Debati polako-izraelit që po rikthen emocionet e LIIB
Legjislacioni i ri polak që e shpall si antiligjore fajësimin e shtetit polak për veprimet e kryera në kuadër të Holokaustit ka provokuar debate shumë të mëdha në arenën ndërkombëtare. Bashkimi Europian i ka kërkuar Polonisë që të anullojë ligjin për shkak se ai përmban frymë antisemitiste. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki shkoi më tej kur tha se gjatë Holokaustit kishte patur bashkëpunëtorë hebrenj po aq sa edhe polakë, një akuzë që duket se kërkon të rishkruajë një paradigmë morale që rrodhi nga Lufta e Dytë Botërore. Është një moment kthese në rendion e vlerave të Europës, mess ë cilës ka përherë e më shumë njerëz që nuk pranojnë më përgjegjësinë e krimeve të ndodhura gjatë LIIB. Situata duket shumë paradoksale për shkak se ndërkohë që ky debat zë fill në fakt në debatet e zjarrta të viteve ’70 të gjeneruara nga historianë si Ernst Nolte, ato morën tjetër tonalitet në vitin 2015 kur kryeministri izraelit Beniamin Netanyahu, deklaroi në prani të kancelares Merkel se Hitlerit ia kishte mbushur mendjen për vrasjen e hebrenjve myftiu i Palestinës, Haj Amin al-Hussein, një deklaratë absurde që u hodh poshtë aty për aty nga Merkel.
Në vazhdën e këtyre debateve që po e mbulojnë Europën me përgjegjësinë e detraktimit të një historiografie që mendohej se përfaqësonte një hierarki vlerash dhe normash përveçse një të vërtete, gazeta e majtë izraelite, “Haaretz” ka publikuar së fundmi një editorial me autori kryeredaktorin e versionit anglisht, Burston Bradley që akuzon hapur Poloninë për një lojë me të cilën nuk mund të gënjejë njeri. “Askush nuk harron asgjë”, thotë Bradley në video-opinionin që përcjell një shqetësim serioz për atë që po fermentohet në tokën e vjetër të gjithë ideve kriminale, por edhe ideve më të larta të historisë së njerëzimit. Ai akuzon edhe lituanët, rusët, urkainasit dhe polakët që u bënë aleatë në krim të nazistëve gjermanë që ideuan dhe vunë në jetë një industri asgjësimi sistematik të jetës njerëzore. “Kjo nuk mund të lahet…E vërteta nuk ndryshon”, shton më tej Bradley.
Duhet thënë se në komentet poshtë videos opinionet janë shumë të ndara. Shumë prej komentuesve, me gjasë polakë, mbrojnë vendin e tyre, apo më mirë, versionin e tyre të historisë.
Çështja është simptomatike. Për tema të ngjashme ka konflikte emocionale të ndezura mes kroatëve dhe serbëve, apo edhe rusëve dhe ukrainasve për Holodomorin e viteve ’30. Është ironike të konstatosh sesi Perëndimi akzuon Rusinë se financon parti të ekstremit të djathtë për të destabilizuar establishemin liberal të Europës, ndërkohë që vetë Rusia mbron rendin e dalë nga Lufta II Botërore duke evicentuar përherë mohimin që i bëhet historisë nga krahu i djathtë. Rasti i Polonisë, me një nacionalizëm që po keqkuptohet jashtë kufijve është ndoshta shenja se diçka e thellë nuk shkon në BE, se sfida e përkufizimit të Europës, e cila linte përherë jashtë Ballkanin, është e ndërlidhur me një tjetër sfidë, atë të qëndrueshmërisë së vlerave që rrjedhin nga mësimet e një historie shumë të përgjakur dhe me krime të paprecedenta në mënyrën e konceptimit.
Add new comment