Trump-Clinton: 3-1
Pasi mediat kryesore amerikane shpallën fituesin e zgjedhjeve të 8 nëntorit, shumica e analizave mediatike kudo në botë u përqendruan në drejtimin që do të marrin punët e SHBA-së dhe të botës, për vetë rëndësinë e pazëvendësueshme që ka ky vend në skenën botërore.
Por gjithashtu, pati edhe analiza në të gjitha mediat botërore, të shkaqeve dhe mënyrës së fitores së Trump-it. Sidoqoftë, në Shqipëri njihet pak sistemi elektoral amerikan dhe ndoshta ia vlen që, tani që numërimi pothuaj ka përfunduar në të gjitha qendrat e votimit, të bëhet një analizë edhe në shqip e asaj që ndodhi elektoralisht në ato zgjedhje të rëndësishme.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk janë të drejtpërdrejta. Pavarsisht se Clinton-i ka marrë pothuaj 1 milion vota më shumë se Trump-i në rang kombëtar, njeriu që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë do të përcaktohet zyrtarisht më 19 dhjetor nga një kolegj elektoral, i cili do të përbëhet prej 538 delegatësh nga 50 shtetet e SHBA-së.
Më 8 nëntor u votua për të zgjedhur pikërisht delegatët e secilit kandidat presidencial në secilin shtet. Numri i delegatëve në një shtet varet nga numri i popullsisë – Kalifornia dërgon më shumë delegatë në kolegjin elektoral se sa çdo shtet tjetër, plot 55.
Kandidati që ka fituar në një shtet (qoftë edhe me 0.1%) ka të drejtën t’i përcaktojë vetë të gjithë delegatët e atij shteti. Një kandidati i duhen të paktën 270 delegatë të tij në kolegjin elektoral për të siguaruar fitoren. Obama siguroi 332 delegatë më 2012 dhe 365 delegatë më 2008. Më parë, Bushi siguroi 286 delegatë më 2004 dhe 271 delegatë në vitin 2000.
Aktualisht, Trumpi duket se ka siguruar 306 delegatë (nga 270 që i duheshin).
Para se të fillonte votimi më 8 nëtor, atij i duhej të ruante epërsinë në shtetet që kanë votuar tradicionalisht për republikanët, si dhe të fitonte patjetër në 5 shtete ku diferenca në dy zgjedhjet e shkuara presidenciale ka qenë brenda intervalit +/-3%. Këto shtete ishin: FLORIDA me 29 delegatë; OAHJO me 18; KAROLINA E VERIUT me 15; ARIZONA me 11; dhe NEVADA me 6 delegatë (shih figurën më poshtë).
Ndërsa Clinton-it i mjaftonte të ruante epërsinë në shtetet që kanë votuar tradicionalisht për demokratët, si dhe të mos humbiste në asnjërin nga 5 shtetet që ishin fituar dy herë nga Obama, por që sondazhet e fundit i tregonin si të diskutueshme. Këto shtete ishin: PENSILVANIA me 20 delegatë; MIÇIGANI me 16; VIRXHINIA me 13; KOLORADO me 9; dhe NJU HEMPSHIR me 4 delegatë (shih figurën më poshtë).
Në qoftë se do të përdornim një metaforë nga futbolli, Trump-i shënoi 3 gola në portën kundërshtare – ai fitoi në PENSILVANI (20 delegatë), në MIÇIGAN (16 delegatë) dhe në UINSKONSIN (10 delgatë). Të tre këta gola ishin nga ata që mezi e kalojnë vijën fatale (me 0.3 deri 1.1 pikë epërsi), por që i mjaftuan Trump-it për të siguruar fitoren, sepse Clinton-i shënoi vetëm një gol në portën kundërshtare – ajo fitoi në NEVADA (6 delegatë) – ndërkohë që ishte pranë shënimit të një goli tjetër në FLORIDA (29 delegatë), ku rezultoi vetëm 1.1 pikë larg vijës fatale.
Add new comment