Reagim i biznesmenit Gaz Demi: Z. Berisha unë di ta mbroj emrin dhe mbiemrin tim*

Postuar në 14 Maj, 2018 22:38

Biznesmeni Gaz Demi, president i Klubit të futbollit “Partizani”, ka reaguar sot ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për të ashtuquajturin takim të tijin me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Më poshtë deklarimi i z. Demi përcjellë për “ResPublica”: 

E di se nuk është shumë e vlefshme në këtë vendin tonë që të replikosh me politikanët. E di për shkak se jeta ma solli ta njoh nga afër të vërtetën e këtyre “burrave të pushtetshëm” të Shqipërisë, por edhe sepse për profilin tim si biznesmen, e pranoj se kjo është pjesë e riskut të punës. Por ky reagim i imi sot nuk i drejtohet vetëm z. Sali Berisha, por ai është edhe një shenjë respekti për atë pjesë të njerëzve që më njohin për atë që jam dhe që bëj e që janë shurdhuar së fundmi me legjendën e Gaz Demit që vendos dhe lëviz fijet e çdo maskarallëku në Shqipëri. 

Z. Berisha ka disa muaj që më sulmon personalisht duke kërkuar t’i japë shpjegim realitetit politik me emrin tim, të qetësojë dyshimet dhe paranojën e vet për të cilat edhe ai nuk e di se nga i burojnë më, apo edhe të bëjë lojërat e veta të vogla, duke u spërdredhur me letra anonime dhe me thashetheme që i shet si informacion top - secret. 

Duke t’u drejtuar ty Sali Berisha, po të them diçka që ti e kupton mirë se çfarë do të thotë: Unë jam Gaz Demi. Dhe ti s’më njeh mirë. Më njohin njerezit e tu, mjaftueshem, por ti me njeh mire Mbiemrin. Më njeh edhe si Gazi, por edhe si mbiemër për familjen nga e cila vij. Ti je bërë  si ata burrat që siç thotë populli,burrë buçe. Të siguroj se unë di t’i mbroj të dyja: edhe Gazin që e njeh një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës, por edhe Mbiemrin të cilin zotrote e ke dëgjuar mjaft mirë edhe nga historia. Besoj se e kupton se çfarë dua të them. 

Duke iu drejtuar të gjithë atyre që na dëgjojmë dhe njohin, apo edhe opinionit, unë po mjaftohem duke deklaruar se edhe Unë të njoh shumë mirë se kush je ti dhe ata që të kanë detyruar të katandisësh veten në këtë pikë. Ta njoh lojën dhe besoj se ta di edhe hallin. Është hall i ndryshëm nga hallet e mia si njeri i biznesit. 

Unë nuk fshihem, unë punoj aty ku kam punuar përherë. Unë nuk nis ditën me filtrimin apo shpikjen e letrave anonime, as edhe kaloj kohën në katet e sipërme të kullave ku nuk shihet mirë se kush dhe kush del. Unë,  për ta thënë me një fjalë që ka dalë tani vonë e që unë pak kam dëgjuar: nuk jam off shore si dikush tjetër. 

Sot ti ke shkelur edhe një kod etik që besoja se nuk do ta kaloje. Ke përmendur familjen në ato statuset ku prej 5 vitesh ke ngritur foltoren e përgojimit.

Zotëri! 

Unë jam burri i një gruaje dhe baba i tre gocave qe po te paralajmeroj publikisht edhe si shqiptar: 

Mos e trash zullumin dhe mbaje atë gojë! Une nuk jam deputet i popullit sic e quan veten ti po jam popull qe di të ta jap përgjigjen edhe ne mes te rruges qe te habitet gjithe dynjaja!!! 

Shpresoj të jetë hera e fundit që të merrem me ty publikisht!

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.