Nën mbrojtje politike direkte
Kryeministri ka zgjedhur të hapë ditën e tij të komunikimit dixhital me një video të postuar dje në profiling Facebook të Sajmir Tahirit. Një video metaforike për të vërtetën siç e shohin dhe e kërkojnë Tahiri me të vetët. Ky është mesazhi direkt i mbrojtjes së ish-vartësit, duke njoftuar në distancë prokurorinë se për çështjen “Tahiri” pushteti politik po invstohet tërësisht. Loja e vogël e kryeministrit vjen pak orë pas intervistës së ish-ministrit të Brendshëm, të cilën me siguri, z. Rama e lexon, dëgjon dhe kupton ndryshe nga të tjerët.
Njësoj si Sali Berisha në rastin e procesit gjyqësor ndaj Ilir Metës, edhe kryeministri aktual po luan fijet për të marrë në mbrojtje një person që përndryshe duhet të lihet nën gjykimin e drejtësisë. Le të mbajmë parasysh se z. Tahiri e përcolli me një të qeshur ironike pyetjen për fundin e karrierës së tij, duke kujtuar se “karriera nuk mbyllet me urdhër”.
Mes nevojës dhe ndoshta edhe detyrimit për të mbrojtur ish-vartësin dhe domosdoshmërisë për të qëndruar sa më larg perceptimit se po ndikon, kryeministri ndodhet sot në një pozicion jokomod, por që na dëshmon se ai ka zgjedhur. Ose rrethanat e kanë detyruar të zgjedhë. Larg statusit për “një dry të shtrembër”, e ca më larg akoma gjoja dilemës nëse “Sajmiri është i pafajshëm apo jo”, sot kreu i qeverisë ka vendosur të vendoset në krah të bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, qëndrim që ndoshta thjesht dhe vetëm përkon me mesazhet e këtij të fundit në intervistën dhënë mbrëmë.
Add new comment