Dekonspirohet darka private në rezidencën e Erdogan

E enjtja e kësaj jave ishte një nga ditët që kryeministri nuk u shfaq në media, përveç urimit për ditën e Sulltan Novruzit dhe fotografi nga përmbytjet në Shkodër që sipas tij tregojnë se shteti është në krye të detyrës.
Lodhja e rrugës së kthimit nga Brukseli ku kryeministri deklaroi se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave mund të ishte një nga arsyet e mungesës, duke marrë parasysh faktin që zoti Rama nuk e ka praktikë bashkëbisedimin me gazetarët për të dhënë shpjegime mbi takimet në selinë e Bashkimit Europian.
Një dilemë të cilës i dhanë fund mediat turke të cilat raportuan për një takim të kryeministrit shqiptar me presidentin Erdogan në Stamboll. “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur në një takim nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Dy liderët janë takuar në rezidencën presidenciale Tarabya në Stamboll”- shkruan , raporton Anadolu Agency (AA).
Pas qarkullimit të lajmit në media, kryeministri Rama doli me një status në twitter ku foli për një darkë pune me presidentin Erdogan.
Add new comment