Ndihma ekonomike, vetëm 7,5% e minimumit jetik
Avokati i Popullit, para pak ditëve, publikoi të dhënat e revistës Mpnitor për minimumin jetik në Shqipëri. Duke dështuar për pesë vjet, që qeveria nuk i kish marrë për bazë rekomandimet e këtij institucioni për të nxjerrë minimumin jetik, iu drejtua kësaj reviste përestigjoze.
Minimumi jetik është si mbijetesë drejt një standardi jetese të arsyeshme. Vlera e minimumit jetik përbën edhe bazën mbi të cilën duhet të llogariten pagat, pensionet sociale, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë dhe pagesa e papunësisë, kuptohet duke bërë dhe rregullimet e nevojshme në lidhje me numrin e pjesëtarëve të familjes, numërin e të punësuarve prej tyre, pjesëtarët mbi dhe nën moshën e punës, asetet që zotëron familja etj. Sipas revistës ky minimum jetik është shuma prej 16 mijë lek për person në muaj.
Le të marrim e të shqyrtojmë vetëm ndihmën ekonomike.
Gjatë këtyre tre viteve, ndihma ekonomike nuk ka pësuar ndonjë rritje të konsiderueshme, edhe pse nga qeveria pretendohet se është dy e tre fishuar. Janë bërë disa rregullime ligjore ku janë shtuar disa kategori përfituesish, jetimët e papunë, familjet rome, vajzat e trafikuara, ato që kanë një urdhër mbrojtje, të dhunuarat që janë në proces gjyqësor. Por pagesa ka mbetur po ajo e qeverisë së mëparshme. Familjet që marrin ndihmë ekonomike të plotë përfitojnë: kryefamiljari 2600 lekë, pjesëtarët madhorë 600 lekë dhe fëmijët 700 lekë. Nëse marrim një familje me 4 persona ku janë dy bashkëshortë dhe dy fëmijë, pagesa e plotë e tyre është 4500 lekë në muaj, pra rreth 1200 lekë në muaj për person, ose 40 lekë në ditë. Ka vetëm një ndryshim të vogël në zonat pilot, ku, po kjo tip familje përfiton 4900 lekë, ndihma ekonomike jepet në bazë të regjistrit elektronik.
Nëse marim si referencë minimumin jetik të mësipërm, vërejmë se ndihma ekonomike dhënë familjeve në nevojë, është vetëm 7,5 % e këtij minimumi jetik të domosdoshëm. Nuk di nëse ka ndonjë limit tjetër më të ulët në botë se ky i familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike në Shqipëri. Po le të mos marim këtë pagesë si referencë, por asaj që Organizata e Kombete Bashkuara ka vënë si kusht për vendet e treta të nxjerrjes nga varfëria me 2 dollarë në ditë për person. Edhe këtu ndihma ekonomike është 5 herë më e vogël.
Ngrihet pyetja po si ja dalin këto familje që kanë mbijetuar deri tani? Po nga ana tjetër përgjigja mund të jetë, ç’të bëjnë më shumë? Kujt t’i qahen, kush i dëgjon. Mbajnë veshët ngritur kur bëhen fushatat elektorale për ndonjë premtim të gëzueshëm, por zhgënjehen gjatë mandatit qeverisës. Është për të ardhur keq se partia në fuqi njihet për program të majtë, por faktikisht nuk e ka marrë në mbrojtje këtë kadegori të popullsisë që jeton vetëm me një kafe turke në ditë, të lokaleve më të thjeshta në shqipëri. Në programin qeverisës të kësaj partie për politikat sociale thuhet, se për familjet me ndihmë ekonomike do të synohet që të dalin nga kjo skemë duke ndjekur politika sociale të punësimit, ndërsa nuk thuhet asgjë sa do të rrisë masën e ndihmës ekonomike për pjesën e mbetur. Kjo jo si lëmoshë, por detyrim kushtetues për standart jetese të arsyeshme.
Add new comment