Kushtëzime para takimit të Kretës

Postuar në 04 Nëntor, 2017 14:26

Në Greqi duket se raportet me ShBA-në po njohin ngritje dhe njësoj siç veprohet në Shqipëri nga klasa politike, përpjekja për ta kapitalizuar mbështetjen amerikane nuk mungon. 
Në planin shtetëror Greqia mund të shpresojë dhe po e përcjell këtë bindje të vetën si mbështetje të madhe për disa nga problemet me fqinjët. Nuk është rastësi që pas marrëveshjes së Tsipras për bazën e Soudas, presidenti turk, Erdogan ka njoftuar vizitën e tij në Greqi pas afërisht një muaji. Të dyja vendet kanë probleme të mëdha dhe presidenti turk ka shkuar larg duke kërkuar rishikimin e Traktait të Lozanës. 

Nevojën dhe garancinë për këtë mbështetje amerikane për Greqinë e ka rinënvizuar sot përmes një shkrim në gazetën “Kathimerini”, deputeti i Demokracisë së Re, Vassilis Kilias, të cilin media në fjalë e prezanton si ministri i Mbrojtjes në Hije. 

Teksa bën një rezume të raporteve greko-amerikane dhe rolit të partisë së tij në përcaktimin e Greqisë drejt Perëndimit, Kilias shkruan ndër të tjera se ndihma amerikane për mbrojtjen e interesave greke do të jetë kyçe në fusha të energjisë, migracionit, Qipros dhe zonave detare. 

Shqipërisë në këtë kuadër i intereson shumëçka për të lexuar lëvizjet që po ndodhin dhe të kuptohet përcaktimi i qeverisë sonë. E cila aktualisht duket se ka raporte formalisht të mira me Maqedoninë apo Malin e Zi. Në një plan afatshkurtër, me interes është i ashtuquajturi takim i Kretës mes ministrave Kotzias dhe Bushati. Ky i fundit ka bërë të ditur se pala shqiptare këkon një marrëveshje të re për detin, ndërkohë që edhe Kotzias ka deklaruar se pritet të diskutohen një sërë çështjesh. Por është e vështirë që në kontekstin ku vepron Greqia në Mesdhe, të shkohet drejt një marrëveshjeje në themel të re. dhe Athina ka disa karta të reja përveç situatës së re ku ndodhet.

Pak ditë më parë, ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu tha se marrëveshja e vitit 2009 nuk ka për të ndryshuar. 

Të jeni i bindur se kjo marrëveshje do të rrijë, mund të lëvizë 2 cm këtu apo aty, por do të rrijë, ishte lojë e Ramës”, deklaroi ai. 

http://shqiptarja.com/m/politike/shehu-pakti-p-r-detin-i-rregullt-do-q-n...

Në mos një informacion që i hidhet publikut, qëndrimi i tij është në fakt një mesazh për palën greke se në Tiranë ka aktorë politikë që janë të gatshëm të negociojnë dhe mos këmbëngulin aty ku qeveria aktuale është përpjekur të luajë bllokazhin. PD-ja ka arsye ta mbrojë marrëveshjen e vitit 2009, ndërkohë që deri më sot, qeveria shqiptare nuk ka sjellë një draft se ku synohet të bëhet korigjimi. 

Por kjo është vetëm njëra çështje. Në tavolinë janë disa. Dhe aksioni diplomatik i PD-së mesa duket synon të këmbejë një kthim te politika e marrëveshjeve nga Tirana me një qëndrim të fortë të Athinës ndaj qeverisë së Edi Ramës. Kauzat për ta bërë këtë janë disa dhe duhet thënë se deklarata e para disa ditëve e Ministrisë së Jashtme greke për çështjen “Tahiri” ishte një sinjal i qartë. 

Qeveria shqiptare nuk është në kushtet kur mund të qëndrojë me këmbëngulje në kërkesat e veta. Ajo nuk gëzon më besimin dhe imazhin e dikurshëm dhe kjo për faj të vet. Që nga shpërthimi i çështjes “Tahiri”, opozita ka sinjalizuar një aksion “bombash” që sidoqoftë e dëmtojnë dhe dobësojnë imazhin e kabinetit. Z. Rama ironizoi këtë koordinim mes PD-së dhe kreut të opozitës greke, duke folur për “Qirje Saliun”, çka në fakt është më shumë propagandë. Paralelisht me këtë ka një përpjekje për të rigjallëruar prezencën italiane, dëshmi e faktit banal dhe tradicional se politika e jashtme e vendit tonë orientohet nga konteksti i raporteve dhe ndikimit të Italisë, Turqisë dhe Greqisë.

Presionet e shumëanshme e kushtëzojnë pra qëndrimin e Tiranës zyrtare në samitin e Kretës, prej nga ku pala shqiptare ka interes të dalë me një rezultat konkret. Që të ndodhë kjo do të duhet të bëhen lëshime, pse kjo është logjika e negociimit, por aty Tirana zyrtare shkon me kredencialet e nacionalistit, si pasojë e politikës mediatike që u ndoq për katër vjet. Pra vështirë se ato që janë lëshime normale në diplomaci, të kapërdihen në Tiranën e politikave me gravura dhe të qeverisjes kuqezi. 

Se çfarë do të arrihet kjo mbetet për t’u parë, por çështja e kufirit detar dhe çështja çame vështirë se do të jenë të kapërcyeshme në këtë takim. Palët duhet të nënshkruajnë Traktatin e Miqësisë dhe Shqipërisë i nevojitet ky dokument njësoj siç veproi Maqedonia me Bullgarinë, apo siç vendi ynë njohu pakicën bullgare. Janë lëshime që orientohen nga kërkesat e integrimit dhe këtu le të kujtojmë sesi Kosovës iu shtua demarkacioni me Malin e Zi si kusht për heqjen e vizave. Karta nacionaliste jo vetëm që është e dëmshme, por ajo krijon iluzione të kota. Po shihet dhe kuptohet qartë se çdo trashje zëri nga politika shqiptare kumbon vetëm kur një dorë e madhe qëndron nga pas. Ky nuk është më rasti dhe situata, të paktën në raport me Greqinë që ka ripërtërirë diçka që nga rrëzimi përdhe në vitin 2008.

Comments

Submitted by Anonym (not verified) on

""Ky nuk është më rasti dhe situata, të paktën në raport me Greqinë që ka ripërtërirë diçka që nga rrëzimi përdhe në vitin 2008.""

Brockulla ala cart. Politika Shqiptare qofte Pozita apo Opozita duhet te punojne se bashku per krijimin e nje shteti te forte te se drejtes Ligjore ne perputhje te plote me politikat e brendeshme e te jashtme europiane.
Persa i perket gjitonit nuk do ta mundoja mendjen time fare per oreksin e tij.....
Ai eshte aq i semure sa nuk ha dot as ato qe ja vene ne goje gjysem te pertypura. Problemi qe shoh eshte se semundja e tij eshte ngjitese prandaj eshte e domosdoshme nje distance e shendeteshme prej tij, gje qe nuk e keni arritur akoma.
Ketu do te jemi e do ta shohim qe 2008 ishte vetem nje paralajmerim serios per krizen e re finanziare qe fare pak chanse ka te manaxhohet me sukses. Kjo nuk eshte fantazi por nje realitet i hidhur. 2022.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.