Pezullohet Shteti Federal në SHBA, dështon ligji për buxhetin
Vetëm një vit pas inaugurimit të Donald Trump në presidencën amerikane, Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt pezullimit të disa agjencive federale pas refuzimit nga senati të një projekligji për financimin e buxhetit. Republikanët, që kanë 51 vende në senatin 100 vendesh nuk arritën t'i bindin demokratët që të bëjnë 60 votat e nevojshme për për financimin e shtetit federal deri më 16 shkurt.
Paraliza e shtetit federal "ishte 100% e pashmangshme", tha shefi i senatit republikan Mitch Mcconnell. Ai shtoi se do të përpiqet të mbajë një tjetër votim mbi financimin e përkohshëm të shtetit federal deri më 8 shkurt. Ndërsa kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer vuri në dukje se ka pasur një projekt-marrëveshje mbi emigracionin dhe financimin e përkohshëm të shtetit federal, por Trump "nuk ushtroi presion mbi partinë e tij që ta pranonte atë."
Megjithatë kreu i demokratëve tha se do të vazhdojë të kërkojë një marrëveshje dypartiake dhe i kërkoi presidentit amerikan të thërrasë një takim tashmë të jashtëzakonshme me drejtuesit e të dyja partive në të dyja dhomat e Kongresit për të gjetur një kompromis.
Demokratët kanë thënë se nuk do të bien dakord për të votuar një projekt-ligj në qoftë se nuk do të marrin garanci për vazhdimin e programit Daca për emigrantët që kanë arritur në SHBA, kur kanë qenë të mitur. Në bazë të këtij programi, ata mund të punojnë dhe të studiojnë pa rrezikuar dëbimin.
Efektet e para të mbylljes pritet të ndjehen të hënën. Funksionimi i shumë agjencive federale, të tilla si ato ekonomike, do të kufizohen. Shërbimet e sigurisë zakonisht nuk ndikohen, ndërsa 1.4 milion ushtarakë amerikanë do të vazhdojnë operacionet e tyre pa u paguar. "Vendi u themelua nga gjenitë, por po qeveriset nga idiotë", tha senatori republikan i Luizianës, John Kennedy.
"Gjërat duken keq," tha Tramp, pak para se të fillonte votimi në Senat. Presidenti amerikan, i cili fillimisht kishte planifikuar të shkonte në rezidencën e tij luksoze në Florida, përfundimisht qëndroi në Uashington. Ende nuk ka komentuar rezultatet e votimit. Përveç miratimit të një buxheti më të përkohshëm, republikanët duan të adoptojnë dhe buxhetin final për vitin 2018, e cila do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, një angazhim zgjedhor i presidentit Trump.
Add new comment