Basha kërkoi takim politik në DASH
Lulzim Basha ka kërkuar një takim urgjent me përfaqësues politikë të Departamentit Amerikan të Shtetit, pas deklaratës së 20 prillit të zv. sekretarit për çështje politike në DASH, Tomas Shannon. Shannon u kërkoi partive opozitare që të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit-deklaratë që e shtyu Bashën ta akuzojë zyrtarin amerikan si mbështetës të Edi Ramës, raporton BIRN.
Në dy kërkesa të bëra nëpërmjet lobistit të Partisë Demokratike në SHBA “Barnes & Thornburg LLP,” Basha dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kanë kërkuar një takim 20 ose 30 minuta me zyrtarë të Departamentit të Shtetit në datat 27-28 prill ose 2-3 maj, për të diskutuar mbi integritetin e procesit zgjedhor në Shqipëri.
“Zëvendës sekretari Tom Shannon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbështeti përpjekjet e Edi Ramës për t’u rizgjedhur, duke u shprehur që zgjedhjet duhet të mbahen ashtu siç ishin parashikuar – pa përmendur vështirësitë e lidhura me manipulimet,” shkruan lobisiti i Bashës. “Kjo mbështetje e pakualifikuar e procesit zgjedhor nga Shannon nuk merr parasysh vështirësitë e krijuara nga manipulimi,” thuhet në kërkesën për takim.
Në letrën që i dërgohet DASH, shpjegohet se Basha ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike në Tiranë për të mbikëqyrur zgjedhjet e 18 qershorit nga frika se paratë dhe ndikimi i entiteve në aleancë me Sorosin që mbështesin qeverinë e Edi Ramës ‘do të kompromentojnë zgjedhjet’. Këto zhvillime shpjegojnë edhe takimin e një dite më parë të ambasadorit amerikan me kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu, pas të cilit ambasadori amerikan nuk dha prononcim.
Add new comment