Pabesia e Veliajt, banorët e Shkozës përplasen te ambasadori i SHBA
Historia përsëritet, kur s'ka më asnjë shpresë se shteti shqiptar mund të ofrojë zgjidhje dhe të bëjë drejtësi qytetarët e këtij vendi shkojnë aty ku janë përplasur sa herë halli i tyre nuk është halli i qeverisë apo bashkisë. Ashtu si Filedzja që kërcënohej me jetë nga ish-bashkeshorti i saj dhe nuk ndjeu asnjë mbrojtje nga institucionet, edhe banorët e Shkozës të cilët janë rrethuar nga fadromat iu drejtuan për ndihmë ambasadorit amerikan, Donald Lu.
Pasi morën përgjigjen "harbute" të kryeministri Rama se banesat do të shemben, ata i shkruan një letër ambasadorëve të ShBA e BE, ku theksojnë dhunën e ushtruar nga policia e shtetit dhe mosgatishmërinë e institucioneve për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët.
Janë 153 familje që preken nga projekti i zgjerimit të Rrugës se Shkozës, të cilët kanë dalë në një protestë të dytë, pas asaj më 14 shtator, ku bllokuan rrugën. Projekti është i ARRSH-së dhe zhvendosja e tyre mund të jetë ose konform procedurave, këtë mund ta zgjidhë gjykata, por ajo që komplikon situatën është premtimi i Erion Veliajt, Sajmir Tahirit dhe Elona Gjylametit gjatë fushatës se banorët do të legalizonin banesat e tyre, duke i këshilluar të mos dilnin nga shtëpitë. Projekti do quhet një tjetër histori suksesi e Erion Veliajt që me financime dhe projekte të qeverisë i autorizon vetes transformimi të mëdha. Në letrën dërguar ambasadorëve, banorët thonë se nuk janë informuar zyrtarisht mbi këtë situatë.
Letra
Theksojmë se nxitësi i përshkallëzimit të kësaj situate ishte vetë policia e shtetit, e cila nuk kurseu grushtat dhe shkelmat për të gjithë banorët, duke arritur deri në shoqërimin e minorenëve në Komisariatin nr.1.
Çfarë kërkojmë ne është shumë e thjeshtë, të trajtohemi si qytetarë normale të një vendi që pretendon të futet në Bashkimin Europian. Ajo çfarë na është ofruar në mënyrë joformale deri më tani, kredi e butë dhe banesa me qira, nuk përmbush aspak kërkesat dhe nevojat tona, detyrimin që ka shteti ndaj dhe nuk i përafrohet sadopak premtimeve të bëra.
Ne si banorë nuk jemi kundër zhvillimit urban të zonës, por as nuk pranojmë të hidhet poshtë gjithë djersa dhe mundi ynë prej vitesh të tëra.
Pasi kemi trokitur në të gjitha dyert e institucioneve shtetërore dhe nuk kemi marrë asnjë zgjidhje, mendojmë se mundësia e vetme për ne është ndërhyrja nga ana juaj. Ndaj, lutemi të përdorni çdo ndikim të mundshëm ndaj autoriteteve shqiptare, në mënyrë që ato të reflektojnë pozitivisht dhe të na japin zgjidhjen e duhur.
Add new comment