George Blake: Kalova me sovjetikët kur pashë konfliktin e tmerrshëm korean
Mediat dhe institucionet ruse i kanë kushtuar vëmendje 95 vjetorit të George Blake, ish – agjenti i njohur i Luftës së Ftohtë, I cili kaloi në bashkëpunim me sovjetikët në vitet ’50. Agjencia “Tass” njofton se drejtori i shërbimit inteligjent të jashtëm rus, Sergey Naryshkin, ka uruar agjentin i cili mbush 95 vjeç dhe ka 52 vjet që jeton larg vendit të tij, Britanisë së Madhe.
“Blake ja dedikoi të gjithë jetën mbrojtjes së idealeve të humanizmit dhe drejtësisë”, shkruan Naryshkin në mesazhin e tij. Me këtë rast televizioni kombëtar Rossiya 1 do të përcjellë një intervistë ekskluzive me të. Vetë Blake, i dënuar me 42 vjet burg në Britani dhe arratisur me ndihmën e disa të burgosurve anglezë, thotë se ishte Lufta e Koresë ajo që theu besimin e tij dhe përcaktoi vendimin për të kaluar me sovjetikët.
“Ishte atëherë që kuptova se konflikte të tilla janë të mbushura me rrezik vdekjeprurës për të gjithë njerëzimin dhe mora vendimin më të rëndësishëm të jetës sime. Nisa bashkëpunimin aktiv dhe pa asnjë kërkesë financiare me sovjetikët me synimin e mbrojtjes së paqes në botë”, citohet ai.
Blake, i lindur në vitin 1922, në Roterdam, si George Behar, kaloi me sovjetikët kur ra në burg në Kore, ku ndodhej si rezident I shërbimit britanik. Atij i atribuohet informacioni për operacionin Gold, që konsistonte në përgjimin e shtabit sovjetik në Berlin duke ndërtuar një tunel të nëndheshëm.
U zbulua në vitin 1961 dhe u ekspozua nga agjent polak.
Add new comment