Facebook merr atributet e një Kishe online: Lajme të mira, burime të besueshme dhe komunikim
Facebook njofton se ka bërë tre ndryshime të rëndësishme që prekin News Feed – pra shpërndarjen e lajmeve në timeline e përdoruesve gjatë muajit janar.
Ndryshimi i parë është ai që i jep prioritet lajmeve lokale. Sipas logjikës së Facebook, synimi është që të rritet ndërveprimi mes njerëzve dhe platforma e Zuckerberg merr kështu atributet e një Kishe të re të Komunikimit, që u rrëfen njerëzve udhën e duhur. Një mënyrë është pra të promovohen lajmet lokale, të zonës.
Si bëhet kjo dhe si e cakton Facebook se kush janë lajme lokale për një përdorues? Me gjasë nga Like për faqet që përcjellin të reja nga fshatra, apo bashki, si dhe nga fakti se Facebook të identifikon vendndodhjen. Përtej aspektit shumë të rëndësishëm se ky është një përdorim cinik të dhënash, morali i “Fjalës së Mirë” që pretendohet nga Facebook, bie ndesh me praktikën tjetër se kjo përvojë e përdoruesit administrohet nga z. Zuckerberg edhe për të bërë pop up – shfaqje pulsuese të reklamave të ndryshme. Rrjeti social në fjalë hamendëson çdo gjë për përdoruesit duke i konsideruar ata qenie inerte dixhitale, like i të cilëve është si deklaratë bankare.
Ndryshimi i dytë është se marrin më shumë shpërndarje lajmet e ardhura nga burimet e besueshme. Facebook ka vlerësuar në bazë të vëzhgimeve të vetat se disa faqe apo publikues nuk janë të besueshëm. Për këtë arsye, Facebook, duke menduar për të mirën e Njerëzimit, ka menduar që t’i japë përparësi lajmeve nga burime të besueshme.
Dhe e treta edhe më tragjikja në komedinë e vet është vendimi që Facebook ka marrë për mbarë njerëzit se ata duhet të komunikojnë, të socializohen me njëri – tjetrin.
“Facebook është i shqetësuar për përvojën online të përdoruesve dhe mirëqenien e tyre. Studimet kanë treguar se ndërveprimet e vërteta mes miqve promovon mirëqenien. Publikuesit dhe marketuesit duhet të krijojnë pastime që do të gjenerojnë diskutime të ndërsjella mes përdoruesve të Facebook, si p.sh fjalimi i fundit i Oprah Winfrey-t në Golden Globe”, raporton “wallaroomedia”.
Ndryshimet të kësaj natyre dhe kjo dërdëllitje moralizuese në fakt nuk merr në konsideratë atë tjetrën, apo e fsheh qëllimisht, se kur paguan për lajmet, Facebook i shpërfill të gjitha këto kërkesa dhe pretendime për ta bërë njerëzimin më të mirë dhe u hyn në derë të shtëpisë të gjithë përdoruesve duke u vënë në xhamin e dritares dixhitale banerin që do.
Për vende si Shqipëria, apo një brez të saj, është shumë e qartë se çfarë do të thotë kur një ent i madh, apo një institucion do të të tregojë se çfarë është e mirë apo e keqe për ty, se çfarë është çensura dhe kujdesi për “ta ruajtur shoqërinë nga veset e huaja”, pasi kjo praktikë nuk është asgjë më pak sesa një censurë për të mbyllur mundësitë që ofron rrjeti social për të sfiduar dominimin e një establishmenti që nuk po di të vetëpërkufizojë veten në një botë të re.
Add new comment