Zaev merr detyrën, SHBA përshëndet qeverinë e re
Gati 6 muaj pas zgjedhjeve te parakohshme, Maqedonia ka me ne fund qeverine e re, te votuar me 62 vota “pro” mesnatën e kaluar në parlmanet. Depuetetët e VMRO-se se Gruevskit votuan kundër ndërsa, Levizja Besa e cila refuzoi të bëhej pjesë e koalicionit të ri qeverisës, abstenoi me 5 deputetët e saj. Duke folur para deputeteve ne parlament, Zaev u ndal tek çështja e emrit të Maqedonisë, për të cilën tha se do të ketë referendim. Pa folur në detaje, Zaev shtoi se pjesë e programit janë edhe kërkesat e partive shqiptare.
“Nuk do të ndryshojmë emrin pa referendum për të cilin do të vendosin qytetarët. Emri mbetet shqetësim për ne, megjithatë do kërkojmë zgjidhje dhe jo ta bllokojme çështjen. Pjesë e programit qeveritar janë edhe programet e partive shqiptare dhe partive te tjera. Të gjithë bashkë do të punojmë në realizimin e tyre”-theksoi Zaev në parlament.
Gruevski reagoi duke thënë se do bëjë një opozitë të fortë. Për raportin me shqiptarët ai tha se në 2006 përqindja e shqiptarëve në administratë ishte më pak se 10 për qind, derisa tani arrin diku mbi 20 për qind. Gruevski gjatë fjalimit të tij adresoi lëvdata për protestuesit dhe presidenti i shtetit që nuk pranuan e siç u shpreh ai Platformën e Tiranës.
“Prej nesër LSDM-ja merr timonin e shtetit dhe pas 6 muajve do të fillojnë kritikat ndaj neve përmes të cilave do të mundohen që ta mbulojnë dështimin e tyre”- u shpreh Gruevski.
Departamenti amerikan i shtetit përmes një komunikate përshendeti formimin e Qeverisë së re Maqedonisë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia urojnë kryeministrit Zoran Zaev dhe shumicës në Kuvend formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë. Si mik dhe partner i Maqedonisë, SHBA-ja do të bashkëpunojë me Qeverinë e re në punën e saj drejt përmbushjes së aspiratave euroatlantike me implementimin e reformave urgjente, përforcimin e sundimit të së drejtës, pavarësi gjyqësore, lirinë e mediave dhe përgjegjësinë e Qeverisë”- thuhet në kumtesën e publikuar nga Departamenti amerikan i shtetit.
Dikasteret qe do drejtohen nga shqiptarët
Hazbi Lika, Zëvendës-kryeministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve
Lika që nga viti 2009 nuk ka qenë aktiv as në parti e as në jetën politike. Ai më herët ka ushtruar postin e kryetarit të Komunës së Tetovës. Në vitin 2003 ka qenë zëvendësministër i Brendshëm, periudhë që shquhet për punësimin e policëve shqiptarë me libreza partiake.
Bujar Osmani, Zëvendës kryeministër për euro-integrime.
Osmani kohë të gjatë është zëdhënës i partisë ndërsa paraprakisht ishte Ministër i Shëndetësisë. Osmani përmendej edhe në bombat e opozitës.
Sadulla Duraku, Ministër i Ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor
Duraku është nënkryetari i BDI-së dhe njëherit kryetar i Komunës së Likovës. Paraprakisht Duraku ka drejtuar Ministrinë e Bujqësisë dy vite resht.
Ramiz Merko, ministër pa portofol
Kundër ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Komunës së Strugës, Merko kohë më parë prokuroria ngriti padi për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare.
Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë
32 vjeçari, Bekteshi ka ushtruar funksionin e promotorit ekonomik në Bruksel dhe Bern.
Bylent Salihu, Ministër i Drejtësisë
Salihu fillimisht ka qenë drejtor në NP “Komunale” në Vrapçisht, pastaj drejtor në Inspektoratin e Gjuetisë dhe Pylltarisë të Maqedonisë.
Propozimet e Aleancës për Shqiptarët janë:
Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë
Taravari njihet si ish kryetar i Bordit në Klinikën Universitare për Neurologji, profesor i neurologjisë dhe pediatrisë, anëtar i bordit të revistës mjekësore “Vox Medici” dhe revistës ndërkombëtare mjekësore “Medikus”.
Suhejl Fazliu, Ministër i vetëqeverisjes lokale
Fazliu ishte konsulent i pavarur në E-qeverinë, shërbime për vetëqeverisje lokale për më shumë shtete, konsulent i pavarur në E-Tregti, shërbime për ndërmarrje publike për më shumë shtete; konsulent i pavarur për teknologji informatike dhe ëeb aplikacione për kompani të ndryshme.
Add new comment