Axhendë e një “kryetari” jo mision i një opozite
Ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike thuhet se kanë përpiluar një raport për zgjedhjet e 25 qershorit. Publikimi përkon me largimin e tyre nga detyra, një akt që konfirmon se perspektiva e bashkëqeverisjes ashtu siç e premtonte Lulzim Basha më 18 maj nuk qëndron më. Në raport flitet për banda të armatosura, blerje masive vote e të tjera tregime zgjedhore shqiptare, të zakonshme në 27 vjet. Opozita formale e Shqipërisë i ka njohur zgjedhjet dhe po ikën nga pushteti ku kërkoi të ngecte, me një përpjekje për të njollosur zgjedhjet. Të cilat sigurisht që kishin probleme, por jo se evidentimi i tyre është sot qëllim i PD-së.
E vërteta politike që rrjedh nga interpretimi i veprimeve politike të kësaj partie, është se ajo po kërkon t’i vërë kapak humbjes poshtëruese me alibinë e zgjedhjeve të vjedhura. Ky është kulmi i budallallëkut, në kushtet kur po kjo parti konsideron votimin si detyrim ligjor, pasi pa se u la në baltë nga 200 mijë vota që i ka patur të vetat. Sigurisht është gjë e mirë dhe e dobishme që të zbardhësh problematikën zgjedhore, por e bërë kjo nga një grup që ka qenë në qeverisje, jo vetëm që nuk ndërton dot alibinë e humbjes për shkak të deformimit, por të implikon me përgjegjësi. Lulzim Basha duket se po vepron i detyruar nga rrethanat ku futi veten. Ai po kërkon të nisë mandatin e ri opozitar me një dokument që e ka shkruar vetë e të cilin do ta tundë në Parlament si të vërtetën ku do të kacavirret ulërima e tij moralizuese. Nuk është çudi që Parlamenti i ri të transformohet në një çadër të re ku trioja Rama-Berisha-Basha do të lodhin kokën e njerëzve edhe për katër vjet.
Ky nuk është misioni i një opozite. Kjo është axhenda e një të ashtuquajturi kryetar në hall të madh. E një vule që po vazhdoi kështu do lërë gjurmë boje vetëm në xhepin e xhaketës së Bashës. Misioni i një opozite nuk konfirmohet tek instrumentalizimi, pasi kjo çon në angazhime për kauza të rreme. Ai e përdor edhe instrumentalizimin për qëllime të vetat, por kur teza kryesore është e vërtetë. Lulzim Basha dhe Edi Rama janë dy shembuj sesi gabimet dhe paaftësinë e vet përpiqen t’i vetëamnistojnë, fshehin, duke mobilizuar institucionet që kontrollojnë për t’u dhënë pamjen që dëshirojnë. Kjo sjellje gërryese po dëmton vetë sistemin politik, pasi sado të përpiqen tritanët, sajmirët, erjonët dhe edmondët të përlavdërojnë një Lulzim Parimor, apo një Edi vizionar, gabime si këto që janë verifkuar në këto vite, kanë hyrë në rrezen e instinktit të masës, që nuk arsyeton, por e rrok hilenë e dalë boje të këtyre dy tekanjozëve në politikë.
Add new comment