Luftë për pushtet në Kishën Orthodhokse Greke të SHBA dhe në Patriarkanë
Kisha Orthodhokse greke, përfshirë Patriarkanën e Stambollit, ku ajo ka selinë qendrore kryesore, është përfshirë prej një muaji në një debat shumë të madh që ka të bëjë me disa teza të hedhura nga miliarderi greko amerikan, Efstathios(Stathios-Steve) Valiotis. Gjatë një fjalimi të mbajtur në maj të këtij viti në Hellenic College and Holy Cross Greek Orthodox School of Theology në New Jersey, Valiotis, i cili ka marrë nga kjo shkollë një titull nderi, propozoi që Kisha Orthodhokse Greke e SHBA-së të bëhet autoqefale dhe më tej akoma, që vetë Patriarkana e Stambollit të zhvendoset në SHBA.
Sipas Valiotis, një emigrant i lindur në Greqi dhe që u vendos në SHBA në vitin 1972, për të punuar edhe si pjatalarës, por për të themeluar në vitin 1988 një korporatë që sot i siguron atij një pasuri prej 36 miliardë dollarësh, orthodhoksët grekë të Amerikës nuk mund të drejtohen
nga një grup i vogël njerëzish nga Turqia që nuk kanë as ndjekës dhe as mision dhe që kanë një axhendë të ndryshme
Ky propozim, i bërë në prezencë të Kryepeshkopit Demetrios, Ekzark i Patriarkanës Ekumenike dhe Mitropolive të Metodit në Boston, Gerasimit të San Françiskos, Savës së Pittsburgut, Peshkopit Andonios, kancelari i Dioqezës Orthodhokse Greke, provokoi reagime të shumta të cilat popullojnë mediat e shumta të drejtuara nga grekët në SHBA, apo që merren me çështje të fesë.
Vetë Patriarkana Ekumenike shpërndau një reagim, përmes Urdhërit të Shën Andreas, Apostullit, përmes të cilit “shprehin shqetësimin dhe zhgënjimin…për ndjeshmëritë ndaj Kishës Nënë”.
Siç duhet ta dijë çdo klerik dhe person i zakonshëm, Arkdioqeza Orthodhokse Greke e Amerikës është një Eparki e Patrarikanës së Shenjtë Ekumenike të Kontandinopojës – Froni kryesor botëror i Kishës Kristiane Orthodhokse – dhe si e tillë, themelet e saj ekleziastike, kanonike dhe liturgjike, bazohen në vreshtin e krijuar nga Dora e Djathtë e Zotit përmes të Quajturit Dishepulli i Parë, i Shenjti Apostulli Andrea.
…Ne Arkondët shprehim shqetësimin tonë të thellë se ndërsa dikush foli kundër Kishës Nënë, askush nuk foli për Të. Ne lutemi me çdo qëllim të mirë që ky budallallëk të mos cenojë trupin e Kishës më tej akoma dhe se të gjithë ne, klerikë dhe laikë, mbetemi të palëkundur ndaj Kishës Nënë të Konstandinopojës…
thuhet ndër të tjera në reagim.
Të njëjtën gjuhë ka përdorur edhe Mitropolia Greke e New Jersey, e cila përmes Mitropolitit Evangelos, i denoncon qëndrimet e Vlaiotis, që sipas tij, janë të njohura dhe të përsëritura.
Mirëpo ky solidaritet i klerikëve ka marrë një tjetër goditje sot nga një emër i njohur i orthodhoksisë greke, Van Coufoudakis, Dekan i Merituar dhe Profesor i Merituar i Shkencave Politike në universitetin Purdue në Indiana. Me një karrierë 30 –vjeçare në kishën orthodhokse greke të SHBA-së, ai është një autoritet fetar dhe shkencor që përmes një opinion publikuar edhe në gazetën greke “Kathimerini”, i ka dhënë të drejtë deklarimeve të miliarderit Valiotis.
A kishte të drejtë Valiotis të ngrinte këto çështje? Po ai kishte. Shpresoj që ai të mos ketë shkundur vetëm “liderët” e pranishëm në aktivitet, por edhe liderët e ardhshëm të Kishës që morën diplomë atë ditë. Nëse Valiotis ja ka dalë të bëjë një gjë të tillë, ai i ka shërbyer mirë komunitetit greko-amerikan
shkruan ndër të tjera, Coudoufakis.
Ndonëse “nuk bie dakord me të gjithë pozicionet e Valiotis”, profesori në fjalë thotë se nuk mund të pranojë frymën polemizuese që pasoi fjalimin e tij. Coudoufakis thotë se propozimet e miliarderit grek për çështjet e autoqefalisë, të Patriarkanës dhe ato administrative të Akrdioqezës nuk janë të reja. Por rëndësia e tyre tani lidhet me probl,emet financiare me të cilat përballet së fundmi Kisha Greke në SHBA dhe garën që ka nisur për kreun e saj, pavarësisht se Kryepeshkopi nuk ka deklaruar tërheqjen.
Sa për kërkesën për autoqefali, ai thotë se në kushtet e tanishme, kur Patriarkana ndodhet nën presionin e presidentit turk, Erdogan, një gjë e tillë nuk do të ndihmonte për ndonjë gjë.
Përgjatë shekullit të 20-të, Patriarkana Ekumenike përfitoi nga fuqia politike dhe ekonomike e Arkdioqezës në Neë York dhe nga mbështetja financiare dhe politike e komunitetit greko-amerikan. Gjithësesi, thirrjet për autoqefali dhe ato për zhvendosjen e Patriarkanës nga selia e vet histoprike, do të hapin derën për pretendimet për rol primar në botën orthodhokse nga Kisha Ruse. Lëvizja e Patriarkanës nuk është një ide e re. Në vitet ’60, gjatë një periudhe tjetër të trazuar të Patriarkanës, u propozua Zvicra si shtëpi e re për të. Sipas ligjeve turke, që rrjedhin nga interpretimet e Traktatit të vitit 1923 të Lozanës, Patriarkana duhet të largohet nga Stambolli, të braktisë të gjitha asetet, të dhënat dhe artefaktet, pa folur për trashëgiminë historike
shton Coudoufakis.
Sipas tij kjo që po ndodh, sidomos me reagimet ndaj deklaratave të Valiotis, në fakt reflekton një luftë për pushtet në Kishën Greke në New York dhe në Patriarkanë, që vazhdon prej disa kohësh, luftë e cilas nuk ka nxjerrë në dritë ndonjë ide apo vizion për të ardhmen. Kisha vetë ka ndryshuar, por liderët e saj nuk po kuptojnë dhe as po konsiderojnë sfidat me të cilat ajo përballet qoftë edhe nën presionin gjuhësor që ndodh me brezin e katërt apo të pestë të emigrantëve që jetojnë në SHBA.
Përpjekjet për t’u kthyer drejt fondamentalizmit orthodhoks me synim shmangien e kontrollit publik dhe llogaridhënies do të dështojnë
shton ai, duke vënë gishtin edhe mbi një tjetër plagë: salltanetin e priftërinjve që kanë harruar misionin e tyre dhe jetojnë në luks. Dëshirën e tyre për të mos dialoguar me njerëzit dhe për të mos rrokur ndryshimet që në shekullin e 21-të nuk mund të asimilohen me praktika tanimë të tejkaluara.
Add new comment