Epilogu i fushatës
Partitë mbyllën zyrtarisht fushatën zgjedhore dhe tashmë gjithçka do të varet nga vota e 25 qershorit. Dilemat janë të shumta nëse masiviteti i mitingjeve të tre partive kryesore do të reflektohet edhe në rezultatin e së dielës. PS kërkon 71 mandate dhe në funksion të këtij qëllimi ka rritur ndjeshëm retorikën nacionaliste dhe luftën kundër LSI-së, çka do të thotë se Edi Rama në këtë garë shesh si kundërshtar partinë e Ilir Metës dhe jo Partinë Demokratike.
Një rritje e LSI-së në kurriz të Partisë Socialiste mund t’i jap shansin asaj të qeverisë me Partinë Demokratike dhe të lerë jashtë loje Partinë Socialiste. Janë domethënse mesazhet e kryeministrit në mitingun përmbyllës në Himarë dhe në Vlorë. Në Vlorë ai sulmoi ashpër LSI-në për herë të parë, duke e quajtur parti të lajthitur. “Je anëtar i LSI? Aq më keq dhe aq më mirë. Lërë sot, tani atë parti. Lërë në lajthitjen e saj dhe mos lajthit bashkë me atë që nëse të kanë dhënë një punë të marri një kuotë mujore nga rroga jote. Nëse ta premtoi një punë sot, të gënjejë sepse çiflik në shtet për ta nuk do të ketë më, edhe sikur deti i skelës do të behet kos. Të ofrojnë hallvë në këmbim të votës, hallvën mos e refuzo, ndërsa votën që ke për Shqipërinë mos e bëj hallvë për tepsinë e tyre”-deklaroi Rama. Ndërsa në Himarë mesazhi ishte për të votuar me sy mbyllur për Partinë Socialiste.
Nga ana e tij edhe Ilir Meta është investuar në një betejë pa kthim për të rrëzuar partinë nga ku iku 14 vjet më parë. Nga Fieri ku mbylli fushatën elektorale ish-kreu i LSI-së u bëri thirrje socialistëve të braktisin Rilindjen dhe tha se marrëveshja me Partinë Demokratike nuk do ta shpëtojë Ramën nga ndëshkimi që shqiptarët do t’i japin me votë në zgjedhje.
“Mavia e tmerruar nga braktisja mbarëpopullore për shak të premtimve të pambajtura dhe pabesisë së pandreqshme besoj e degjuat që dje i beri thirrje PD për ta ndihmuar”- deklaroi Meta. Tensioni është i dukshëm edhe në terren dhe mund të eskalojë në përplasje dhe incidente ditën e zgjedhjeve, por kjo pritet për t’u parë. Lulzim Basha duket se është ai që do të presë se nga do fryjë era për të përgatitur fjalimin e rradhës në funksion të zgjidhjes që do të kërkohet nëse askush nuk do të ketë numrat për të qeverisur bindshëm i vetëm.
Add new comment