Seksi në Europën mesjetare*
Në imagjinatën popullore historia e seksit është e thjeshtë. Për shekuj me radhë, njerëzit në Perëndimin Kristian jetonin në një gjendje represioni seksual, të shtrënguar nga një frikë përmbytëse nga mëkati, kombinuar me një mungesë të plotë njohjeje për trupin e vet.
Ata që nuk përmbushnin standardet morale që kisha, shteti dhe shoqëria kërkonte për ta, përballeshin me izolim dhe ndëshkim. Pastaj në mesin e shekullit të 20-të gjërat ndryshuan përgjithnjë, kur sipas fjalëve të Philip Larkin, “interkursa seksuale nisi në vitin 1963…mes fundit të ndalimit të Chatterley dhe LP-së së parë të Beatles”.
Në realitet, historia e seksualitetit njerëzor është shumë më interesante dhe e egër. Shumë presupozime për jetën seksuale të paraardhësve tanë mesjetarë, bazohen në besimin e gabuar se ata jetonin në një epokë të pasofistikuar të fanatizimit fetar dhe injorancës mjekësore. Ndërkohë që idealet kristiane ndikuan me të vërtetë zakonet mesjetare për seksin, ato ishin shumë më komplekse nga sa na sugjerojnë paragjykimet e sotme. Besimet kristiane ndërvepronin me teoritë mjekësore për të ndihmuar në formësimin e ideve të sofistikuara dhe befasuese rreth seksit dhe një game të gjerë të praktikave të ndryshme seksuale, shumë më para sesa revolucioni seksual.
Rasti i klerikut francez Arnaud de Verniolle(Arno de Vernual) ilustron sofistikimin e seksualitetit mesjetar. Një ditë në fillim të shekullit të 14-të, kur Arno ishte student, ai pati marrëdhënie seksuale me një prostitutë. Disa vjet më vonë, ai e rrëfeu këtë gabim para Inkuizicionit duke shpjeguar se:
Në atë kohë po digjnin lebrozët, unë jetoja në Tuluzë; një ditë unë shkova me një prostitutë. Dhe pasi e kryeva këtë mëkat fytyra ime nisi të enjtet. U tmerrova dhe mendova se kisha marrë lebrën. Që nga ai moment u betova se në të ardhmen nuk do të flija më kurrë me një femër.
Tregimi i Arno nuk është i pazakonshëm. Shumë burra të Mesjetës e gjenin veten me simptoma të padëshirueshme pas një vizite në bordello dhe ia atribuonin gjendjen e tyre të rënduar sjelljes seksuale. Mes mrekullive mjekësore që i atribuohen Shën Thoma Beketit, p.sh, ishte edhe kura e Odo de Beaumont, që u prek nga lebra menjëherë pas një kontakti me një prostitutë në fund të shekullit të 12-të.
Është bërë shumë për të krijuar bindjen e prirjes mesjetare që interpretonte sëmundjen si pasojë të mëkatit. Shumë. Shumë. Në fakt, prirja mesjetare për ta parë sëmundjen si mëkat seksual nuk bazohej vetëm në gjykime morale – kishte edhe element të fortë mjekësorë.
Shqetësimet për transmetimin seksual të sëmundjes përmes prostitutave, shpesh adresoheshin në një mënyrë tërësisht racionale. P.sh, disa herë, autoritetet lokale ndërmorën masa parandaluese: një paketë rregullimesh nga shekulli I 15-të në Southwark i dëbonte femrat e prekura nga një “sëmundje djegëse”(ndoshta gonorea) nga bordellot lokale. Më tej akoma, shqetësimet e popullsisë së Southwark kishin premisa në teoritë mjekësore.
The Prose Salernitan Questions, një tekst mjekësor i shekullit të 13-të, shpjegonte sesi një femër mund të shmangte dëmtimet pas interkursës me një lebroz, por se dashnori i saj i radhës kishte për ta marrë sëmundjen: ftohtësia e lëkurës së femrës nënkuptonte se fara e lebrës do të mbetej në mitrën e femrës ku do të kthehej në avuj mbetjesh të prishura. Kur penisi i mashkullit të shëndetshëm do të vinte në kontakt me këtë avull, nxehtësia e trupit të tij do të mundësonte absorbimin përmes poreve të hapura. Shumë shpejt në gjenitalet e tij do të shfaqeshin plagë, që më pas do të përhapeshin në të gjithë trupin. Brenda kontekstit të ideve mjekësore të kohës, frikërat e Arno pas takimit të tij, kanë shumë kuptim.
Për fat të mirë të tij, dhe të shumë të tjerëve, shpesh ishte e mundur për ta trajtuar lebrozën e transmetuar seksualisht. Mjeku anglez i shekullit të 14-të , Xhoni i Gadezdenit sugjeronte masa të shumta mbrojtëse për një mashkull që kishte patur raporte seksuale me një femër që mendonte se ishte lebroze. Ai duhet të pastronte sa më shpejt penisin e tij, qoftë edhe me urinën e vet apo me uthull dhe ujë. Më pas ai duhet t’i nënshtrohej një gjakderdhjeje masive te një flebotomist, pasuar nga trajtim tremujor purifikimi, me pomadë, vajra dhe mjekim.
Nëse këto masa profilaktike nuk do të kishin sukses, atëherë pacienti mund të kishte nevojë për një nga shumë ndërhyrjet për gjenitalet e fryra, me krruajtje dhe të qelbëzuara, që gjendeshin në traktatet dhe koleksionet me receta.
Përmbledhja e shekullit të 12-të, Trotula, sillte raste të burrave që “vuanin nga enjtja e penisit, me shfaqje në të apo në lafshë, të shumë vrimave dhe ku kishte dëmtime”. Këta burra duhet të përdornin kompresa me medikamente që të reduktonin enjtjen. Më pas, “ne e lajmë zonën ulçeroze, apo lëkurën e lafshës me ujë të ngrohtë dhe spërkasim mbi pluhur katrani grek me dru të kalbur të tharë apo krimbash, trëndafilash, lëpushka dhe boronicë”.
Preparate të këtilla ishin padyshim të pakëndshme, por ndërhyrjet kirurgjikale të rekomanduara nga krirugu anglez i shekullit të 14-të, Xhoni i Ardernës, ishin me të vërtetë brutale. Në një nga rastet e regjistruara prej tij, “penisi i burrit nisi të entjej pas interkursës, për shkak të rënies së spermës së tij, e cila e bënte të kishte dhimbje të ngjashme me djegien, e fortë sikur atëherë kur njerëzit janë të plagosur keq”. Arderne e trajtoi këtë individ fatkeq duke i prerë mishin e nekrotizuar me një thikë dhe duke përdorur gëlqere të pashuar – një proces që duhet të ketë qenë jashtëzakonisht i dhimbshëm, por që mesa duket përbënte një kurë.
Edhe “Trotula” si Arderne përshkruajnë simptoma që na sugjerojnë se kemi të bëjmë me sëmundje sekusalisht të transmetueshme dhe Arderne bën lidhje të drejtpërdrejtë mes interkursës seksuale dhe simptomave të pacientëve. Gjithsesi asnjë prej autorëve nuk i identifikon qartë ndërhyrjet e veta si kura për sëmundjet që merren nga kontakti seksual. Personi me penisin e enjtur mund të shikohej nga bashkëkohësit e vet jo si viktimë e një infeksioni, por e abuzimit.
Mjekët e Mesjetës e shikonin seksin më shumë si problem real mjekësor. Urtësia konvencionale rrëfente se shumë fisnikë kishin vdekur si pasojë e teprimeve seksuale. Xhoni i Gauntit, duka i parë i Lankasterit në shekullin e 14-të, thuhet se vdiq nga kalbëzimi i gjenitaleve dhe trupit të tij shkaktuar nga frekuentimi i femrave, pasi ai ishte kurvar i madh”.
Sot, simptomat e tij dëshmojnë për sëmundje veneriane, por bashkëkohësit e tij ndoshta kanë gjetur ngjashmëri me rastin e Ralfit, konti i Vermanduasë. Ky fisnik francez i shekullit të 12-të ishte martuar për herë të tretë kur u sëmur rëndë. Gjatë trajtimit të tij, ai u këshillua nga mjeku i vet se duhet të hiqte dorë nga interkursa, por e shpërfilli këtë paralajmërim. Kur mjeku zbuloi nga urina e Ralfit një gjë të tillë, ai e këshilloi atë të bënte gati shtëpinë, sepse do të vdiste brenda tri ditësh – një prognozë që rezultoi e saktë.
Sipas kuptimit mesjetar për trupin, bazuar në sistemin e katër lëngjeve(gjaku, gëlbazë, lëngu i zi i mëlçisë(tëmthit) dhe lëngu i verdhë), këto sjellje të njeriut përfaqësonin problemet. Sistemi i lëngjeve derivonte nga ideja se shëndeti bazohej mbi një ekuilibër lëngjesh dhe sëmundjesh që gjeneronin inbalancën. Gjendjet e balancuara mundësonin një shëndet të mirë, përmes shkarkimit të lëngjeve të ndryshme truporë përfshirë spermën. Për këtë arsye interkursa e rregullt seksuale ishte pjesë e një jete të shëndetshme për shumicën e njerëzve, por moderimi ishte kyçi i saj. Seksi i ekzagjeruar do ta shteronte trupin; në rastet më serioze do të kishte pasoja fatale, siç ishte ai i Kontit Ralf
Nga ana tjetër, autoriteti mjekësor mesjetar konsideronte se marrëdhënie të pakta seksuale përfaqësonin një problem: abstinenca martesore dhe seksuale ishte potencialisht e dëmshme për shëndetin, sidomos për të rinjtë. Një beqari e gjatë do të thoshte prodhim dhe mosshkarkim i një sasie të shtuar sperme, që do të ndikonte te zemra, e cila nga ana e vet mund të dëmonte pjesë të tjera të trupit. Personi që abstinonte mund të përjetonte dhimbje koke, ankth, humbje peshe dhe në rastet më serioze, mund të vdiste. Ndonëse beqaria vlerësohej shumë si një virtyt shpirtëror në shoqërinë mesjetare, në terma mjekësorë absitenca ishte po aq rrezik sa edhe shthurja.
Mbreti Luigj VIII i Francës, p.sh, këmbëngulte që t’i mbetej besnik ndaj gruaj së tij teksa luftonte në Kryqëzatën e Albigensës në vitet 1209-1229. Opinioni i përgjithshëm ia atribuon vdekjen e tij abstinencës, duke e bërë atë viktimën më të famshme të saj. Sipas poetit norman të shekullit të 12-të Ambroz, nga abstinenca ka patur shumë viktima:
Nga uria dhe sëmundja
Më shumë se 3000 ranë
Në rrethimin e Akrës dhe në qytet
Por sipas rrëfimeve të pelegrinëve unë po them
Njëqind mijë burra ranë atje
Sepse femër me dorë nuk kishin prekur.
Për dashurinë e Zotit ata u përmbajtën
Nuk do të kishin ikur nga kjo botë
Nëse nuk do të abstinonin.
Për shumicën e kryqtarëve, abstinenca seskuale(kryesisht) ishte një inkoveniencë e përkohshme, që do të zgjaste deri sa të ktheheshin në shtëpi ku do të ribashkoheshin me gratë e tyre. Por për shumicën e priftërinjve të Europës mesjetare, abstinenca seksuale ishte një gjendje e përjetshme dhe kjo mund t’i vendoste ata para një zgjedhjeje të vështirë. Doktori i Tomas Beketit i kërkoi që ky t’i jepte fund abstinencës për të mirën e shëndetit të vet, duke i shpjeguar se pezullimi i marrëdhënieve seksuale për të gjithë jetën, nuk përputhej me moshën dhe gjendjen e tij, por shenjtori e refuzoi këshillën e tij. Beketi jetoi për shumë vjet pas kësaj(dhe në fund vdiq si martir në duart e një vrasësi) por peshkopë të tjerë ishin më pak fatlumë se ai. Një arkidhjak i panjohur i shekullit të 12-të në Luven, që ishte përpjekur për një kohë të gjatë që të abstinonte u ngrit në detyrën e peshkopit kundër dëshirë së tij. Për një muaj ai hoqi dorë nga të gjitha aktvitetet seksuale por shumë shpejt gjenitalet e tij nisën të enjten dhe ai sëmuër rëndë. Familjarët dhe miqtë i kërkuan që të shkonte fshehurazi me një femër, por ai ishte i vendosur që t’i rezistonte tundimit. Brenda disa ditëve ai vdiq.
Abstinuesit e tjerë, jo shenjtë, që përballeshin me sfidën e abstinencës tentonin që të kuroheshin. Morrisi, një peshkop i shekullit të 11-të në Londër, pëshpëritej se ishte këshilluar nga mjekët e tij që “të kujdesej për shëndetin e trupit të tij duke çliruar lëngjet e tij”, dhe se do ta zgjaste jetën e vet duke thyer betimin për abstinencë.
Të tjerë, duke shpresuar se nuk do të përballeshin asnjëherë me këtë situatë të vështirë, adoptonin sjellje(bazuar në teoritë mjekësore) që besohej se mbronin shëndetin e një mashkulli abstinues duke promovuar forma alternative të sekretimit.
Teoria e lëngjeve sipas teorisë mjekësore, përcaktonte se të gjitha lëngjet e trupit ishin forma të përpunuara të gjakut dhe se origjina e tyre e përbashkët i bënte ato të pashkëmbyeshme. Për pasojë, flebotomia e zakonshme konsiderohej e domosdoshme për një mashkull anbstinues: gjakderdhjet përdoreshin gjerësisht në manastiret mesjetare për të balncuar lëngjet e murgjve duke minimizuar kështu rrezikun e derdhjes së pavullnetshme të spermës. Lotimi(p.sh lutja me qarje e favorizuar nga individët besimtarë) mund të shërbente po ashtu si një alternativë ndaj interkursës seksuale, me gjakun që në vend se të shndërrohej në spermë mund të prodhonte lotë. Ushtrimet dhe banjoja, të dyja prodhonin djersitje, ishin po ashtu të dobishme për ata që praktikonin abstinencë afatgjatë.
Përveç masave për inkurajimin e sekretimit të tepricave, një mashkull abstinues duhet të tregohej i kujdesshëm për atë që merrte në trupin e tij. Dieta lidhej kështu drejtpërdrejt me shëndetin seksual. Problem ishte i trefishtë.
Së pari, afërsia e gjenitaleve me stomakun donte të thoshte se i pari duhet të ngrohej nga ushqimi dhe vera që ndodhej në të dytin, duke siguruar nxehtësinë që përkufizon trupin e mashkullit dhe që ishte i nevojshëm për prodhimin e spermës.
Së dyti, sperma mendohej se prodhohej nga ushqime të tretura tërësisht dhe me vlera kalorifike si mishi dhe vezët.
Së fundmi, disa ushqime (përfshirë fasulet) prodhonin gazra në shumicë, që nga ana e tyre çonin në ereksion. Të marra së bashku, këta faktorë e bënin abuzimin në tryezëë një problem real për priftërinjtë. Shumë shkrimtarë mesjetarë rrëfenin tregime për murgj që hanin shumë mirë dhe për pasojë përjetonin një dëshirë të fortë për seks, krahas derdhjes së vazhdueshme të spermës.
Nga ana tjetër, dija është pushtet dhe njerëzit e fesë mund të përdornin agjërimin si stategji praktike për të mbrojtur veten nga rreziqet shëndetësore që vinin nga absitennca e urdhëruar nga feja. Një mashkull që donte të shmangte seksin ndërkohë që donte të ndihej mirë, do të këshillohej të agjëronte rregullisht dhe që të ushqehej në bazë të një diete që konsistonte kryesisht në ushqime të ftohta dhe pije që “pengojnë, shtypin dhe trashin spermën dhe eliminojnë epshin”. Peshku i kriposur, perime të marinuara me uthull dhe uji i ftohtë mendoheshin se ishin ushqime veçanërisht të përshtatshme për murgjit.
Më tej akoma, disa shkrimtarë mesjetarë rekomandonin anafrodiziakë për meshkujt që dëshironin të shmangnin interkursën seksuale. Mjeku i shekullit të 11-të, Konstandin Afrikani, rekomandonte lëngun e hidhur të një shkurre që ishte e gjelbër gjatë gjithë vitit. “Duke pirë këtë lëng”, shkruante ai, “do të thahej sperma dhe do të vritej dëshira për interkursën”.
Dy shekuj më vonë. Pjetri i Spanjës(i vetmi mjek praktikant që u bë Papë) rekomandonte po ashtu këtë shurup; një tjetër mënyrë ishte që të pihej lëng zambaku për 40 ditë.
Maino de Maineri(një mjek i shekullit të 14-të, punëdhënësit e të cilit përfshinin edhe dy peshkopë) këshillonte anafrodiziakë në veprën e tij Regimen Sanitatis: një njeri që donte të shuante epshin duhet të përdorte gjëra të ftohta si thjerrëzat dhe lëngu i tyre i ftohur me fara lulelakre, lëng zambaku, fara dhe lëng maruleje të marinuara në uthull dhe po ashtu fara bërdullaku. Të ishe i shëndetshëm dhe të abstinoje ishte e vështirë, por për ata që dëshironin të jetonin një jetë ku kënaqësia kryesore ishte lutja dhe lëngu vegjetal, kjo nuk ishte e pamundur.
Ndonëse rastet më të famshme të vdekjes nga abstinenca kanë të bëjnë me klerikë meshkuj, femrat ishin, në mënyrën e tyre, po aq të ekspozuara ndaj këtij problem mjekësor. Sipas teorisë mjekësore të kohës, të dyja sekset prodhonin farë që ishte e nevojshme për konceptimin – dhe njësoj si sperma, fara e femrës kishte nevojë të nxirrej jashtë trupit gjatë interkursës seksuale.
Në një femër që nuk ishte seksualisht aktive fara do të qëndronte brenda trupit të saj dhe ndërsa zhvillohej, do të shkaktonte asfiksim të mitrës. Simptomat e kësaj gjendjeje përfshinin të fiktin dhe frymëmarrje të shpeshtë dhe në rastet më serioze mund të ishte fatale. Për femrat, njësoj si për meshkujt, mënyra më e mirë për të shmangur vdekjen nga abstinenca ishte martesa dhe marrëdhënia e rregullt seksuale me burrin, siç ishte sanksionuar nga Kisha. Nëse kjo nuk ishte e pamundur kishte disa metoda të dobishme, përfshirë dieta të kufizuara dhe suposte uthulle. Disa mjekë, gjithësesi, rekomandonin një alternativë shumë më befasuese: masturbimin.
Nuk është e çuditshme që Kisha mesjetare adoptoi një vështrim të zbehtë mbi këtë praktikë: shumica e librave mesjetarë të pendesës e identifikonin masturbimin si mëkat dhe impononin dënime të rënda për të – tipike ishte agjërimi 30 ditor, por disa herë edhe dy vjet. Në anën tjetër, masturbimi ishte zakonisht nga fundi i hierarkisë së mëkateve seksuale dhe konfesorëve u lejohej të falnin ata(përfshirë të rinj të pamartuar) që nuk kishin mundësi tjetër për të shfryrë dëshirat e tyre. Ky paralajmërim reflekton dijeninë nga Kisha të mësimeve mjekësore të kohës: ishte e pamundur të injorohej fakti që autoritetet mjekësore që nga koha e Galenit të Pergamonit e më tej, rekomandonin masturbimin si një formë të mjekësisë parandaluese, si për meshkujt ashtu edhe për femrat.
Mjekë të mëvonshëm mesjetarë rrallë shpreheshin aq qartë sa Galeni dhe të tjerë njerëz të antikitetit. Librat e mjekësorë të mesjetës së vonë, rrallë përmendnin masturbimin mashkullor. Për femrat që nuk kishin raporte seksuale të rregullta, ata ofronin një larmi trajtimesh përfshirë stimulimin e gjenitaleve(qoftë nga pacienti apo edhe nga një mjek profesionist). Trajtime të tilla ishin veçanërisht të përshtatshme për femra që vuanin nga asfiksia e mitrës. Nëse një femër e tillë nuk mund të martohej(ps.h për shkak se ishte murgeshë) dhe nëse jeta e saj ndodhej në rrezik real, atëhëre masazhi i gjenitaleve mund të ishte e vetmja zgjidhje dhe mund të kryhej pa mëkatuar. Mjeku anglez i shekullit të 14-të, Xhoni i Gadezdenit mendonte se një femër e tillë duhet të përpiqej të kurohej përmes udhëtimeve, ushtrimeve dhe mjekimit. Por nëse “ajo kishte gjendje të fikëti, duhet të fuste një gisht të lyer me vaj zambaku, dafine, apo livando në mitër dhe ta lëvizte me forcë”.
Të tjerë shkrimtarë që shkruanin për mjekësinë, përfshirë klerikët, i bënin jehonë mësimeve të Gadezdenit. Frati domenikan i shekullit të 13-të, Albertus Magnus, shkroi gjerësisht për shëndetin e njeriut. Ai arsyetonte se disa gra e kishin të nevojshme “të përdornin gishtat apo mjete të tjera deri sa kanalet e tyre të hapeshin dhe nga nxehtësia e fërkimit dhe penetrimit lëngu të dilte jashtë dhe me të nxehtësia”.
Alberti mendonte se një mënyrë e tillë veprimi jo vetëm do të zgjidhte problemet shëndetësore të femrës, por gjithashtu do të ulte dëshirën e tyre për interkursën seksuale, derisa “kofshët e e tyre janë ftohur dhe janë bërë më të dëlira”. Mendimi se masturbimi i femrës mund të parandalonte më pak forma të pranueshme sociale të aktivitetit seksual femëror, ndihmoi disa ekspertë mjekësorë mesjetarë që ta toleronin atë.
Njësoj sikurse me interkursën seksuale masturbimi duhet të shijohej në mënyrë të moderuar. Aleberti tregonte për një murg epshor që pësoi një fund jo të mirë: kishte “dëshiruar” një grua të bukur 70 herë përpara lutjes së mëngjesit dhe kishte vdekur. Autopsia tregoi se truri i tij ishte reduktuar në përmasën e një shege ndërsa sytë e tij ishin shkatërruar. Mënyra e vkekjes së tij reflektonte një nga realitetet e tmerrshme të jetës mesjetare: mëkati ishte vetëm një nga shumë rreziqet e lidhura me seksin.
Shumë përpara se sifilizi të arrinte në Europë në fund të shekullit të 15-të për shëndetin seksual kishte vëmendje të madhe. Prostitutat dhe klientët e tyre mendohej se ishin një rrezik për marrjen e lebrozës, një mundësi kjo e frikshme për Arno dhe shumë të tjerë. Por sëmundja ngjitëse nuk ishte problemi i vetëm. Arno betohej se ai nuk do të flinte kurrë me një grua tjetër, por ai nuk hoqi dorë nga seksi. Në të vërtetë ai pranonte se “në mënyrë që t’i përmbahesha këtij betimi, unë nisa të abuzoja me djem të vegjël”.
Kjo zgjidhje ishte po aq e pështirë dje sa edhe sot. Ajo reflektonte po ashtu besimin e përhapur gjerësisht se aktiviteti seksual i një lloji ishte një nevojë mjekësore për shumë të rritur dhe i bënte jehonë frikës se abstinenca klerikale do të detyronte prftërinjtë të prekeshin nga i njëjti ves. Kur vinte puna te seksi, njerëzit e mesjetës përballeshin me një dilemë: si të ruanin ekuilibrin turpor vital pa e ekspozuar veten qoftë ndaj sëmundjes, apo mëkatit? Rënia e mjekësisë së lëngjeve dhe ndryshimet në besimet fetare kanë eliminuar disa prej anktheve që mundonin Arnonë dhe njerëzit në Mesjetë. Por jo gjithçka ka ndryshuar. Diskutimet për seksin ende vijojnë të zhvillohen rreth pyetjeve për shëndetin, trysinë sociale dhe preferencës personale. Njësoj si në Mesjetë, seksi në shekullin e 21-të mbetet po aq problem sa edhe kënaqësi.
*Titulli dhe përshtatja shqip nga ResPublica
Burimi: https://aeon.co/essays/getting-down-and-medieval-the-sex-lives-of-the-mi...
Add new comment