Rënia e Italisë

Postuar në 01 Gusht, 2017 09:50

Ernesto Galli della Loggia shkruan sot një opinion në gazetën “Corriere della Sera” për situatën gjeopolitike të Italisë. Pesimizmi është dominues në vendin fqinj, ku prej kohësh ka humbur shkëlqimi i ideve të reja dhe energjia e dëshirës për ndryshim. Një politikë që nuk haset kund në Europë thjesht ka lodhur një shoqëri të tërë. Mirëpo sipas della Loggia, situata e tanishme shtron sfida të reja në një vend që nuk ka më privilegjet e një aleance të fortë siç ishte SHBA në kohën e Luftës së Ftohtë, apo pjesëmarrjen në një sistem të integruar koherent, siç ishte BE-ja deri disa kohë më parë. Për këtë arsye skema orientuese e politikës italiane që ka funksionuar deri më tani, pra rreshtim koniunktural, aleancë me një fuqi të madhe dominuese, apo lojë në një sistem përfshirës, është në fundin e vet.

Della Loggia vë re me të drejtë se në botën e tanishme, madje edhe në Europën e tanishme, pakkush e llogarit Italinë që tërheq me vështirësi statusin e një fuqie të madhe. Më rëndësi ka këtu perceptimi për BE-në, që ende ruan fytyrën e engjëllit të mirë në Ballkan, autori shkruan se unioni po transformohet në një lloj tutori në raport me Italinë, jo domosdoshmërisht dashamirëse. Po me kaq rëndësi është edhe vëzhgimi se Italia, një vend me rreth 70 milionë banorë, ka si problem kryesor mungesën e një plani, një ideje, pra një politike. Kjo epidemi e kotësisë ka mbërthyer gjithkënd, që po e kompenson me një rendje të papërmbajtshme drejt parasë, si objektiv, etikë dhe angazhim.

Vlejmë pak ose aspak kudo dhe nga asnjë prezencë ushtarake nuk jemi në gjendje të marrim një përfitim të vërtetë politik”, vëzhgon autori. Një dobësi organike e një vendi që ka kohë që ja pranon vetes pamundësinë për të përmbushur misionin që buron nga të qenët Itali.

Vetmia në këtë botë, pafuqia që po dëshmohet dhe shpesh vihet në lojë nga më të mëdhenjtë, kthehet në irelevancë.

Në të gjithë skenarët e nxehtë gjeopolitikë që na rrethojnë, nga Ukraina/Rusia në Siri, Irak, në Turqi, shfaqemi në fakt si rimorkio e të tjerëve. Me Egjptin që nga vdekja e Giulio Regenit nuk dimë se çfarë të bëjmë. Mbi çështjen izraelito-palestineze kufizohemi me pjesëmarrjen rregullisht në takimet ndryshime ndërkombëtare nga pozicionet prej Pilati të BE tek ato hapur anti-Semite…Në Mesdhe, madje edhe në Maltë – të cilës i garantojmë pavarësinë me një traktat të posaçëm – nuk arrijmë të kemi edhe ndikimin më minimal…Në BE duket se nuk mund të bëjmë gjë veçse të pranojmë lidershipin franko-gjerman…Në fund në Ballkan vlejmë diçka vetëm në Shqipëri, në pjesën tjetër të rajonit, ku edhe pas vitit 1989 kur kërkuam të kishim ndonjë ndikim, ruli shtypës i ekonomisë dhe politikës gjermane thuajse na nxori jashtë

shkruan autori.

Në mbyllje një ëmbëlsirë tipike italiane, nga ato që shijen e bazojnë te surpriza. Della Loggia e mbyll shkrimin me nënvizimin e një akti që dëshmon mungesë dinjiteti dhe provincializëm nga i cili politika italiane nuk shpëton dot, ndonëse ka patur një De Gasperi dhe një Andreotti, që bënin dallim(Për këtë të fundit madje kur vdiq u tha në shenjë vlerësimi se “kishte të paktën sensin e ironisë”, diçka që e dallon si figurë më e ngritur nga kakarisjet e zhurmshme të pjesës tjetër).

Këto ditë u mbajt në Farnesina takimi periodik i përfaqësuesve tanë jashtë. Mund të mendohet se ishte një mundësi e mirë për të folur me sinqeritetin e duhur për ndonjë nga mijëra problemet e përmendura në këto rreshta dhe për të diskutuar ndonjë linjë të mundshme veprimi. Mirë pra, doni të dini se kush e drejtonte takimin? Ministri ynë i Jashtëm, natyrisht dhe me të presidenti ynë, por në krah të tyre, të ftuar nderi, edhe ministrat e Jashtëm të Francës dhe Spanjës. Është ndonjë që mund të imagjinojë diçka të ngjashme në Paris apo në Madrid?

pyet Della Loggia.

http://www.corriere.it/opinioni/17_agosto_01/paese-senza-alleati-6ee3815...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.