Intervista/Nadal: Disiplinë dhe regjim. Është e rëndësishme të njohësh suksesin e vogël

Postuar në 22 Tetor, 2016 12:28

Rafael Nadal, një prej tenistëve më të suksesshëm në histori jep një intervistë për revistën gjermane “Spiegel”. Nisma e tij për një akademi për fëmijët që duan të stërviten ka tërhequr vëmendjen për atë që një kampion si Nadal mund t’u mësojë të rinjve që e shohin si model. Nadal është i drejtpërdrejtë: nuk duhet të synosh të bëhesh numri një, por të ushtrohesh përditë. “Duhe të vlerësosh suksesin e vogël”, thotë ai, duke vënë theksin te disiplina dhe stërvitja, regjimi me veten. Janë çelësa të një rruge më të gjatë dhe më të ngulitur. Këshilla që vijnë nga një përvojë suksesi e cila është produkt i një stërvitjeje dhe mentaliteti që duhet marrë shembull më shumë sesa vetë suksesi i Nadal. Atë sugjeron edhe kampioni vetë.

Z. Nadal, suppzojmë se ju do të kishit hyrë në akademinë që sot zotëroni kur ishit adoleshent. Do t’i kishit fituar më shumë se 14 Grand Slam sot?

Jo, do të ishte mendjemadhësi të supozoja një gjë të tillë. Ne nuk unpremtojmë fëmijëve se ata do të fitojnë këtë apo atë titull në të ardhmen.

Çfarë ju premtoni atëherë?

Që ata do të zhvillohen. Kemi punësuar trajnerë me përvojë që dikur stërvisnin profesionistë si Carlos Moya. Nëse vajzat dhe djemtë kanë talent dhe ndjejnë për vete, ata mund të bëhen kampionë.

Shkolla më e famshme e tenisit në botë është IMG Academy në Florida, e cila u krijua nga legejndari Nick Bollettieri. Andre Agassi dhe Serena Williams u stërvitën dhe u përgatitën aty. Ç’i duhet botës së tenisit një Akademi Nadal?

Akademia Bollettieri është një institucion i konsoliduar, por mendoj se me kohë do të mbërrijmë aty. Çdo vajzë ka karakterin e saj, çdo djalë mendjen e tij. Atletët e rinj supozohet të piqen, të përmirësojnë personalitetin e tyre. Te ne një trajner menaxhon e shumta tre fëmijë. Në disa ditë, unë marr pjesë në stërvitjen e tyre. Kur jam aty, u them atyre se çdokush mund të bëhet një yll, por gjithkush duhet të jetë njerëzor.

Si stërviten talentet e reja?

Xhaxhai im ka përpunuar filozofinë e stërvitjes. Ideja e tij e stërvitjes në tenis është në thelb e thjeshtë: duhet të përpiqesh të fitosh kohë.

Çfarë do të thotë kjo?

Të gjitha sportet zhvillohen vazhdimisht, por ajo që ata kanë të përbashkët fakti se shpejtësia po rritet. Kjo vlen edhe për tenisin; topi po bëhet përherë e më i shpejtë. Nëse dëshironi të jeni pjesë e më të mirëve, ju duhet teknikë e mirë dhe ndoshta më e rëndësishmja, një sy i mirë. Nëse e sheh topin më shpejt ke më shumë kohë të mendosh sesi dhe ku ta kthesh atë.

Si mund të stërvisë dikush syrin?

Është e rëndësishme që lojtarët e rinj të praktikojnë lojërat e tjera me top, basketboll apo pingpong. Në fushën e tenisit mund ta përmirësosh refleksin përmes një lloj stërvitjeje të tepruar. Le t’ju jap një shembull: lojtari amerikan Andy Roddick arrin shpejtësin 220 km/h kur shërben. Nëse unë stërvitem me të çdo ditë, dikur do të fitoj avantazhin kundrejt një lojtari që shërben me 190 km/h.

Vetëm pak fëmijë në akademinë tuaj do t’ia dalin të bëhen lojtarë profesionistë. Çfarë ndodh me të tjerët?

Shpresoj që nuk do t’u vijë keq që kanë qenë këtu, pavarësisht kësaj. Ne përpiqemi t’u mësojmë të rinjve vlerat që janë të dobishme për ta, do të bëhen atletë profesionistë apo jo.

Cilat janë këto vlera?

Ndershmëria, vullneti për të punuar me veten, miqësia – të gjitha këto gjëra më kanë formuar edhe mua gjithashtu.

Sot, shumë të rinj janë entuziastë për tipe kreative sportesh që u lejojnë atyre të shprehin vetveten. Rrëshqitja me pengesa në dëborë(slopestyle), skateboard dhe sërfi janë bërë disiplina olimpike. Pse duhet që fëmijët të nisin të luajnë tenis?

Se çfarë ka rëndësi për ta u përket atyre dhe mund të ushtrohen. Ajo që e dallon tenisin është respekti për kundërshtarin, sjellja në fushë. Ka shumë momente gjatë një ndeshjeje kur ti je i tendosur, duke u përleshur me veten. Tenisi është një mësim vetëkontrolli.

Pasditja erdhi dhe stërvitja për lojtarët më të rinj nisi. Vajza dhe djem të moshës 12-13 vjeç gjuajnë topat me shpejtësi. Trajnerët e tyre u qëndrojnë afër, me syze dielli dhe me dosje në dorë ku mbajnë shënime. Adoleshentë nga 28 vende jetojnë në akademi – nga Gjermania, Franca, Anglia, Siria, India dhe Kazakistani – dhe shumë prej tyre janë më të mirët, ata që do të jenë lojtarët kryesorë të vendeve nga vijnë. Dita e tyre është e mbushur me aktivitet: zgjimi në orën 7 të mëngjesit, ushqimi në 7:30, shkolla nga 8:30 deri në mesditë. Në pasdite , ata stërviten për tri orë me një pushim prej 15 minutash, e ashtuquajtura Pika e Energjisë, kur ata hanë banane. Secili student ka dietën e vet, në varësi të moshës, përmasave trupore dhe peshës.

Akademia Rafa nuk u konceptua duke patur parasysh fëmijë me prindër të varfër. Një vit në shkollën private, përfshirë edhe stërvitjen e tenisit, kushton 56 mijë euro. Në mbrëmje, lojtarët shkojnë në palestër dhe bëjnë detyrat në orën 21:00. Studentët jetojnë dy veta në një dhomë. Në tavan mbi krevatin e secilit qëndron një poster me fushën e tenisit nga një prej katër turneve të Grand Slam. Dritat në akademi fiken në orën 22:00, kohë kur adoleshentët i zë gjumi duke parë Australian Open, French Open, Wimbeldon apo US Open.

Supozojmë se një nga fëmijët ju pyet: “Dua të bëhem numri një në botë. Çfarë duhet të bëj?” Cila do të ishte përgjigja juaj?

Me shumë gjasa: Harroje!

Pse?

Sepse është shumë e vështirë dhe sepse nuk duhet që qëllimi i vetëm i një fëmije të jetë të bëhet lojtari më i mirë në botë. Kjo do të ishte një sjellje e keqe dhe e dëmshme. Do t’i thoja fëmijës: “Mos mendo që të jesh numri një në botë. Përpiqu që të ndjekësh porgramin e ditës së sotme sa më mirë të mundesh. Pastaj do të shohim nëse një ditë do të arrish të jesh numri një apo numri njëqind”.

Thuhet shpesh se nëse dëshiron të kesh sukses, duhet të vendosësh objektiva shumë ambicioze.

Unë nuk shqetësohem sesi do ta fitoj French Open vitin që vjen. Unë mendoj më shumë në terma afatshkurtër: për stërvitjen time nesër, se çfarë dua të arrij aty. Është e rëndësishme të njohësh suksesin e vogël. Janë hapat e vegjël që të sjellin kënaqësi në fund të ditës.

Ju nisët të stërviteni me xhaxhain tuaj kur ishit katër vjeç. Çfarë mbani mend?

Ai më mësoi herët që të gjuaja topin fort. Ai thoshte: “Si fillim duhet të jesh i aftë të bësh këtë gjë, më vonë mund të merremi me dërgimin e topit në zonën e kundërshtarit”. Kur ju fituar dikur një turne për të rinj në Afrikën e Jugut, disa planifikuan të organizonin një festë për kthimin tuaj, por xhaxhai juaj nuk e lejoi dhe urdhëroi një sezon stërvitor. Ishte e vështirë të stërviteshe me të? Sjellja e moralshme ishte përherë e rëndësishme për të. Kur harroj shishen e ujit në shtëpi, ai nuk do të më jepte asgjë për të pirë gjatë stërvitjes. Kjo ishte strategjia e tij për të më mësuar disiplinën. U bëra një lojtar që përpiqet shumë ndërkohë që stërvitet, një lojtar që mund të mbështetet në vullnetin dhe në fuqinë e tij mendore. Edhe kjo është diçka që ka të bëjë me xhaxhain tim.

Sa është i nevojshëm rigoroziteti për të formuar një lojtar të klasit botëror?

Sporti ynë nuk është matematikë. Diçka që funksionon për një person mund të jetë disavantazh për një tjetër. Por ne kemi rregulla në akademi, nëse është kjo ajo për të cilën ju e keni fjalën. Nuk do të shihni asnjë prej lojtarëve tanë të rinj që të flakin raketën me inat. Nëse e bëjnë, do të ndodhë vetëm njëherë.

Në çfarë mase ju jeni një model për këta fëmijë?

Ne nuk e përdorim karrierën time si udhërrëfyes. Disa njerëz mund të mësojnë diçka nga mënyra sesi unë luaj tenis. Por ka gjithashtu lojtarë që janë më të mirë se unë në teknika të caktuara. Në mësimet tona teorike ne u tregojmë fëmijëve gjithashtu video të Roger Federer dhe Novak Djokoviç.

Fitorja e fundit e Grand Slam nga Nadal ishte në vitin 2014 në French Open. Qysh atëherë, ai nuk ka qenë në formën më të mirë në turnetë kryesorë. Në Australian Open në janar të këtij viti, ai humbi raundin e parë dhe dhe duhej të tërhiqej nga French Open si pasojë e një dhimbjeje në kyçin e dorës. Ai as nuk luajti në Wimbledon. Në Olimpiadën e Rio de Janeiro, Nadal fitoi medaljen e artë në një lojë dyshe me partnerin Marc López, suksesi më i madh ky i vitit për të. Aktualisht ai renditet i pesti në botë.

Bashkë me Roger Federer të Zvicrës, Nadal kontribuoi në përkufizimin e një ere në tenis. Të dy ata u përballën në disa duele epike gjatë viteve të fundit, si ai i Ëimbledon në vitin 2008, në finale. Nadal fitoi pas një ndeshjeje që zgjati 4 orë e 48 minuta. Ajo u konsiderua finalja më e mirë në historinë e Wimbledon. Por karriera e Nadal në këto kohë është më shumë e karakterizuar nga dëmtimet dhe nga pushimet. Ai ka kryer dy operacione në gju dhe vuan nga dhimbje kronike në bërryl dhe në shpatull. Loja e tij e energjike dhe e fuqishme gjatë viteve e ka rraskapitur trupin e tij dhe njësoj si në rastin e Federer, shumëkush po pyet nëse Nadal është tërhqur tashmë.

Si ia bëni që të çoheni nga shtrati mëngjesin pas një ndeshjeje me pesë sete?

Ia dal, mund t’ju siguroj për këtë. Por e ndjej që jam i lodhur.

Ju jeni konsideruar përherë si një gladiator në fushë, ndërkohë që rivali juaj më i madh, Roger Federer, cilësohej si një artist. E keni ndonjëherë zili shkëlqimin e tij?

Sigurisht, do të doja të kisha disa nga cilësitë e lojtarëve të tjerë dhe patjetër edhe nga Roger. Por më besoni, ka shumë aftësi të tjera që janë të rëndësishme, veçanërisht regjimi dhe forca. Këto janë atribute që edhe lojtarë të tjerë do të donin t’i kishin po ashtu.

Në vitin 2005 ju fituar French Open në moshën 19 vjeçare. Qysh atëherë asnjë para moshës 20 vjeçare nuk ia ka dalë të fitojë një turne në Grand Slam. Pse nuk ka më yje të rinj në tenis?

Sporti ynë është bërë më kompleks. Nuk mjafton më që të luash shumë mirë. Duhet të jesh i aftë të japësh një përgjigje në çdo kohë dhe kudo. Nuk mund të fshihesh. Kjo është diçka që duhet bërë me maturi dhe që e fiton me kalimin e viteve.

Marrë me shkurtime nga “Spiegel”

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.