Teatër për botën, Tahiri në arrest shtëpie
Ashtu siç pritej, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka "avancuar" me çështjen e Sajmir Tahirit duke i çuar kërkesë Gjykatës për burg pa afat, por kjo e fundit vendosi ta lërë në arrest shtëpie. Një vendim që ndjek logjikën e zhvillimeve politike dhe shkarkimeve të kryera së fundmi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pra ashtu siç kërkojnë partnerët dhe në veçanti Gjermania, Tahiri të gjykohet pa ndikimin e politikës. Dëshmi e gjithë këtij teatri ishte reagimi i kryeministrit Rama fill pas njoftimit për arrestin shtëpiak të Tahirit, ku vihet theksi tek respektimi i vendimeve të drejtësisë dhe një gjykimi pa ndërhyrje politike.
“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”-shkruan kryeministri.
Edi Rama tani është i çliruar nga akuza se po pengon drejtësinë dhe ndoshta së shpejti do tundë edhe hipotezën se ndërkombëtarët nuk ka pse të kenë më asnjë alibi për të mos hapur negociatat. Sa i takon Prokurorisë së Re, ajo kishte kërkuar burg pa afat për ish-zyrtarin e Lartë. Ndërsa ambasada amerikane në reagimin e saj arrin në përundimin politik se pandëshkueshmëria në këtë vend ka marrë vend dhe se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në luftën kundër krimit e korrupsionit. Jo vetëm kaq, por ambasada e SHBA e veçon rastin e Tahirit si çështje korrupsioni, e cila do gjykohet drejt. Ambasada amerikane qëllimisht mesa duket po përmend vetëm njërën nga dy akuzat për Tahirin, atë të korrupsionit pasiv dhe jo atë për bashkëpunim ne trafikun e drogës.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”
Akuza ndaj ish-ministrit të Bredshëm është ajo e ngritur në tetor të vitit të kaluar për trafik të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Lëvizja e Prokurorisë për Krimet e rënda vjen pas mbërritjes së pergjigjeve të lëtër-porosive të dërguara në Itali dhe Greqi. Në këto materiale ka prova të reja mbi aktivitetin e klanit Habilaj dhe rolin që ka patur ish-ministri në mbeshtetjen e ketij grupi. Përgjigje kanë sjelle dhe autoritet greke ku Prokuroria e Krimeve të rënda kërkoi verifikimin e disa levizjeve që Tahiri ka kryer atje. Në këtë vend sipas prokurorisë dyshohet se Saimir Tahiri është takuar me Artan Habilaj ku ka udhetuar edhe me audin e famshem me targa AA 003 GB.
Add new comment