Jashtë loje
Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri është shfaqur sot në emisionin “Opinion” për të bërë mbrojtjen e tij para asaj që mund të quhet pretenca e opinionit publik dhe akuzave që janë qarkulluar rreth tij së fundmi. Teksa ka hedhur postë të gjitha akuzat me karakter penal si njohja me Habilajt, bashkëpunimi apo mbrojtja e tyre, çështjen e makinës, Tahiri ka artikuluar mesazhe politike që jo rrallë i kanë shpëtuar përmes luhatjeve të mëdha si person dhe si njeri.
“Më intereson vetëm im bir. Nuk dua t’ja di për gjë tjetër”, u shpreh në një moment emocional ish-ministri I Brendshëm.
I vënë në një seancë pyetjesh mbi atë që po ndodh, mbi rolin e ndërkombëtarëve, apo aktorëve politikë që po luajnë skenarin e ndëshkimit dhe likujdimit të tij politik, qëndrimi i Tahirit përcjell dy aspekte.
I pari është me karakter informues. Ilir Meta duket se figuron në perceptimin e tij si armiku kryesor, me gjasë njeriu që qëndron pas këtij inskenimi. Më tej akoma, ish-ministri ka deklaruar se janë 30 deputetë të Parlamentit të “opozitës së sotme dhe të djeshme” që kanë dalë me makinat e tyre në kufi në shoqëri të njerëzve me precedentë penalë. Këtu nis e përfundon konfirmimi që merr opinioni mbi faktin se në luftën për pushtet Meta është politikani që ka dhënë goditjen dhe se politika gëlon nga njerëz të krimit.
Aspekti i dytë është shërbimi ndaj interest publik. Është njerëzore të thuash se “më intereson vetëm im bir”, por është pjesë e përgjegjësisë tënde edhe ndaj djalit që të mbrosh dhe zbulosh të vërtetën që në këtë rast z. Tahiri deklaroi se do ta mbrojë deri në fund, por hapur dhe duke e bërë atë pjesë të dijenisë publike.
Ish-ministri nuk sqaroi se cili është qëndrimi i kryeministrit, roli i tij në këtë histori, se përse u la ai i vetëm në këtë betejë, përse u largua nga detyra dhe u la jashtë qeverisë. Duket se Tahiri ka preferuar të kodojë gjuhën një ditë përpara se të dalë para Komisionit Parlamentar që do të shqyrtojë kërkesën për arrestimin e tij, për të cilin u shpreh i bindur se do të ndodhë.
Tërthorazi ai ka pranuar se rol në këtë që po ndodh kanë edhe amerikanët, kur foli me rezerva dhe pa dëshirë për ambasadorin amerikan, Lu.
“Nuk kam besuar se problemet e Shqipërisë mund të zgjidhen nga të huajt”, tha ai.
Më tepër sesa politikani u shfaq pra njeriu që pikërisht pse përpiqet të kërcëojë pohon deri diku faktin se dosja e tij është hapur dhe aty brenda ka shumë njolla.
Kush dëgjoi intervistën e këtij ish-ministri kuptoi mesazhin se: po, ky titullar ministrie ka qenë i implikuar dhe jo pak në problemet për të cilat akuzohet. Se mbi të rëndojnë zullume jo të vogla, që e rëndojnë pozitën e tij aktuale, politike dhe penale, njerëzore dhe partiake. Dhe ky implikim që buron edhe nga gabimi politik i kësaj qeverie që mandaton ministra fuqiplotë, prodhon një faturë që nuk paguhet dot as nga miqësitë politike dhe as nga mbrojtje të tjera. Të cilat z. Tahiri siç u shpreh sot nuk i ka, pasi sipas tij “unë nuk zgjodha të bëj miq në politikë, por të bëj detyrën”.
Por këtij vetëpërufizimi për efekt mediatik i mungon koherenca: në fund të fundit, një ministër që bën detyrën ndëshkohet me largim nga detyra nga kundërshtarët e bezdisur dhe jo me hapje dosjeje. Edhe po të pranojmë se Ilir Meta është aktori që qëndron pas sulmit të sotshëm, e bashkë me të edhe Sali Berisha, këtu ministri i dikurshëm duhet të na sqaronte se cilat interesa ka prekur tek Meta, i cili pati si armik dhe rival, Edi Ramën. Cilat ishin interesat e mëdha që detyruan Edi Ramën ta largonte Tahirin dhe të mos e përfshinte atë në qeveri edhe pas fitores së 25 qërshorit? Për cilat arsye z. Tahiri do të duhej të goditej kështu?
“Do të vijë dita që unë do të merrem me këta që janë armiq të mitë”, tha më tej Tahiri. Është e qartë se lënda e parë e kërcënimit reaktiv që po përdoret sot është po ajo lëndë që po vepron kundër tij. Dosje e pse jo përgjime të cilat atij ja mundëosnte detyra e për të cilat është folur jo pak në medi.
Në këtë kontekst, tingëllon patetike dhe e pabesueshme vetë-viktimizimi i z. Tahiri se është goditur pse nuk funksionoi sipas parimeve të “regjimit të korridoreve të politikës”. Është e vështirë të besohet kjo, sikundër roli prej luftëtari kundër establishmentit që paralajmëroi ish-ministri kur tha se “do të përballem në mënyrë spektakolare me llumin e politikës”. Jashtë formatit, qëllimeve por edhe mundësive të tij kjo gjë që ngjan pak komike.
Në fund të fundit, superministri mund të thuhet se po dilte jashtë kontrollit dhe atë me gjasë nuk e mbronte dot dhe as e largonte dot as Kryeministri, i cili në një koniunkturë të caktuar e shiti. Dhe ky moment kërkon analiza të tjera për të vlerësuar me kthjelltësi moralin e rekrutimeve në një parti politike, krijimin e karrierave dhe mandej praktikën bizantine të heshtjes dhe fshehjes, traditë në PS. Padyshim, ky është skandal shumëdimensional, i cili në planin afatshkurtër i jep përfitime politikës, por në një kuadër më të gjerë ka gjymtuar funksionimin e shtetit si të tillë dhe përgënjeshtron atë fabulën e integrimit dhe të Europës që mbahet gjallë nga një elitë politike që është në fakt Mafia e vërtetë e këtij vendi.
Add new comment