Ambasadori italian “shfryn” çështjen Xhafaj: Vëllai i ministrit nuk ishte për burg
“Dënimet që nuk i kalojnë 4 vjet nuk konsiderohen mjaftueshëm të rënda për të justifikuar procedurën e ekstradimit”.
Ky është shpjegimi ligjor që ambasadori italian i ka dhënë pyetjes përse Italia nuk ka kërkuar ekstradimin e Agron Xhafajt, i dënuar në vendin fqinj me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge. Arsyetimet teknike që bën në këtë rast ambasadori vlejnë më tepër si argument në mbështetje të mazhorancës që pretendon se ndaj vëllait të ministrit nuk ka patur ndonjë kërkesë ekstradimi dhe në këtë logjikë as ministri s’kishte pse të ndërhynte. Me pak fjalë është i pastër, sipas verifikimit që vjen nga pala italiane.
“Personi është dënuar në Itali, por sipas rregullave të brendëshme italiane, kur dënimi nuk kalon një masë të caktuar nuk kërkohet ekstradim, sepse impenjimi për këtë kërkesë është shumë më i madh se mundësia që të vuhet një dënim kaq i shkurtër. Kemi mijëra raste të tillë dhe ky nuk është një përjashtim. Dënimet me pak se 3 vjet nuk vuhen në burg nëse nuk ka përseritje të krimit.
Ndërsa për ato mbi 4 vjet shkohet ne shërbime sociale, gjithësesi nuk shkohet në burg. Dënimet që nuk e kalojnë këtë masë nuk konsiderohen mjaftueshëm të rënda për të justifikuar procedurën e ekstradimit. Pasi vuajti një muaj, në kohën kur u arrestua mbeten edhe 4 vjet e 28 ditë. Në të tilla raste nëse i burgosuri bën kërkesë mund të lirohet shumë më herët se kjo datë. Nuk e di si do të zhvillohet cështja, por me shumë mundësi periudha që duhet të kalojë në burgim do të jetë shumë më e shkurtër”-shprehet Cutillo në një prononcim për Klan.
Ky lloj relativizimi që shkon deri në parashikimin se Xhafaj mund të lirohet shumë shpejt, nuk e zhbën faktin që ai është i dënuar për trafik droge dhe që për fatin e tij të mirë ose të keq është vëllai i ministrit të Brendshëm. Parashtrimi i zotit Cutillo ndoshta është një përpjekje për të zbardhur paqartësitë rreth çështjes Xhafaj, por prapëseprapë nuk amniston ministrin nga fakti që i vëllai vuan dënimin për trafik droge, ndërsa ai vetë është ngarkuar të jetë në ballë të luftës kundër drogës.
Add new comment