Kreditë e këqija, bankat do të marrin para nga shteti

Postuar në 02 Dhjetor, 2016 11:55
Zamir Alushi

Pas çdo ligji të ligjvënësve shqiptarë ka një korrupsion. Kështu do të perifrazohej në kushtet tona thënia e Balzakut: “Pas çdo pasurie të madhe fshihet një krim i madh”. Vini re, se si propozohen dhe miratohen në kuvend ligje për plehrat, për lojërat e fatit, për koncesione pa garë, për shërbime publike që u kalojnë privatëve, për pasuri publike që tjetërsohen. Së fundi, ka kohë që po përgatitet terreni pë një aferë të madhe. Bankat do të jenë goditja e radhës.

Qeveria propozon një ligj që iu kalon fondet e Bankës së Shqipërisë, (në fakt, bankat private kanë lobuar për këtë) bankave private, kur këto falimentojnë, ose janë në rrezik falimentimi. Projektligji e ka emrin “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë” dhe është depozituar në heshtje në Kuvend. Duke pasur parasysh deklaratat e përmuajshme të Bankës së Shqipërisë dhe ato të FMN në këto tre vjet të fundit, bankat shqiptare janë likuide, të mirëkapitalizuara dhe nuk janë prekur nga kriza, siç ndodhi në Greqi 

Përse duhet ky ligj tani?

Subkoshienca e atij që ka përpiluar relacionin e draftit, shfaqet në rreshtat e argumentimit pse ky është një ligj i mirë.

Sipas relacionit, ky ligj synon që të mos lejojë përdorimin e fondeve të  taksapaguesve për përballimin e krizave bankare, por në fakt ky është vetë thelbi i ligjit. Sepse, paratë për të mbajtur në këmbë bankat që të mos falimentojnë, nuk do t’i paguajë qeveria, por Banka e Shqipërisë. Flitet sikur Banka të mos jetë e Shtetit Shqiptar, por pronë e 30 apo 40 kompanive private 

Rreziku është real dhe afera është në fazën e fundit të zhvillimit. Sipas burimeve nga Banka, këto subjekte zënë 52.16 për qind të totalit të kredive të pakthyera. E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se së bashku, këto 35 grupe tregtare kanë mbi 66 miliardë lekë ose 550 milionë dollarë kredi të pakthyera në sistem, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare. Këtë nuk e përmend relatori i qeverisë. Madje nuk përmendet fare fakti, që në këtë moment duhet të ishte zbatuar plani për ristrukturimin e borxhit të tyre, i miratuar nga Banka dhe Qeveria. Në fakt, asnjë kompani, nga ato që mbajnë borxhin keq nuk ka shlyer, madje ato, sipas një raportit të Bankës, nuk kanë pranuar të bëjnë ristrukturimin. Arseja fshihet tek ky ligj i lobuar prej kohësh dhe mbajtur në fshehtësi.

Instrumentet e parashikuara në projektligj sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të bankës të jenë aksionarët e bankës dhe pas tyre kreditorët. Për këtë, projektligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku, në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektligj, të përdoret për të “shpëtuar” një apo disa banka. Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Sipas relatorit, termi i përdorur në ndërhyrjen e jashtëzakonshme është “bail in” në krahasim vetëm me ndërhyrjen shtetërore, duke përdorur para publike dhe duke ngarkuar tatimpaguesit me barrën e “shpëtimit” të bankave, të ashtuquajturën “bail out”. Instrumente të tilla si “bail in” apo dhe të tjera të parashikuara në projektligj i japin mundësi Autoritetit të Ndërhyrjes (Bankës së Shqipërisë) për të ruajtur mundësinë e pandërprerë për grumbullimin e depozitave dhe për të kryer transaksione pagesash, duke shitur pjesët rentabël të bankës, kur është e nevojshme, dhe për të mbuluar humbjet në mënyrë të atillë që të shmangin destabilizimin e tregut financiar dhe minimizimin e kostove për tatimpaguesit. Nga ana tjetër, sipas relatorit, ndërhyrja në një bankë, duke ruajtur vijimësinë e veprimtarisë, mundet që, si masë të fundit, pasi të jenë ezauruar instrumentet e tjera të parashikuara në projektligj, do të kërkojë përdorimin e instrumenteve shtetërore të stabilizimit financiar, përfshirë edhe pronësinë shtetërore të përkohshme.

Plani i ndërhyrjes së jashtëzakonshme merr në konsideratë në asnjë rast sa më poshtë:

a) Përdorimin e “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme”; 

b) Mbështetje të jashtëzakonshme me likuiditet nga Banka e Shqipërisë, siç përcaktohet në ligjin organik të Bankës së Shqipërisë; ose 

c) Mbështetje me likuiditet nga Banka e Shqipërisë, të ofruar me kushte jostandarde për sa i takon kolateralizimit, afatit të shlyerjes apo normës së interesit. 

Pra, me fjalë të tjera, Banka mund të presë para për të mbushur thesin e bankave private që të mos falimentojnë.  Si parim, shprehet relatori, është normale që një bankë e falimentuar të likuidohet në bazë të procedurës normale të likuidimit, mirëpo likuidimi mund të vendosë në rrezik stabilitetin financiar.  Prandaj, relatori e argumenton ndërhyrjen me interesin publik (Nënkupto interesin e 35 grupeve tregtare që nuk kthejnë kreditë dhe kanë vënë në rrezik sistemin). Ky ligj nuk sjell asgjë të re, pasi të gjitha rreziqet dhe mënyra e veprimit kur një bankë falimenton janë parashikuar në disa ligje të mëparshme, përfshi atë të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. E vetmja e re, është ndërhyrja e shtetit për të marrë përsipër riskun e bankave dhe ta paguajë borxhet e këtyre grupeve të biznesit. Më parë, u fol për një raport të KLSH, që mbahet sekret, mbi vjedhjen sistematike në Thesar, në bashkëpunim me bankat private, në procesin e nxjerrjes jashtë qarkullimit të monedhave të dëmtuara. Kështu, që tani, nxjerrja e parave nga thesi, mund të bëhet me një ligj. 

"TemaTv"

Comments

Submitted by Ziku (not verified) on

Padyshim qe ky qe e ka shkruajtur kete pacavure eshte injoranti i rradhes

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.