Çështja "Gjoklaj", PD-ja kallëzon penalisht Erjon Veliajn
Partia Demokratike (këshilltarët demokratë në Bashki) ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj për vdekjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë. Kallëzimi përmbledh argumentet e PD-së që prekin edhe praktikat e dhënies së shërbimit për mbetjet te privati. Më poshtë kallëzimi i plotë:
I nderuar zoti Prokuror,
Fakte dhe të dhëna mbi ngjarjen rreth krijimit në mënyrë të paligjshme, në shpërdorim detyre dhe duke shpërdoruar interesin dhe pronën publike, me themelimin e shoqërisë aksionere “Eco Tirana”.
Në datë 23.05.2016, me propozim te Kryetarit të Bashkisë Tiranë, pa u shqyrtuar në komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak Tiranë dhe në shkelje të hapur të procedurës dhe afateve ligjore të parashikuar nga ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Vendor” i ndryshuar, Këshilli Bashkiak Tiranë miratoi VKB nr 40, dt 23.05.2016 “Për themelimin dhe pjesëmarrjen e Bashkisë Tiranë në shoqërinë aksionere “Eco Tirana” sha, miratimin e akit të themelimit dhe statutit”. (Bashkëlidhur një kopje e Vendimit dhe Projektvendimit në fjalë”.
Në këtë akt nënligjor parashikohej themelimi i një shoqërie tregtare me pjesëmarrjen e Bashkisë së Tiranë që objekt të saj do të kishte menaxhimin, grumbullimin, pastrimin, tregtimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane në Bashkinë e Tiranës të paktën për një afat 25 vjecar. (shih objektin e shoqërisë në Aktin e themelimit dhe Statutin e saj).
Për ofrimin e shërbimit të pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve, shoqëria “Eco Tirana” do të përfitonte nga Bashkia Tiranë që vitin e parë një fond prej 2.5 milionë Euro pa TVSH, dhe në mënyrë të përvitshme fonde nga Bashkia sipas përcaktimeve të VKB nr. 40, dt 23.05.2016. (shih dispozitivin e VKB nr. 40, dt 23.05.2016 dhe Plan Biznesin e shoqërisë “Eco Tirana”, sh.a)
Përpos kësaj, pas miratimit të VKB nr 40, dt 23.05.2016, shoqëria bëhej edhe pronare e mbetjeve urbane në Tiranë, dhe fitonte të drejtën e menaxhimit dhe administrimit të tyre, të paktën të asaj pjese që ajo grumbullonte dhe administronte sipas përcaktimeve të Vendimit të Këshillit Bashkiak. Pavarsisht se kalimi i pronësisë së mbetjeve në mënyrë të qëllimshme nuk është përmendur në dispozitivin e VKB nr 40, dt 23.0.2016, që këtë pronësi e ka shoqëria tregtare e sapo krijuar, vërtetohet nga relacioni i Projektvendimit të Këshillit Bashkiak ku thuhet në mënyrë të qartë se shoqëria “Eco Tirana”, sh.a do të ketë të drejtën e riciklimit dhe tregtimit të mbetjeve që grumbullon, nga plan biznesi i shoqërisë që përcakton se kjo shoqëri do të krijojë të ardhura që vitin e parë nga riciklimi dhe tregtimi i mbetjeve që ajo grumbullon, si dhe nga objekti i shoqërisë të përcaktur në Akt Themelimin dhe Statutin e saj. (Bashkëlidhur relacioni i VKB nr 40, dt 23.05.2016, dhe aktet shoqëruese të miratuara sëbashku me të në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë).
Sipas VKB nr 40, dt 23.05.2016, Bashkia Tiranë do të zotëronte 51% të aksioneve të shoqërisë “Eco Tirana” me nje vlerë prej 1. 989. 000 lekë , dhe shoqëria aksionere e identifikuar me nr nipt L61703017D, HOLDING AGSM ALBANIA, do të zotëronte 49% të aksioneve me një vlerë 1.911.000 lekë. Në llogaritjen e kontributeve të shoqërisë, për të përcaktuar dhe numrin e aksioneve të bashkëpronarëve, nuk janë përfshirë kontributet që jep bashkia e Tiranës në këtë shoqëri aksionere sic në këtë rast do duhet të ishte llogaritur dhe vlera e mbetjeve urbane që Bashkia ja kalon në administrim dhe pronësi për 25 vite shoqërisë “Eco Tirana”, si dhe territori i Landfillit të Sharrës ku në bazë të relacionit shoqëria “Eco Tirana” do të zhvillonte pjesën më të madhe të aktivitetit të saj grumbullues, tregtues dhe riciklues të mbetjeve urbane.
Bashkia Tirane i ka kerkuar keshillit bashkiak të aprovoje krijimin e kësaj shoqerie të përbashket (sh.a) me partnere te huaj, per mbledhjen dhe largimin e mbeturinave urbane, ku perzgjedhja e partnerit te huaj në këtë shoqëri që do të zoteroje 49% të totalit të aksioneve, është bërë ne kundershtim të plotë me kërkesat e ligjit.
AGSM holding sh.a, shoqeria mëmë e shoqerise të së drejtes shqiptare te krijuar me te cilen Bashkia Tirane ka krijuar kete shoqeri te perbashket, eshte nje shoqeri qe aktivitetin e saj e ka filluar si ndermarrje sherbimesh ne varesi te bashkise së Verones. Por me kalimin e kohes dhe konkretisht ne vitin 2000, ajo ka modifikuar strukturen korporative duke u transformuar në një grup të shoqerive aksionare dhe operon ne tregun italian si shoqeri e te drejtes juridike private, ku ne perberje te ketij grupi bëjnë pjesë dhe mjaft aksionere private.
Referencat ligjore të perdorura për të justifikuar krijimin e kesaj shoqerie jane ato te ligjit 139/2015 “Per veteqeverisjen vendore” si dhe ligjin 9901, date 14.4.2008 “Per tregtaret dhe shoqerite tregtare”. Kjo baze ligjore e siperpermendur e lejon pushtetin vendor, ne kete rast Bashkine e Tiranes, te krijoje persona juridike, madje dhe te hyje ne shoqeri te perbashketa me subjekte te tjera per qellime te mirëpërcaktuara në permbushjen e detyrimeve karshi qytetareve për shërbime publike me cilesore dhe me kosto sa me të ulët.
Por, pavaresisht se nga ana e Bashkise Tirane kjo kompani u prezantua si kompani publike, ajo është thjesht nje kompani private, pavaresisht struktures korporative te saj. Si e tille, ajo duhet t`i bindet plotesisht kuadrit tone rregullator.
Menjëherë pas themelimit të shoqërisë “Eco Tirana”, në Landfillin e Sharrës ka nisur të operojë dhe veprojë në fushën e riciklimit të mbetjeve, nje aktivitet privat i cili u prezantua nga Kryetari i Bashkisë në një dalje publike në qershor të vitit 2016, si një aktivitet që do të riciklonte mbetjet e qytetit dhe në këtë dalje mediatike vetë kryebashkiaku ju bënte thirrje subjekteve të interesuara të punësoheshin pranë këtij aktiviteti privat edhe për shkak të krijimit të kushteve të punës dhe mbrojtjes së të drejtave të punëmarrësit në bazë të Kodit të Punës.
Në këtë aktivitet, gjatë turnit të tretë të punës, si pasojë e veprimtarisë së riciklimit të mbetjeve në Landfillin e Sharrës, në gusht të vitit 2016, gjatë orarit të punës, ka gjetur vdekjen shtetasi Ardit Gjoklaj, i cili nga dëshmitë rezulton të ishte një punonjës i pasiguruar pranë firmës private që kryente aktivitetin e riciklimit.
Faktet, Opsionet dhe Referenca Ligjore që krijojnë kushtet e kryerjes së veprimtarisë penale nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Krijimi i shoqërisë tregtare “Eco Tirana”, me formën, procedurën dhe kushtet e shpërdorimit të detyrës nga ana e të kallëzuarit.
Bashkia e Tiranes si autoritet publik pergjegjes per te ofruar kete sherbim qytetareve te tij, bazuar ne mundesite reale financiare dhe kapacitetet teknike dhe njerezore qe ka ne dispozicion, dhe në bazë të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, pikërisht nenit 33/1 të tij, duhet të merrte në shqyrtim këto mundesi për ofrimin e shërbimit të pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve:
Do ta ofroje vete kete sherbim nepermjet shoqerive të veta publike ekzistuese apo te krijuara rishtaz per kete qellim sipas modelit “ndërmarrje publike”;
Do t`i jape ne menaxhim te deleguar shoqerive private segmente te caktuara te administrimit te mbetjeve urbane, sic dhe ka qenë praktika e mëparshme e mbledhjes dhe transportit të mbeturinave nepermjet prokurimit te fondeve publike , apo,
Ta jape ne formen e nje koncesioni/partneriteti publik privat këtë shërbim, ku partneri privat pervec kontributit ne kapital dhe ne asete kontribuon dhe me kapacitete njerezore duke ofruar ekspertizën e nevojshem per menaxhimin e procesit;
Bashkia e Tiranes ashtu si edhe cdo njësi tjeter vendore mund te krijoje persona juridike dhe shoqeri te perbashketa edhe me partnere te huaj publike apo private, bazuar ne referencat ligjore te mesiperme, dhe te kerkoje miratimin nga keshilli bashkiak, por ne kete rast gjithmone dhe vetem, pasi te kete perfunduar procesi i perzgjedhjes se ketij partneri, i cili:
Ne rastin e krijimit te shoqerise së perbashket aksionare me pjesemarrje te partnerit te huaj, pavaresisht sa eshte përqindja e pjesemarrjes se ketij partneri ne kete shoqeri, 1%, 2% apo 49%, perzgjedhja e ketij partneri duhet domosdoshmerisht t`i nenshtrohet gares sipas referencave ligjore te ligjit 125/2013 te koncesioneve/PPP.
Ky partner, ne kuptimin e subjektit juridik, eshte partner privat pavaresisht subjektit ekonomik publik apo privat te tij, dhe si i tillë duhej ti nënshtrohej konkurrimit përpara se të fitonte të drejtat që rrjedhin nga VKB nr 40, dt 23.05.2016
Neni 4 pika c, e ligjit 125/2013 per koncesionet/PPP, percakton ne menyre te qarte dhe pa ekuivoke se menaxhimi i mbetjeve urbane duke perfshire mbledhjen, trajtimin, transferimin dhe depozitimin e tyre perfshihet ne fushen e zbatimit te koncesioneve dhe si e tille duhet t`i nenshtrohet kerkesave te ketij ligji. (derisa ky sherbim eshte vendosur te mos mbahet publik). Pavarsisht se kuadri ligjor në këtë rast është i qartë, ai nuk është zbatuar në mënyrë të qëllimshme. Për këtë arsye forma e ofrimit të shërbimit për administrimin e mbetjeve urbane, jo vetëm nuk është sipas përcaktimeve ligjore po qëllimisht procedura e krijimit të kësaj shoqërie i është shmangur kërkesave të ligjit në mënyrë që të shmangej në cdo rast gara për subjektin që do të fitonte të drejtat që rrjedhin nga VKB e sipërcituar.
Ligji i koncesioneve/PPP percakton menyren e perzgjedhjes se partnerit privat, dhe procedurat per dhenien e koncesioneve/PPP. Në cdo rast përcaktimi I partnerit privat fitues bëhet ne perputhje me parimet e transparences, mosdiskriminimit, proporcionalitetit, trajtimit te barabarte dhe reciprocitetit.
Bazuar në nenin 22 të këtij ligji, procedura e perzgjedhjes së partnerit privat, pasi është kryer studimi i fizibilitetit, fillon me Publikimin e njoftimit per hapjen e garës së perzgjedhjes së tij duke komunikuar dhe kushtet, si dhe perfundon me publikimin e njoftimit të fituesit për partnerin e perzgjedhur.
Në rastin tonë, perzgjedhja e partnerit privat HOLDING AGSM ALBANIA, nuk është bërë me gare, ne kritere te qarta, transparente dhe konkuruese, ai nuk është përzgjedhur sipas procedurës së përcaktuar nga legjislacioni, por mbi qendrime subjektive dhe selektive ne shmangie te ligjit, duke shkelur nenin 9 (parimet themelore) te ligjit të koncesioneve/PPP dhe në konsumim të veprës penale të shpërdorimit të detyrës nga ana e subjektit të kallzuar.
Legjislacioni shqiptar pervec kerkesave te ketij ligjit per Partneritetin Publik Privat nuk njeh ndonje forme tjeter perzgjedhje te nje partneri privat ne nje shoqeri te perbashket publiko-private, per ofrimin e sherbimeve publike.
Pra,
* Forma e përzgjedhur nga Bashkia e Tiranës për ofrimin e këtij shërbimi bie ndesh me ligjin e Koncensioneve/PPP dhe ate të organizimit të qeverisjes vendore.
* Eshte shmangur zbatimi i ligjit per procedurën e kërkuar për krijimin e shoqërisë me kapitale shtetërore “Eco Tirana” dhe nuk janë zbatuar kerkesat e legjislacionit vendas per nje procedure te hapur, transparente dhe mosdiskriminuese perzgjedhjeje të partnerit per ofrimin e ketij sherbimi.
Për këto arsye kërkojmë hetimin e të kallzuarit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Gjithashtu, dhe trajtimi nga ana e Bashkisë së Tiranës së shoqërisë aksionere “EcoTirana”, sh.a, e cila do të ofronte disa shërbime publike, në vetëvete ka një sërë parregullsish dhe paligjshmërish. Paligjshmëri këto që ngarkojnë Drejtuesin e Bashkisë së Tiranës me përgjegjësinë e konsumimit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe për shkaqet e mëposhtme:
Në rastin e përfshirjes së një Etniteti Publik në një shoqëri tregtare, në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, duhet më parë që nga ekspertë të licensuar të përllogariten kontributet reale me të cilat Etniteti publik kontribuon në këtë shoqëri. Dhe në bazë të këtyre kontributeve të përcaktohet më pas pjesa takuese e aksioneve të Etnitetit Publik ne shoqerine e krijuar. Në këtë rast, Bashkia Tiranë ka kontribuar në “Eco Tirana” sh.a, jo vetëm me shumën prej 1.989.000 lekë, por dhe me sasinë e mbetjeve urbane që prodhon qyteti, të cilat kalojnë në favor të shoqërisë së krijuar, si dhe me vënien në dispozicion të “Eco Tirana” të territorit të Landfillit të Sharrës. Pavarsisht këtij kontributi trefish të Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit ka përfituar aksione vetëm për shumën e kapitalit fillestar që ajo ka derdhur në llogari të shoqërisë, dhe nuk janë përfshirë në kontributet e saja për shoqërinë tregtare, vlera e mbetjeve urbane që krijohet cdo vit dhe vlera e përdorimit të territorit të Landfillit të Sharrës nga ana e “Eco Tirana”
Pavarsisht se Bashkia Tiranë i është referuar nenit 33/1/d të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor” ku parashikohet mundesia e themelimit të një shoqërie tregtare nga ana e saj në bashkëpronësi, për ofrimin e shërbimeve publike, ajo me akordimin në favor të shoqërisë “Eco Tirana” që në vitin e parë të një shume prej 2.5 milonë euro, ka shkelur në mënyrë flagrante nenit 33/3 të po të njejtit ligj që e ndalon Bashkinë e Tiranës të akordojë fonde shtetërore në favor të shoqërive tregtare në bashkëpronësi dhe ku njësia vendore nuk zotëron Kapital të plotë të shoqërisë.
Shoqëria “Eco Tiana”, përfiton nga veprimet e kryetarit të bashkisë, pa kundërshpërblim, pronësinë dhe të drejtën e administrimit të mbetjeve urbane te riciklueshme të Tiranës për 25 vite që përbëjnë 200 mije ton mbetje urbane ne vit. Kjo pronë e luajtshme e Bashkisë së Tiranës perben nje burim te madh potencial te ardhurash për administruesin dhe poseduesin e saj dhe kalimi i kësaj prone publike një shoqërie me aksionerë private, pa kundershperblim, përbën shpërdorim detyre gjithashtu.
Për këto arsye, shpërdorimi i detyrës nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë është konsumuar në rastin konkret jo vetëm për shkak të përcaktimit të partnerit privat që do të kryente këto shërbime në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji, por edhe për shkak të shkeljes flagrante të nenit 33/3 të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor, ku ndalohet njësia vendore të mbështesë financiarisht një shoqëri tregtare përvec se rastit kur shoqëria zotërohet plotësisht nga vetë Njësia Vendore në 100% të aksioneve të saja, si dhe për shkak se shoqërisë me veprimet e të kallzuarit, i janë kaluar prona publike si rasit i mbetjeve urbane, pa kundërshpërblim. Në rastin konkret dhe pse Bashkia Tiranë zotëron vetëm 51% të aksioneve të shoqërisë “Eco Tirana” dhe 49% të tjera një partner privat, Bashkia Tiranë i ka akurduar që vitin e parë kësaj shoqërie një shumë financiare prej 2.5 milionë Euro pa TVSH, dhe ka planizuar ti akordojë cdo vit fonde në rritje shoqërisë “Eco Tirana”. Për këto arsye, gjykojmë se i kallëzuari ndodhet jo vetëm në kushtet e shpërdorimit të detyrës por edhe të shpërdorimit të kontributeve shtetërore.
Akordimi i fondeve dhe aseteve publike në mënyrë të paligjshme dhe duke shmangur cdo procedure prokurimi.
Pika 4 e Vendimit te keshillit bashkiak nr 40, dt 23.05.2016 eshte ne shkelje flagrante te ligjit prokurimit publik nr 125/2013 i ndryshuar dhe nenit 33/3 të ligjit të organizimit të pushtetit vendor sepse.
* I akordohet (pa gare) kesaj shoqerie te perbashket me ortak te huaj te sapokrijuar (me kapital simbolik 3.9 mln leke) plot 2.5 milion euro fonde publike qe ne diten e pare te funksionimit duke arritur ne 25 milion euro ne pese vite, edhe pse në bazë të nenit 33/3 të ligjit të pushtetit vendor, njësia vendore e ka të ndaluar të ofrojë mbështetje financiare për shoqëritë tregtare ku ajo nuk është aksionere e vetme dhe e plotë e shoqërisë tregtare.
* I akordohet (pa gare) kesaj shoqerie një kohezgjatje kontrate prej 25 vitesh, ne kundershtim me ligjin e prokurimit publik i cili shprehet se per kontrata te tilla sherbimi, afati maksimal eshte 4 vjet. Fondet publike qe kjo shoqeri do te perfitoje direkt ne kete hark kohor kapin shifren e 165 milion eurove, ndërkohë që këtë e ndalon edhe neni 33/3 I ligjit për pushtetin vendor!
* Kjo shoqeri jo vetëm përkundrejt shperblimit nga Bashkia Tirnaë por edhe pa gare, do te fitojë pronësinë dhe të drejtën e administrimit të mbetjet urbane të Tiranës për 25 vite. 200 mije ton mbetje urbane ne vit është përllogaritur afërsisht vlera e kësaj prone publike që I kalohet pa garë një shoqërie tregtare me VKB nr. 40, dt 23.05.2016. Kjo pronë e luajtshme e Bashkisë së Tiranës perbene nje burim te madh potencial te ardhurash për administruesin dhe poseduesin e saj dhe sipas ligjit, duhet dhe ne cdo rast kerkohet, nje procedure tenderimi per te fituar te drejten e administrimit te mbetjeve te Tiranes!
* Nëpërmjet VKB-së së sipërcituar, “Eco Tirana” do të fitojë nga bashkia Tiranë përvecse të drejtën e pronësisë së mbetjeve të qytetit për një periudhë 25 vjecare edhe 25 mije m2 truall prone publike brenda Landfillit të Sharrës, pa garë dhe pa kundërshpërblim, per te zhvilluar aktivitetin e saj të grumbullimit, menaxhimit, tregtimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane.
Keto pasuri dhe fonde që I kalohen “Eco Tirana” jane pasuri dhe fonde publike dhe si te tilla, bazuar ne legjislacionin vendas, kalimi I tyre të tretëve duhet të bëhej vetëm sipas procedurës dhe kërkesave të ligjit dhe gjithmone me nje procedure konkuruese.
Ndërkohë që ne plan-biznesin pretendohet se shoqeria do te investoje 10.9 mln euro ne 5 vite, qartësisht nga vendimi kuptohet se këto fonde do të vijnë kryesisht nga buxheti I Bashkisë së Tiranës dhe jo nga fitimet e kompanisë, pasi raporti I të ardhurave buxhetore në favor të “Eco Tirana”, me të ardhurat që ajo krijon vetë, është një raport shumë I thyer në favor të të ardhurave buxhetore.
Sherbimi i mbledhjes dhe largimit te mbetjeve urbane nuk ben pjese ne rastet perjashtimore te parashikuara ne nenet 5, 6, 7, 8, 9 te ligjit të prokurimeve publike, dhe si i tille keto fonde për këtë shërbim, në cdo rast duhet te prokurohen ne perputhje me nenin 1 ,2 dhe 20 te ketij ligji, ne menyre qe të të sigurohet mirëpërdorimi i fondeve publike, të nxitet pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, të nxitet konkurenca ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe të sigurohet një trajtim i barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik.
Për të gjitha këto arsye ne mendojmë se në rastin konkret jemi qartësisht përpara konsumimit të disa vepra penale nga ana e të kallzuarit, ku përvec të sipërpërmendurave evidentohet dhe ajo e shkeljes së barazise në tendera dhe ankande publike
Shpërdorimi i kompetencave të organeve drejtuese të shoqërisë në favor të shoqërive të treta.
Duke u bazuar në faktin se pika 5 e VKB nr 40, dt 23.05.2016 ngarkonte Kryetarin e Bashkisë Tiranë për të kryer të gjitha veprimet e nevojshme për themelimin e shoqërisë “Eco Tirana”, përfshi miratimin e aktit të themelimit, statutit dhe plotësimit të strukturës së shoqërisë së sapo krijuar, faktin që Bashkia Tiranë ishte aksioneria e maxhorancës në këtë shoqëri dhe Kryetari i saj është përfaqësuesi i maxhorancës së aksioneve në Asamblenë e Përgjithshme të shoqërisë “Eco Tirana”, faktit se Kryetari i Bashkisë Tiranë bëri thirrje publike për punësim në aktivitetin e riciklimit të mbetjeve në Sharrë, faktit botërisht të njohur që gjatë punës në këtë aktivitet privat, një 17 vjecar humbi jetën, mendojmë se në rastin konkret jemi përpara konsumimit të disa veprave nga ana e të kallzuarit që kryhen në shoqëritë tregtare. Kështu:
Moszgjedhja nga Asambleja e Ortakëve të shoërisë “Eco Tirana” e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe statuti me detyrën për të lidhur kontratat me të tretët, krijon dyshime të arsyeshme që është një veprim i qëllimshëm i këtij organi që drejtohet nga Veliaj, për të favorizuar në mënyrë të paligjshme një tjetër subjekt tregtar që kryente veprimtarinë ricikluese dhe fitimprurëse në Landfillin e Sharrës. Sipas burimeve mediatike, ky subjekt quhej “3R”sh.a dhe kishte administrator shtetasin Edurim Teqja.
Moszgjedhja e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe Statuti me detyrën e garantimit të të drejtave ligjore të punonjësve të shoqërisë, si dhe thirrja publike e Erion Veliajt për punësim në aktivitetin riciklues në Sharrë, krijon dyshimin e arsyeshëm se janë kryer veprime dhe mosveprime të paligjshme nga ana e organeve drejtuese të “Eco Tirana”, veprime ose mosveprime këto që kanë krijuar kushtet që në landfillin e Sharrës të funksiononte një ndërmarrje e cila punësonte në mënyrë të paligjshme subjekte të së drejtës përfshi dhe të mitur.
Për këto arsye kërkojmë nga ju hetimin e të kallzuarit pervec vepres penale te shperdorimit te detyres dhe mosmarrjes se masave per ndalimin e gjendjes se paligjshme edhe për konsumimin e veprave penale të shpërdorimit të kompetencave dhe punësimit të paligjshëm, të parashikuara nga Kodi Penal Shqiptar, vepra penale keto të cilat kanë sjellë si pasojë vdekjen e nje 17 vjecari në Landfillin e Sharrës.
Si përfundim, për të gjitha argumentat e sipërcituara, kërkojmë nga ju hetimin e të kallzuarit dhe të rastit konkret, për konsumimin e veprave penale të cituara në bazën ligjore të këtij kallëzimi, apo të veprave të tjera të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, qoftë kjo dhe për subjekte të tjera që rezultojnë të kenë konsumuar figura të veprës penale, gjatë hetimit të kësaj cështjeje.
Add new comment