Fli i qetë o Guvernator, se nuk po ankohet njeri për pagat!

Postuar në 06 Tetor, 2016 16:09
Zamir Alushi

Nëse ka një njeri që duhej të gëzohej për rritjen e pagave në këtë moment në Shqipëri, duhej të ishte Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Duke dëgjuar guvernatorin, që fliste për pagat, m’u kujtua një shpjegim për inflacionin i ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i bërë “off the record” në një bisedë me gazetarët ekonomikë.  Por, duke qëndruar tek kryebankieri, ky i fundit, u shfaq të mërkurën, me ton frenues për një rritje pagash dhe pensionesh. “Në një shikim të parë, kjo rritje do të ndikonte në rritjen e konsumit, -tha Sejko. -Ne e kemi theksuar që politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë me qëllim rritjen e kreditimit, konsumit dhe investimeve nuk është e mjaftueshme pa ndërmarrë dhe reforma strukturore. Në këtë aspekt, ne e shohim rritjen e pagave dhe pensioneve si një faktor stimulues në drejtim të rritjes së konsumit. Por, nga ana tjetër, ne si Bankë e Shqipërisë jemi të interesuar për ruajtjen e balancave makroekonomike, uljen e deficitit buxhetor dhe vazhdimin e konsolidimit fiskal. Ne nuk e kemi parë planin e qeverisë për pritshmërinë e rritjes së pagave dhe pensioneve, pra akoma nuk kemi një draft final të buxhetit. Do të duhet të shohim këtë draft në mënyrë që të japim një opinion më të saktë dhe në atë moment do të gjykojmë nëse rritja në shifra do të ishte e pranueshme, gjithmonë në raport me këto parametra dhe këto objektiva të Bankës së Shqipërisë, pra ruajtjen e konsolidimit fiskal, mbajtjen e uljes së nivelit të deficitit buxhetor dhe të uljes së borxhit”.

Megjithatë, guvernatori deklaroi se, për sa kohë që do të ruhen këto parametra (nënkupto rritje taksash e mbledhjen e tyre), sigurisht që rritja e pagave dhe e pensioneve është një e drejtë dhe një atribut ekskluziv i qeverisë shqiptare. Në fakt, i fituari, i dytë nga rritja e pagave, pas punonjësve dhe pensionistëve, është guvernatori, sepse do të ngrhej sado pak inflacioni, i cili sot varet vetëm nga lëvizja e çmimit të domateve dhe humori i tregtarëve të naftës. Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në nivelin 2% në muajin gusht, duke vazhduar të ndjekë një trajektore rritëse pas vlerave të ulëta të shënuara gjatë tremujorit të parë. “Rritja e inflacionit, -sipas deklaratës së djeshme të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, -erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe e çmimit të naftës. Në terma makroekonomikë, rritja e inflacionit pasqyron efektin e rritjes së kërkesës agregate dhe reduktimin e goditjeve të ofertës të ardhura nga çmimet e ulëta të ushqimeve dhe të lëndëve të para në tregjet botërore”. Ndërsa për ish-ministrin dhe ish guvernatorin e BSH, Shkëlqim Cani, mbajtja e inflacionit në nivel, është një detyrë e lehtë për bankën dhe qeverinë, sepse në Shqipëri nuk ka presion nga sindikatat dhe punonjësit  për rritje të pagave. Kështu, pra, qeveria dhe guvernatori ta bëjnë gjumin të qetë! Në vendin me pagat më të ulëta në Evropë, ku ora e punës paguhet 5 herë më pak se sa në Greqi (vendi me borxhin më të lartë për frymë në botë), ku varfëria rritet me shpejtësi, njerëzit revoltohen për gjithçka, por jo për pagat.

 

"TemaTv"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.