Provincializimi i Europës. “Në qytetet tona nuk shihet më vetëm historia e Perëndimit”

Postuar në 18 Tetor, 2016 11:02
Alessandro Zaccuri

Qyteti si shenjues konstant i kulturave. Perëndimi dhe pozicioni i tij përherë e më shumë në periferi të botës. Por edhe e keqja, misteri i saj. Këto janë disa tema që filozofi Franco Rella prek në intervistën për “Avvenire” duke dhënë disa grimca mendimi për tema që prekin gjithkënd, çdo vend, edhe një vend si Shqipëria. Vëzhgimet e holla dhe në thellësi kanë përparësinë se hapin rrugën për përkufizimin e kohës ku jetojmë dhe një kuptim më të mirë të saj. Në hyrje të intervistës Rella pyetet edhe për një aspekt të veprës së tij të fundit, “Pathos. Itinerare të mendimit”, ku në mes të kapitujve ndërfuten disa shënime...

Është edhe një zgjidhje letrare?

Në një farë mënyre, po. Pastaj, shikoni, disa prej momenteve më të arrira të mendimet bashkëkohor të shekullit XX-XXI, janë shprehur pikërisht në vepra letrare. “Koha e rigjetur” e Marcel Proust, p.sh., është vepra më e madhe e estetikës filozofike të ‘900-ës. Analogjikisht, është e vështirë të gjesh një penetrim të enigmës së botës më të zgjuar se ajo e formuluar nga Franz Kafka te “Kështjella” dhe “Procesi”. Sikurse kishte intuitizuar Ëalter Benjanim dhe Theodor Adorno, terreni më pjellor është pikërisht ai në të cilin mendimi filozofik takohet dhe përplaset me atë që vje nga arti: një vend kufiri, një vijë ndarëse.

Njësoj si ajo vija metropol – kozmopol?

Këtu, bashkë me hapësirën, është koha që hynë në lojë. Qyteti është i destinuar që përherë e më shumë të konfigurohet si stratifikim i kohëve të ndryshme. Kështu ishte që në ‘800-ën, kur koha e fshatit, koha e agrares, hyri në konflikt me urbanizimin, për t’i dhënë vend “bashkëkohësisë së jo bashkëkohores”, studiuar nga Ernst Bloch. Ndodh edhe sot kështu, madje më shumë dhe bazohet në një rrjet të dendur kujtimesh dhe harresash të ndryshme.

Për çfarë e keni fjalën?

Në qytetet tona nuk shihet më vetëm historia e Perëndimit, por edhe ajo, përherë e më shumë e rrokshme, e atyre që vijnë nga vende të kulturave të tjera, duke sjellë me vete copëza të historisë së vet.  Në të shkuarën këto elementë fshiheshin duke u tretur në kontekst, sot pretendojnë të njihen, të dallohen si e tashme. Një shumësi tronditëse kohësh, e përshkruar shumë mirë nga një prej romancierëve më të mirë të ditëve tona, amerikanit Don DeLillo.

Pra Perëndimi sa vjen dhe po humbet pozicionin qendror?

Që në vitin 2000, një historian indian, Dipesh Chakrabarty, sinjalizonte urgjencën për të “provincializuar Europën”, që do të thotë të thyesh formën delirante të dominimit kulturor pas së cilës zvarritemi qysh nga ‘800. Në këtë fazë, periferia e botës e tejkalon Europën, dhe duke arritur këtë, e kthen vetë Europën në periferi, në një ndërrim rolesh që kontraston optimizmin e viteve ‘90. Në vend se të eksportojë modelin e vet kudo, Perëndimi gjendet i shtyrë pas në kufij. Nuk është dhe nuk mund të jetë një proces pa dhimbje, por pikërisht për këtë arsye ai duhet menaxhuar. Siç po bën Papa Françesco, që me emërimin e kardinalëve të rinj po ndryshon në mënyrë konsistente ekuilibrat gjeopolitikë brenda Kishës.

Trupi është një tjetër temë e shpeshtë në kërkimin tuaj. Pse?

Trupi ka qenë për shekuj me radhe, i përjashtuari i madh i mendimit perëndimor. Ai shfaqet te Platoni, por mandej futet në paranteza, fshihet, derisa si rishfaqet me Niçen dhe Frojd, të cilët nga pozicione të ndryshme, do të japin argumentet e tyre për të. Paradoksi ku ndodhemi aktualisht konsiston në faktin e ekzibicionizmit përherë e më ta paskrupullt të trupit, por ky celebrim i hapur i lakuriqësisë, në thelb nuk është veçse një eliminim i saj. Edhe njëherë na vjen në ndihmë një narrator, Goffredo Parise, i cili në “Era e gjakut”, e argumenton trupin si pikë e rezistencës ekstreme, si vend  i vuajtjes dhe i patthos-it. Të mendosh trupin sot ka vlerën politike të kontestimit të status quosë.

Kemi arritur te misteri i së keqes.

Temë teologjikë jo më pak se filozofike. E dinte mirë George Bataille, me hulumtimin e tij mbi atë që mund ta përkufizojmë si krahu i mëngjër i krijimit. Është një përmasë që na detyron të përballemi me diçka që i shpëton konceptualizimit dhe vetë pëvojës së formave. Shekulli i XX-të në veçanti ka njohur një të keqe të jashtëzakonshme në raport me të cilën rielaborimi filozofik dhe kulturor është shtyrë deri në një farë pike. Dhe pas së cilës, në mënyrë përherë e më të theksuar, afirmon një mendim neutral që sot koinçidon me të ashtuquajturin “realizmi i ri”, i paaftë që të njohë çfarëdo lloj realiteti jashtë atij që i propozohet për të hulumtuar. Ka përjashtime, sigurisht, si ato të dëshmuara në art nga Anselm Kiefer apo edhe nga vetë DeLillo në letërsi. Për të keqen ama, nuk merremi kurrë aq sa duhet.

 

Përkthimi: ResPublica

http://www.avvenire.it/Cultura/Pagine/RELLA-1.aspx

 

  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.