Odiseja e “Rrugës me Palma” e sintetizuar në shprehjen popullore “prish tenxhere e bëj kanoçe”

Postuar në 27 Qershor, 2015 02:09

“Rruga me Palma” ka shkaktuar një goxha zhurmë të madhe ditët e fundit. U mbollën palmat për bukuri. Tani ato do të shkulen se na u dashka zgjeruar rruga. Pastaj palmat do të rimbillen. Demek, hap gropa... mbyll gropa... Në gjuhën popullore kjo sintetizohet edhe me shprehjen e famshme “prish tenxhere e bëj kanoçe”. Keni gjë me palmat?! S'na e do mendja. E kur të përfundojë projekti me siguri rruga hyrëse e Tiranës nuk do dallojë nga ajo e Los Anxhelosit. Drita e palma pa fund. Nuk ka problem se sa është gropa që hapet në buxhetin e shtetit. Njerëz jemi, edhe gabime do bëjmë.

Ndërkohë në një kronikë të transmetuar nga “Tv Scan” thuhet se tenderi për zgjerimin e superstradës Tiranë­ Durrës është publikuar që më 4 Dhjetor 2014. http://scan-tv.com/v/index.php/kryesore/13910.html Dokumenti zyrtar i vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, tregon se një grup operatorësh ekonomikë, pjesëmarrës në tenderin për studimin dhe projektimin e rrugës, e kanë ankimuar vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që shpallte fitues të këtij projekti kompaninë italiane “SPEA Ingegneria Europea” me një fond limit prej 252 milion lekësh, me pretendimin se procedura e prokurimit ka qenë jo e rregullt. “Tv Scan” raporton se ankimimi është depozituar më datë 24 Prill 2015, pranë autoritetit kontraktor, në këtë rast, Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili ka dhënë përgjigje refuzuese nga pas 6 ditësh. Më pas ankimimi është depozituar pranë Komisionit tё Prokurimit Publik. Pas shqyrtimit të ankesës së bërë nga operatorët ekonomikë, Komisioni i Prokurimit Publik, i përbërë nga katër anëtar, më 8 Maj të këtij viti ka vendosur refuzimin e saj, duke i hapur rrugë italianëve për të vijuar procedurën e prokurimit për projektin e zgjerimit të aksit Tiranë­Durrës. Në dokument thuhet se kundër këtij vendimi, mund të bëhet ankim në gjykatën përkatëse për shqyrtimin e mosmarrëveshjes administrative.

 

l.v

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.