Policia shqiptare nuk e lufton dot e vetme trafikun, kapet në Brindisi gomonia me 1 ton hashash
Në kulmin e debatit për transportin e drogës nga Shqipëria dhe përdorimin e avionëve të vegjël për narkotrafikun, autoritetet italiane kapin në Brindisi 1 ton kanabis me prejardhje nga vendi ynë.
Gomonia me hashash, që dyshohet se ishte nisur nga Mifoli në Vlorë drejt brigjeve italiane. Në bordin e saj u gjet 1 ton hashash që po transportohej nga dy persona, për të cilët nuk bëhen të ditur identitetet.
Ka qenë Policia Kufitare dhe Guardia di Finanza që e ndoqën gomonen përgjatë rrugës, ndërkohë që raportohet se policia e kufirit tonë kishte dijeni për transportin. “Kishim informacion për transportin e drogës që nga nisja”-raportojnë burime policore. Një tjetër provë e trafikut nga Shqipëria, për të cilin qeveria dhe opozita shkëmbejnë akuza lidhur me autorësinë. Fakt është se eksporti i hashashit vijon nga toka, ajri dhe deti në ngarkesa të mëdha, me qeverinë që thotë se policia e ka të pamundur të luftojë e vetme trafikun e drogës.
Pas daljes së lajmit në mediat italiane, policia shqiptare doli me komunikatë, ku vlerëson rolin e saj në këtë operacion. Në njoftimin zyrtar thuhet se "rreth 2 kilometra nga grykë derdhja e Vjosës, patrulla e Policisë Kufitare, e planifikuar në shërbime në atë vend, i ka bërë shenjë dhe thirrje gomones që të ndalojë. Nga ana e shërbimeve të Policisë është hapur zjarr në ajër për ta ndaluar por përsëri mjeti ka vijuar me shpejtësi të madhe.
Megjithëse moti ishte shumë i keq dhe binte shumë shi, është vijuar me ndjekjen e mjetit deri në ujërat ndërkombëtare dhe njëkohësisht nga ana jonë janë njoftuar kolegët e Guardia di Finanzës në Bari. Vijon operacioni për kapjen e tre autorëve".
Më poshtë polcia ka shtuar edhe këtë paragraf.
"Guradia di Finanza Bari, në përfundim të operacionit gjatë një komunikimi zyrtar me Policinë e Shtetit, ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe koordinimi me Policinë e Shtetit në këtë aksion, si edhe në raste të tjera, ka qenë jetik për suksesin e arritur dhe kanë falënderuar përzemërsisht shërbimet e Policisë Kufitare për operacionin, informacionet e sakta dhe për bashkëpunimi"
Add new comment