Media, rol strategjik në përballjet e sotme Perëndim-Lindje*

Postuar në 27 Dhjetor, 2016 16:49
Dr. Peter Roell

Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Gjermani e përkufizon kështu migracionin:

Migracioni ndodh kur një person ndryshon vendndodhjen e rezidencës së zakonshme. Migracioni ndërkombëtar ndodh kur kjo lëvizje zhvillohet përmes kufijve kombëtarë”.

Lufta Hibride është përkufizuar nga Parlamenti Europian si më poshtë:

Luftë Hibride është situata në të cilën një vend përdor në mënyrë të qartë forcat e armatosura kundër një vendi tjetër apo një aktori joshtetëror, si masë shtesë e mënyravë te tjera(ekonomike, politike dhe diplomatike)”.

Personalisht përkufizimi i mëposhtëm më duket për nga thellësia e tij më bindës:

Luftë hibride është një kombinim i metodave  konvencionale, të parregullta dhe asimetrike, përfshirë manipulimin e vazhdueshëm të konfliktit politik dhe ideologjik dhe mund të përfshijë kombinimin e operacioneve speciale, forcave ushtarake konvencionale agjentëve sekretë, provokatorëve politikë, përfaqësuesve të medias, intimidimit ekonomik, sulmeve kibernetike, grupeve të afiluara, paramilitarëve, terroristëve dhe elementëve kriminalë

Kërcënimet hibride janë shpesh të përfshira në konfliktin aktual në Ukrainë dhe në fushatën e udhëhequr nga i ashtuquajturi “Shtet Islamik” në Irak dhe Siri. Do të doja t’i kthehesha luftës hibride të Rusisë në Ukrainë. Në analizën e tij “Kriza në Ukrainë – Shfaqja e Luftës Hibride” – koloneli Thiele – referon fjalimin e mbajtur nga gjenerali Valery Gerasimov, shef Shtabi i Federatës Ruse, në takimin vjetor të Akademisë Ruse të Shkencave Ushtarake në janar të vitit 2013. Fjalimi i tij është me të vërtetë domethënës dhe shumë ndihmues për të kuptuar qasjen ruse ndaj luftës hibride. Po kufizohem duke cituar tre pasazhe të shkurtra nga leksioni i mësipërm:

Rregullat më elementare të luftës kanë ndryshuar. Roli i metodave joushtarake në arritjen e qëllimeve politike strategjike është rritur dhe në shumë raste ka tejkaluar fuqinë e forcave të armatosura në raport me efikasitetin e tyre…

Fokusi në metodat e aplikuara të konfliktit është tjetërsuar për t’u zhvendosur drejt një përdorimi më të gjerë të masave joushtarake politike, ekonomike, informatike, humanitare etj. – të shfrytëzuara këto në koordinim me protestat e popullsisë.

Veprimet asimetrike janë përhapur shumë, duke eliminuar avantazhet e armikut në konfliktin e armatosur. Mes veprimeve të tilla hyn edhe përdorimi i forcave të operacioneve special dhe opozitave të brendshme për të krijuar një front të përhershëm veprues në të gjithë territorin e shtetit armik, njësoj si veprimet në fushën e informacionit, pajisjet dhe metodat që perfeksionohen vazhdimisht…”.

Shkurtimisht tri janë fazat e luftës hibride të Rusisë që janë identifikuar:

-          Destabilizimi i një vendi përmes nxitjes së konfliktit të brendshëm

-          Kolapsi i shtetit duke rrënuar ekonominë dhe shkatërruar infrastrukturën e tij

-          Zëvendësimi i lidershipit vendas me një tjetër, nën kontroll që vepron si “Shpëtimtar i Kërkuar”(Invited savior).

Në një pikë të caktuar gjatë krizës ukrainase, Rusia kishte më shumë se 55 mijë trupa të pozicionuara në kufirin me Ukrainën. Kur erdhi koha për të mbjellë paqëndrueshmërinë në Ukrainë, në veprim nuk u futën forcat konvencionale, por metodat jorotodokse në një shkallë të caktuar.

Ndërkohë që rebelët e angazhuan dretpërdrejt ushtrinë ukrainase në Donbas, ushtria ruse zhvillonte manovra stërvitore pak metra larg nga kufiri, brenda territorit të Rusisë. Këto stërvitje përfshinin përdorimin e hapësirës, forcat bërthamore dhe ato raketore, forcat speciale dhe njësitë ushtarake konvencionale, sikurse skuadra të operacioneve psikologjike dhe operativëve politikë. Të gjitha degët e ushtrisë ruse dhe shërbimeve të sigurisë u vunë në veprim krahas lidershipit civil. Një analizë më e detajuar e strategjive të luftës hibride ruse, kërkon si parakusht njohjen e objektivave të presidentit Putin në Ukrainë, në Europë dhe në politikën ndërkombëtare. Presidenti i Akademisë Federale për Politikën e Sigurisë(BAKS), dr. Karl – Heinz Kamp, e ka shprehur shkurtimisht këtë çështje në një publikim të akademisë në prill 2016:

“Rusia i është nënshtruar një transformimi të madh në politikën e vet të jashtme. Putin e kupton vendin e tij si një fuqi anti-perëndimore. Ai mendon sipas kategorive të Luftës së Ftohtë, konkretisht sipas sferave të influencës dhe për rrjedhojë në linja ekspansioniste. Duke patur parasysh këtë, ai nuk kufizohet në pushtimin e shteteve sovrane. Kjo u demonstrua në aneksimin e Krimesë dhe konfliktin e armatosur në Ukrainën Lindore.

Për Putin, SHBA-të janë rrënja e të gjitha të këqijave. Nga pikëvështrimi i tij, SHBA ishte arsyeja e rënies së Bashkimit Sovjetik – një situatë për të cilën ai vazhdon të ndjejë keqardhje edhe sot. Synimi i tij është të përçajë SHBA-të dhe Europën, të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve të tyre, si NATO dhe OKB dhe të dobësojë BE-në si një union ekonomik e politik. Për arritjen e këtij synimi çdo mjet është i justifikuar”.

Roderich Kiesewetter, ekspert i CDU-së për politikën e jashtme dhe sigurinë në parlamentin gjerman, ndan të njëjtin mendim me attë të dr. Kamp. Në një intervistë për “Deutschlandfunk” në shkurt 2016, ai vinte në dukje se objektivi strategjik i Rusisë është destabilizimi I BE-së. Më tej akoma, Putin financon rrjetet e ekstremit të djathtë në Europë.

Kiesewetter e akuzoi Putin po ashtu për përkeqësimin e krizës në Siri, duke u përpjekur në intensifikimin e krizës së refugjatëve. Një skenar tjetër refugjatës është eminent në Ukrainë nëse marrëveshjet për armëpushimin në Lindje dështojnë. Një publikim me të dhëna i Fondacionit Gjerman Bertelsmann në janar të vitit 2016, titulluar: “Fakte mbi dimensionin europian të zhvendosjes dhe azilit: Ukraina”, tregon se deri në dhjetor të vitit 2015, nga agjencia e OKB-së për refugjatët – UNHCR – migrimi i brendshëm arriti në 1.8 milionë persona. Sipas kësaj agjencie të paktën 800 mijë njerëz që u përfshinë nga ky megrim i brendshëm, jetojnë nën kontrollin e qeverisë ukrainase. Por në Ukrainë jetojnë po ashtu:

-          Një numër substancial I personave të paregjistruar që janë pjesë e migrimit të brendshëm

-          Rreth 600 mijë njerëz që jetojnë në kushtet atyre që janë përfshirë nga ky proces

-          7 100 persona të zhvendosur dhe azilkërkues nga vende të tjera

Sipas UNHCR-së,  1.1 milionë refugjatë të tjerë ikën nga Ukraina me destinacione kryesore Rusinë(rreth 858 mijë), Bjellrorusi(127 mijë afërsisht) dhe 6 540 në Gjermani. Arsyet kryesore për këtë megrim të ukrainasve janë si më poshtë:

-          Migrimi i detyruar si për ata që lëvizin përbrenda, ashtu edhe për refugjatët si pasojë e luftës në Donetsk dhe Luhansk, si dhe aneksimi I Krimesë

-          Emigrimi si mënyrë për të shmangur rekrutimin ushtarak dhe

-          Ikja për qëllime pune dhe/apo arsimi

Qeveria ruse vazhdon të akzuojë qeverinë ukrainase si shkaktare të krizës. Kjo nuk është e gjithë e vërteta gjithsesi. Në vlerësimin e tim, fushata e luftës hibride të Putin – furnizimi me armë i rebelëve ukrainas, përdorimi i mercenarëve për të shkatërruar infrastrukturën rajonale, dobësimi i ekonomisë lokale, bllokimi i funksioneve shtetërore, shkaktimi i një krize refugjatësh, shfrytëzimi i mediave sociale dhe luftës informative etj. – është provuar deri më tani e suksesshme. Ai e ka destabilizuar Ukraninën dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë. Kjo shkon për shtat me konceptin e tij të kombinimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe luftës hibride.

I ashtuquajturi “Shteti Islamik” – migracioni dhe “Lufta Hibride” 

Le t’i hedhim tani një sy “Master Planit” të Bakrit, për të ashtuquajturin Shteti Islamik. 

Samir Abd Muhammad al-Khlifawi, I njohur me emrin e tij të luftës si Haji Bakr, ishte koka strategjike e grupit rebel “Shteti Islamik I Irakut dhe Levantit(ISIL) dhe ka qenë një ish-kolonel në shërbimet sekrete të Saddam Husseinit. Ai iu bashkua më vonë grupit rebel Al – Qaeda dhe mori pjesë në revoltën irakene. Në fund të vitit 2012, ai u vendos në qytetin e vogël të Tell Rifaat në veri të Halepit në Siri. Që këtej ai ndihmoi në organizimin e veprimeve për kapjen e pjesëve të Sirisë nga ISIS, të cilat në këmbim do të përdoreshin si një bazë për pushtimin e Irakut. Nën mbulimin e qendrave misionare islamike, ISIS hapi baza dhe rekrutonte informatorë duke përdorur taktika të luftës hibride. Planet e Khlifawit synonin mbledhjen e informacioneve mbi:

-          Familjet dhe individët kryesorë në fshatra dhe qytete

-          Burimi I të ardhurave të tyre, dobësitë dhe sekretet të cilat mund t’I ekspozonin ata ndaj shantazheve

-          Grupet rebele në fshatra dhe qytete, liderët e tyre dhe orientimi ideologjik

I gjithë ky informacion ishte shumë ndihmues në përhapjen e ndikimit të ISIS në Siri dhe Irak. Haji Bakr u vra nga rebelët rivalë më 6 janar 2014.

Lufta civile në Siri është përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 250 mijë njerëzve në 5 vitet e fundit. Më shumë sesa gjysma e popullsisë, afërsisht 13.5 milionë janë në lëvizje – 8.7 milionë nga të cilët brenda përbrenda Sirisë dhe 4.7 milionë në vendet fqinje si Turqia, Libani, Jordania, Iraku, Egjipti dhe Libia. Më shumë sesa 900 mijë sirianë kanë plotësuar një kërkesë azili në Europë. Regjimi i Assadit, në veçanti, krahas të ashtuquajturit “Shteti Islamik” është përgjegjësi kryesor për këtë katastrofë humanitare. Strategjia e tyre e luftës pëërfshin vrasjen dhe urinë e qëllimshme të popullsisë civile, përhapjen e shkatërrimit të zonave të banimit si dhe zhvendosjen sistemike të grupeve etnike dhe fetare të konsideruara si turbullues potencialë, apo kundërshtarë. Këto janë në terma konkretë taktika të luftës hibride. Por ajo që ne po dëshmojmë këtu është një luftë që zhvillohet për llogari të rivalëve si Arabia Saudite, Katari, Irani, SHBA, Rusia, Turqia dhe të tjerë. Këto demonstrojnë se përse kaq shumë emigrant janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe vendin e tyre.

Muajin e kaluar (prill 2016) kreu i shërbimit sekret të brendshëm gjerman, dr. Hans Georg Maaßen, pranoi në një intervistë se autoritetet e sigurisë kishin vlerësuar gabim strategjitë e ISIS për të penetruar në Gjermani. Zyrtarët e sigurisë, fillimisht besonin se nuk kishte gjasa që terroristët e ISIS do të përdornin valët e refugjatëve për të hyrë në vend dhe se rreziku për këtë të ishte kaq i lartë. Ndonëse nuk kishin nevojë që të ndërfusnin fshehurazi njerëzit e tyre mes refugjatëve, ata bënë pikërisht këtë gjë, duke aplikuar strategjinë “si manifestim force”.

Mes 1 milionë refugjatëve  që hynëë në Gjermani vitin e kaluar, rreth 70% e tyre nuk kishin një pasaportë të vlefshme dhe u regjistruan mbi bazë të informacioneve që ata dhanë. Maaßen deklaroi po ashtu se shërbimi që ai drejton, BfV dhe agjencitë partnere, mund të kenë të dhëna për persona të rrezikshëm në bazën e tyre të të dhënave, por mund të dështojnë në njoftimin për ta, për shkak të hyrjes së tyre në Gjermani me dokumente të falsifikuara. Islamikët radikalë në Gjermani po përpiqen në mënyrë shumë aktive të depërtojnë politikisht mes refugjatëve të sapoardhur. Maaßen tha se BfV ishte në dijeni tëë rreth 300 rasteve të përpjekjes nga salafistët dhe islamikë të tjerë për të rekrutuar refugjatë. Kur u pyet sesa islamikë konsideroheshin shumë të rrezikshëm në Gjermani, ai tha se rreth 1 100 individë ishin klasifikuar si terroristë të mundshëm. Në intervistë ai vijoi duke vënë vënë theksin te shqetësimi për numrin e madh të minorenëve të pashoqëruar dhe se ky grup është shënjestruar qëllimisht…

Rekomandime

Siç e vutë re unë kam vënë pikëpyetjen pas titullit: Migracioni – një formë e re e “Luftës Hibride”?. Jam i bindur tashmë për faktet dhe se asnjë pyetje nuk mbetet. Për ta mbyllur, do të dëshiroja të prezantoja pesë rekomandime:

1.Ndonëse BE dhe NATO kanë identifikuar aktivitetet e luftës hibride të Rusisë, kapacitetet e saj dhe kërcënimet që ajo sjell, politikat e gjurmimit të dyfishtë duket të jenë më të mirat që këtej e tutje. Këto përfshijnë: a) dialog i vazhdueshëm me Moskën përmes kanaleve të ndryshme si Këshilli NATO-Rusi, OSBE-ja dhe kanale të tjera të hapura, apo sekrete; b) një sinjal i fortë politik dhe ushtarak që duhet dhënë në Samitin e Varshavës (korrik 2016).

2.NATO dhe vendet anëtare të BE-së duhet të rrisin vetëdijen e tyre për situatën, që mbulojnë ndikimin politik, ekonomik dhe social të aktorëve hibridë që mund të kërcënojnë NATO-n dhe BE-në.

3.BE-ja duhet të rrisë stafin e Task Force të East STRATCOM dhe të sigurojë një buxhet të përshtatshëm sa më shpejt të jetë e mundur.

4.NATO duhet të fuqizojë qendrën e vet të Ekselencës në kryeqytetin letonez, Riga, ku analizohen strategjitë në luftën propagandisitike dhe zhvillohen kundërmasat.

5.Kur planifikohen strategji luftimi kundër fushatave të luftës hibride të Rusisë dhe të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, fjalët e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, jen Stoltenberg janë instruktive:

Qëllimi ynë është të nxjerrim të vërtertën në dritë. Ne besojmë se gazetaria kritike dhe një debat politik i hapur janë mënyra më e mirë për të përballur propagandën”.

http://www.css.ethz.ch/en/services/digital-library/articles/article.html...

Shënim: Kjo fjalë u mbajt nga Roell – kreu i Institutit për Këshillimin Strategjik, Politik, Ekonomik dhe të Sigurisë, në maj të vitit 2016 me rastin e Konferencës së VI të Përbashkët mes fondacionit “Konrad Adenauer” dhe Institutit Kërkimor për Çështjet e Sigurisë Kombëtare(Korea e Jugut).
Ndonëse kanë kaluar disa muaj dhe lufta në Siri ka tashmë rezultate, parashtrimet e autorit duket se vijnë në përputhje me politikat zyrtare në Perëndim(p.sh qëndrimi i mbajtur në Samitin e Varshavës). Po kështu ato sugjerojnë nevojën e qasjeve të reja mbi kërcënimet e kohës, ndonëse neglizhojnë një analizë politike dhe historike në Ukrainë, duke vështruar te Rusia vetëm një armik që sofistikon metodat e veta kundër Perëndimit.

http://www.css.ethz.ch/en/services/digital-library/articles/article.html...

*Titulli origjinal: Migracioni – një formë e re e “Luftës Hibride”?

Përkthimi: ResPublica.al

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.