Hua e re prej 500 milionë eurosh përmes emetimit të Eurobondit. Ministria e Financave: “Me interes më të ulët sesa 7.5%”
Qeveria parashikon të marrë një hua të re prej rreth 500 milionë eurosh, përmes emetimit të Eurobondit. Në këtë kuadër është depozituar nisma ligjore në Parlament, në të cilën sqarohet se interesat do të jenë më të ulëta se 7.5% që ishte interesi i Eurobondit të vitit 2010. “Emetimi i Eurobondit në vitin 2015 nuk do të sjellë rritje në nivelin e borxhit, pasi zëvendëson një borxh ekzistues me një tjetër më të favorshëm përsa u përket rreziqeve dhe kostos. Nga vlerësimet paraprake të bankave ndërkombëtare pritet që eurobondi i ri të merret me një normë interesi ndjeshëm më të ulët se 7.5%. Emetimi i këtij instrumenti është në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave. Eurobondi do të jetë me madhësi 300 ose 500 milionë euro dhe me maturim 5 ose 7-vjeçar. Dalja e Shqipërisë sërish në tregjet ndërkombëtare të kapitalit pas 5 vjetësh mungese është një sinjal mjaft pozitiv për sa u përket kredencialeve të vendit tonë, përmirësimit të imazhit dhe rritjes së besimit të investitorëve”, thuhet në relacionin e projektligjit.
http://www.parlament.al/web/pub/relacion_eurobondi_procedure...
s.z
Add new comment