Përse kjo fushatë pikërisht tani kundër Fishtës?

Postuar në 16 Tetor, 2016 02:07
Ilir Hashorva

​Pra pak ditësh, në disa gazeta, u botua një letër e Gjergj Fishtës, e zbuluar prej Nasho Jorgaqit, të cilën Fishta ia dërgonte një miku të tij, një oficeri fashist, këtu e më se 75 vjet më parë. Mjaftoi kjo letër që Fishta menjëherë të quhej fashist dhe të anatemohej nga komunistët ashtu siç dinë ata, kur i vënë tjetrit epitetin fashist, ndonëse Fishta nuk ka qenë asnjëherë as fashist me bindje dhe as fashist i organizuar se, po të kishte qenë, do të kishte bërë, së paku, një poemë a një vjershë për Beniton a fashizmin, ashtu siç bënë poetët tanë komunistë për Enverin dhe Partinë. Por jo. Fishta nuk i këndoi kurrë fashizmit. Do të kishte qenë me shumë vlerë, po të ishte bërë ndonjë studim i paanshëm për të krahasuar fashizmin italian me komunizmin shqiptar, prej nga të dilte se cila prej këtyre dy diktaturave kishte qenë më totalitare, më shtypëse dhe më e dëmshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe, rrjedhimisht, cilët do të duhej të kritikoheshin më shumë: komunistët apo fashistët.

​Disa shkrime të tjera po në gazeta si dhe komente të lexuesve, krijuan atmosferën e viteve të para të pasluftës, kur Enver Hoxha u ngrit i pari për të denigruar dhe masakruar poetin e madh kombëtar Gjergj Fishtën, këtë poet që i këndoi vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe, pas Enverit, të gjithë larot, me demek shkrimtarë e poetë, pasuan me një sulm të përgjithshëm e të larmishëm kundër tij, ca nga smira, e ca nga dallkaukllëku. Enver Hoxha e denigroi dhe e masakroi Gjergj Fishtën, për hir të jugosllavëve, sepse pa denigruar dhe pa masakruar atë, nuk mund të krijonte ato marrëdhënie me Jugosllavinë e Titos të cilat mund të arrinin deri aty sa Shqipërinë t'ia bashkonte Jugosllavisë.

​Pa dyshim, lind pyetja: ç'u kujtua shtypi shqiptar, që të rilindte një fushatë antifishtë pikërisht sot, kur kishte filluar një rehabilitim i ndrojtur i tij, kur kishin filluar t'i botoheshin veprat, kur kishte filluar vlerësimi i tyre, kur edhe Ismail Kadareja, dikur një nga kritikët më të mëdhenj të tij, tha se kritikën nuk ia kishte bërë për ta luftuar, por për ta mbrojtur!? Rastësisht doli letra e Nasho Jorgaqit sot kundër poetit më antisllav, letër për të cilën nuk thuhej as se kur dhe ku ishte zbuluar dhe as nuk jepej faksimilja e saj?

​Në këtë botë ka shumë gjëra që duken si koincidenca apo rastësira. Në të vërtetë prej tyre koincidenca dhe rastësira janë fare pak dhe ato që konsiderohen rastësi, shpesh janë ligjësi. Në qoftë se do të shohim periudhën kur rilindi fushata antifishtë sot, do të vëmë re se ajo i parapriu vizitës së kryeministrit tonë Edi Rama në Serbi dhe pastaj u zhvillua së bashku me të. Edi Ramës i duhej një atmosferë e brendshme proserbe që të bëhej më i besueshëm prej serbëve në bisedimet që do të zhvillonte me ta dhe këtë atmosferë e përgatiti dhe e siguroi në Shqipëri pikërisht fushata antifishtë, njëlloj si shtatëdhjetë vjet më parë një fushatë të ngjashme përgatiti Enver Hoxha. A mund të ishte Edi Rama orkestruesi i asaj fushate? Nuk mund të thuhet me siguri, por me siguri mund të thuhet se ajo fushatë i shërbeu Edi Ramës dhe, po qe se ishte e orkestruar prej tij, ishte si një dhuratë personale që një mbret i çon një mbreti tjetër, kur kërkon favore prej tij.

Comments

Submitted by Enida (not verified) on

Te kesh nje jete letrare krijuese eshte nje gje dhe te kesh nje jete personale eshte nje gje tjeter. Papa Benedicti i XVI ka qene prift i ushtrive naziste qe pushtonin boten dhe vrisnin njerez te pafajshem , por Vatikani e beri Pape. Poeti, Prifti. miku jane te treja tek Gjergj Fishta. Jane njerezit te cilet ne menyre te pavarur zgjedhin cilen ane te ketij individi duan te shohin.Une nuk e kuptoj pse artikull shkruesi behet avokat i Fishtes dhe e lidh nje fakt te jetes personale te nje njeriu me jeten politike, ekonomike dhe sociale te vendit? Ne qofte se artikullshkruesi do te tregoje vlerat e Fishtes mos te merret jo ky jo ajo ,ky tha ky beri, ky kishte qellim kete ata kishin qellim ate, po te lexoje te studjoje te prapagandoje vepren e e Fishtes si poet dhe te na i thote ne tregun e shkruar. Te me fali ,por jam e bindur se nuk ia ka lexuar fare vepren Gjergj Fishtes. Se fundi : Cdo njeri ben zgjedhjen e vet personale ne jete.

Submitted by injoranca mbret... (not verified) on

Mbreteresha Injorance eshte ulur sot kembkryq ne trojet e ketij vendi dhe torovit cfare te doje. Kjo injorance nuk e di fare, se emri dhe vepra e Gjergj Fishtes gjindej deri ne 1947-1948-en ne tekstet letrare te shkollave, po ashtu edhe emri dhe vepra letrare e Lumo Skendos (Mehdi Frasheri, kryetari i Ballit Kombetar), po dhe Ernest Koliqi gjindej akoma pas clirimit ne tekstet shkollore te letersise. Diku aty nga 1946 apo 1947 Envere Hoxha kritikoi disa nga keta figura, te cilat ishin kritikuar edhe me pare (1945, 1946) nga te tjere. Keshtu u poqen kushtet qe me 1948-en e pas te hiqeshin nga tekstet shkollore shume emra, midis te cilave edhe ai i Gjergj Fishtes. Pra, ne tekstet shkollore te 1948-49-es u hoqen mjaft emra "reaksionaresh", sic u quajten. Roli jugosllav ne kete pastrim emrash letrare eshte i paperfillshem. Keto emra lidheshin me pushtuesin italian dhe gjerman. Ndaj dhe fushata e sotme as qe ka lidhje me vizitrat e Edit ne Serbi, se po te kishte do te jepte efektin e kundert kjo fushate anti-fishte.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.