së saj. Shteti i Kosoves në tërësinë e territorit kushtetues, është projekt i pakthyeshëm dhe i pandashëm i shqiptarëve së bashku me aleatët e tyre strategjikë, sëkëndejmi edhe amanet i baballarëve tanë, pra një atdhe real.

Ata që propozojnë ndarje të Kosovës ose e bëjnë nga naiviteti e injoranca në raport me shtetin si kulm i shtëpisë së një shoqërie politike ose e bëjnë nga pasioni i protagonizmit për të mbërri synimet e tyre të kalkuluara, kryesisht personale. Ata u sugjerojnë kosovarëve të marrin një krah me probleme (në shekullin 21 preferojnë zgjidhje sovjetike – bartje humane te popullsive dhe ndërrim territoresh!?) e të japin resurse kombëtare, ujin, mineralet dhe pyjet.

Kosova shtet i pavarur dhe Sovran është krijuar duke u mbështetur në tre parimet e panegociueshme të Grupit te Kontaktit (Fuqitë e Mëdha).

Nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999;

Nuk ka ndarje të Kosovës dhe

Nuk ka bashkim me ndonjë shtet tjetër;

Këto parime janë të adoptuara në Kushtetutën e Kosovës, në nenin 1 dhe 3.

Neni 1 (Përkufizimi i Shtetit) thotë: 1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm; Ndërsa Neni 3: Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.

Në këtë sens është për keqardhje tendenca e disa mediave në Prishtinë, për kinse kaos në politikën e jashtme amerikane dhe nisur nga kjo paskësh mund të ndërrojë pozicioni amerikan për Kosovën në kontekstin e dialogut me Serbinë. Po ashtu kujdestaria që eventualisht të ketë përplasje të Kryeministrit Ramush Haradinaj me ambasadën amerikane në Prishtinë, duke plasuar tituj kontrovers dhe përmbajtje të pafaktuara sipas modelit “Sputnik’, përkatësisht Fake News, se kinse Presidenti amerikan Donald Trump qenkësh pajtuar me Presidentin rus Vladimir Putin për ndarjen e Kosovës.

Cinikët mund ta cilësojnë këtë analizë si paranojë dhe irritim i Qeverisë nga shtypi i lirë, por në thelb, mënyrat e vrojtimit dhe botëkuptimet ruse po përputhen me tërë këtë rikthim mediatik në idenë e vjetër ekspansioniste serbe.

Këtë “ndërrim pozicionesh” të Amerikës karshi Kosovës, disa portale kosovare po e shesin në publik duke e ilustruar kinse me qëndrimin anti Kosovë të John Bolton-it, këshilltarit të Presidentit Trump për Siguri Nacionale, i cili gjatë shërbimit të tij në Kombet e Bashkuara si ambasador i ShBA-së, ka mbajtur qëndrime jo të favorshme për pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo, kjo narrativë po fundoset në pellgun e dështimit, sepse Kryeministri duke e fuqizuar orientimin properëndimorë të politikave ekonomike dhe të sigurisë, ka krijuar ombrellën më të mirë mbrojtëse “nga shiu” propagandistik rus me mësymjen për të shtrirë ndikimin në rajonin tonë, përkatësisht në destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës.

Marrëveshja me kompaninë amerikane ‘Contour Global’ për “Kosovën e re”, që garanton pavarësi energjetike të vendit, përmes termocentralit me qymyr që, edhe për ShBA-në është indikator i rëndësishëm edhe për sigurinë nacionale, si dhe krijimi i Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikanë në Gjakovë janë dëshmi se Amerika nuk ka ndryshuar pozicion karshi Kosovës.

Aq më tepër, Fjala e ambasadorit Delawie gjatë nënshkrimit të kontratës ndërmjet kompanisë AM General dhe Qeverisë së Kosovës në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, 17 korrik 2018 dhe kinse mospërjashtimi i tij i mundësisë së ndarjes së Kosovës muk përkon me parimet logjike. “

“Jemi të ngazëllyer që jemi pjesë e kësaj ere të re të Forcës së Sigurisë së Kosovës” – tha ambasadori amerikan.”

Ndërtimi i ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, ndër më të mëdhatë në rajon, dhe me vlerë shumëmilionëshe, poashtu shkojnë në favor të tezës se ndarja e Kosovës nuk konsiderohet opsion nga shteti amerikan, dhe se ndarja vërtetë do të thotë luftë.

Kur këtyre tregimeve u shtohet fakti se në Prizren po ngritet Parku Inovativ-Trajnues gjerman si dhe takimi i vetëm bilateral i Kancelares gjermane Angela Merkel gjatë Samitit të Londrës me Kryeministrin Haradinaj janë dëshmi të forta se Kosova po ecë dhe do të ecë me partnerët e saj strategjikë drejt fuqizimit ekonomik dhe të aspektit të sigurisë, por edhe unitetit politik pa ekuivoke, në kursin euroatlantik.

Rusët mund t’i rikthehen lojës kompjuterike të quajtur ‘tetris’ në zyrat e tyre të kamufluara në rajon, po ashtu të plasojnë ndonjë lajm të rremë në mediat pa kodeks dhe sens profesional, porse pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës në tërë territorin e saj kushtetues është fakt, i pakthyeshëm, sëkëndejmi ndarja e Kosovës nuk është opsion as i amerikanëve dhe as i europianëve.

Zëri.info

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.