Në Butrint ka ndërtim dhe jo rehabilitim
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro i ka vënë detyrë vetes të bindë njerëzinë se në Butrint “nuk po ndërtohet asgjë”. Se aty po zhvillohet një mjedis ekzistues, “një gati kasolle” që t’u shërbejë turistëve që lodhen duke ecur. E pyetur sot nga Top-Channel, ministrja ndër të tjera tha:
“Ajo ndodhet në një nga pikat interesante ku pasi vizitori ka bërë rreth 1 orë e 40 minuta itinerar shëtitës dhe është vbetëm rehabilitimi i kësaj godine për të mos e lënë bosh, por ta kthejmë në këtë pikë shërbimi për nevojat e turistëve, duke patur parasysh numrin e madh të tyre, që janë rreth 156 mijë vizitorë deri më tani për 2017.
Ministria e Kulturës nuk ka në kompetencë të saj as të bëjë restorante, as kafe dhe ne nuk kemi as kamarierë dhe as kuzhinierë. Ne në park kemi restauratorë, mirëmbajtës, arkeologë. Në të gjitha vendet kjo bëhet me burime të jashtme, sikurse bëhet me muzetë apo parqet arkeologjike, sikurse është investim i subjektit që do të bëjë menaxhimin dhe do të paguajë edhe qiranë për periudhën e kontratës dhe më pas i ngelet parkut si një pikë shërbimi dhe më pas vendoset më tej se çfarë do të bëhet. Ajo që biem dakord të gjithë është që ka nevojë për një shërbim të tillë për një zonë aq të madhe dhe për të mos e lënë në dorë të shitësve ambulantë të pakontrolluar dhe të paformalizuar dhe sidomos duhet që të kontrollohet. Kjo është pjesë e paketës për Butrintin, pas tualeteve dhe biletarisë elektronike”.
Pse duhet të biem dakord kur kemi përvojën tonë të mjaftueshme që na tregon tjetër gjë?
Turistët në Butrint nuk i sheh kurrë duke u ulur të lodhur apo të drobitur, por duke bërë fotografi dhe duke ecur në një zonë që është edhe një minipark natyror mbuluar me pemë dhe gjelbërim. Butrinti nuk e lë njeriun të lodhet, edhe kur e viziton për herë të parë, edhe për herë të dytë, edhe për herë të tretë. Edhe kur vizita aty është zakon i një jete. Aty ai që kthehet ka arsye të vetat që vetëm me salçiçet, apo kafenenë nuk kanë të bëjnë.
Këto gënjeshtra të atij që është kapur në flagrancë janë për të ardhur keq, sidomos kur lexon se Kumbaro është edhe profesore e asociuar. Dhe është akoma më për të ardhur keq, kur zonja ministre vazhdon të flasë për materiale të lëvizshme si xham dhe dru, ndërkohë që nuk lejon askënd të filmojë dhe kur nga ato filmime gjysmë të fshehta që kanë dalë, rezulton përdorimi i BETONIT.
Meqë ministres nuk i pëlqejnë kritikat e medias, duhet t’i kujtojmë se edhe kolegu i saj socialist, Auron Tare, deklaronte sot se ndërtime të kësaj natyre nuk janë të mira në një zonë si Butrinti(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=366188&ref=ngj).
Ministrja përsërit e përsërit se “nuk ka ndërtim, por rehabilitim”( http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=366186&ref=ngj), por si mund të quhet rehabilitim në një Park Arkeologjik, transformimi i një godine ku mbaheshin veglat e punës së restauratorëve dhe arkeologëve në kafene, apo pikë shitjeje sallamesh? Dhe si mund ta përkufizosh këtë jashtë kuadrit ligjor, apo duke luajtur me përcaktimet ligjore?
Miza në kësulë ka nisur të bëjë zhurmë dhe ministres është mirë t’i kërkohet llogari deri më një për këtë shqetësim shumë të madh që ka krijuar. Nuk ka shpjegim tjetër për këtë prezantim kaq të dobët për një ndërhyrje nëse do të ishte e rregullt dhe konform ligjit. Një argument më shumë që hedh poshtë pretendimin e ministres është edhe vendimi i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë që flet për NDËRTIM pëveçse rehabilitim.
Add new comment