Pse Rama e nis programin me “çekun bebe”?

Postuar në 12 Shtator, 2017 16:57
Zamir Alushi

Mundësi të barabarta për secilin, zhvillim ekonomik dhe social shumë më domethënës për njeriun e zakonshëm”, kjo është një frazë e shprehur dje në Kuvend nga kryeministri Edi Rama, në prezantimin e programit ekonomik. Këtu të vjen në mend një personazh i romanit të George Orwell, “Animal Farm”, që thotë se “disa janë më të barabartë se të tjerët”. Mund të mos e marrësh seriozisht një program qeverie, por kryeministrin Rama, që është një lider socialist, herë-herë as i majtë, as i djathtë, duhet analizosh se çfarë flet, sepse mes rreshtave mund të mësosh se ku fle djalli. Ajo që bie në sy në prezantimin e Ramës është fakti se nuk ndryshon politika në shpërndarjen e të ardhurave. Pabarazia e parë, te bebet. Këtë e pranon kryeministri, që thotë se do t’i japë në kohë “çeqet për bebet”. Një shpjegim dinak i kryeministrit për të prekur të rriturit, që këta të shpërqendrohen dhe të harrojnë pozitën e pabarabartë të tyren, si prindër, si individë, si konsumatorë.

Pabarazia në konsum, si reflektim i të ardhurave

Ajo që fshihet pas fjalëve duket te konsumi i popullatës dhe më tej reflektohet tek shtresëzimi social. Kur ata që qeverisin nuk e vënë re se sa i thellë është bërë hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, atëherë pasojnë trazirat sociale, emigrimet masive, marrin terren ekstremet politike dhe afron anarkia. Në fund e ka radhën diktatura për të ruajtur të pandryshuar gjendjen e pakicës që ka në dorë pasuritë dhe pushtetin. Sipas raportimit në Kuvend, në fillim të vitit 2017,  të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, 4 për qind e individëve depozitues, në vitin 2016,  zotëronin 45 për qind të totalit të depozitave me një vlerë prej 503 miliardë lekësh. Edhe Banka Botërore në studimet e saj të fundit për rajonin thekson se, në Shqipëri ka një rritje të pabarazisë për shkak të politikave të ndjekura në vite dhe si pasojë e krizës ekonomike. Një studim i publikuar sot nga Banka e Shqipërisë, “gjen një koeficient Gini për të ardhurat prej 0,403% dhe një koeficient Gini për shpenzimet prej 0,371%, dy vlera të cilat sugjerojnë se sjellja e shpenzimeve është e ndikuar nga të ardhurat. Pabarazia thellohet duke llogaritur vlera të dekompozuara të koeficientit për komponentët e shpenzimeve totale (Studim i autores Ola Çami, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë). Në Shqipëri, sipas Bankës së Shqipërisë, 78% e shpenzimeve totale i referohen shpenzimeve në bazë të familjeve. Komponentët e veçantë të shpenzimeve si argëtimi, transporti, mobiliet dhe pajisjet përbëjnë një pjesë shumë të vogël të shpenzimeve mesatare të familjeve. Mund të shohim se argëtimi, i cili siç e përmendëm përbën vetëm 3% të shpenzimeve totale, ka një koeficient elasticiteti ndjeshëm më të lartë se 1, duke treguar se ky mall konsiderohet një mall luksi. E njëjta gjë vlen dhe për mobiliet dhe pajisjet shtëpiake, transportin, alkoolin dhe duhanin. Dekompozimi i koeficientit sipas kategorive të caktuara të të mirave dhe shërbimeve jep më tepër informacion për pabarazinë, fuqinë blerëse dhe konsumin.

Varfërimi i familjeve për shkak të politikave  

Punësimi, arsimimi, shërbimi shëndetësor, aksesi në shërbime për plotësimin e nevojave jetësore, si për shembull uji, janë burim pabarazie, në radhë të parë, për shkak të politikës së qeverisë. Duke iu referuar shpjegimeve në Kuvend, Kryeministri vazhdon të mbajë të lartë optimizmin për krijimin e vendeve të punës. “E kemi ne në dorë të rrisim volumin e investimeve, duke mos e rritur, por duke e ulur borxhin; të kapërcejmë nivelin 5% të rritjes ekonomike në vitin e tretë të këtij mandati; të krijojmë mundësi për 220 mijë vende pune më shumë në librat e llogarive të shtetit; të rrisim përsëri rroga e pensione në harkun e katërvjeçarit”, deklaron Rama.  

Shtesat e pensioneve në masën e ngritjes së inflacionit, kryeministri i quan rritje. Ndërsa formalizimin e punëtorëve që janë në të zezë, e quan hapje e vendeve të reja të punës. Lidhur me shëndetësinë, kryeministri tha se “për kujdesin shëndetësor të do të arrijmë në 60-65% të shpenzimeve të përgjithshme për shëndetësinë, një shifër që, për kujtesë, e gjetëm vetëm 43% në vitin 2013 dhe të sigurojmë që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të shpenzimeve për kujdes shëndetësor”. Pra, bie premtimi për një shëndetësi falas. ‘Sot ka një pjesë shumë më të konsiderueshme të kujdesit shëndetësor pa pagesë sesa ç‘kishte 4 vite më parë”, tregon Rama arritjen e deritanishme. Ndërkaq, të vetmet kategori  që do të fitojnë rritje pagash janë mjekët që shkojnë të punojnë në rrethe dhe mësuesit. Një produkt tjetër, që varet direkt nga politikat e qeverisë është uji i pijshëm. Uji është një premtim i të gjitha qeverive. Rama angazhohet të furnizojë me ujë të pijshëm 75% të gjithë territorit. Pra në 25% të territorit kemi mungesë uji, ose shtim të kostove familjare për blerjen e tij.

Mbijetesa dhe minimumi jetik

Sa para duhen që të mbijetojë njeriu në këtë xhungël ekonomike? Të gjitha qeveritë shqiptare i shmangen kësaj pyetjeje sepse nuk duan të paguajnë asistencë, pensione, ndihmë për shtresat në nevojë në kufijtë e minimumit jetik. Edhe Rama ecën në këtë traditë. Pasi ka hedhur në kosh një iniciativë të deputetëve të LIBRA-s, në legjislaturën e kaluar, për detyrimin e llogaritjes së minimumit jetik nga qeveria, Rama i shmanget sërish, nje pyetjeje të bërë nga opozita. Me cinizëm, kryeministri ngatërron minimumin jetik me “paratë e fshehura”, që s’kanë lidhje me problemin.

Në fakt nuk ka patur një përllogaritje zyrtare të minimumit jetik në Shqipëri sepse përllogaritja do marrë për bazë disa indikatorë që janë të lidhur me punësimin, me zhvillimin ekonomik, me asistencën sociale dhe mbi të gjitha duhet të marrë për bazë pjesën e fshehur të parasë që paguhet, por nuk deklarohet dhe ne këtë e dimë shumë mirë, që është një fenomen me të cilin kemi marrë disa masa në letër për t’u marrë shumë seriozisht”, deklaron Rama. Konkluzioni përmbledhës për programin Rama, mbështetur sa më sipër, është se asgjë e re nuk do të ndodhë.

"TemaTv"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.