Probleme me fqinjët? Jo. Thjesht po na prezantohen "kauzat" e fushatës elektorale
Shqipëria zyrtare përballet së fundmi me një seri problemesh në marrëdhëniet me disa prej fqinjëve të saj. Ndonëse në vijimësi ka patur një zgjatje në kohë të tensioneve, javët e fundit ato janë akumuluar për t’u shfaqur nga disa drejtime. Të paktën kjo përshtypje krijohet nga ajo që del në media.
Problemet kryesore në marrëdhënie Tirana zyrtare i ka me Greqinë, mbetur pezull qysh nga ardhja në pushtet e socialistëve. Ka shumë spekullime për arsyet e bllokimit që sa vjen e shtohet, por zyrtarisht thuhet se ato lidhen me marrëveshjen e detit, lojën e PS-së me kërkesat e çamëve, si dhe qasjen ndaj problemeve në Himarë. Qeveria e Edi Ramës ka refuzuar formalisht, të pranojë dhe njohë ekuilibrin e trashëguar nga qeveria parardhëse, por nuk dihet nëse e ka bërë këtë nga premisa patriotike, të interesit ekonomik, apo të reciprocitetit. Pala greke ka bërë disa herë propozime për zgjidhje, duke ofruar atë që ajo mendon se përbën paketë për diskutim, por nga pala shqiptare është përcjellë me një lloj vetoje që adreson sidomos Ligjin e Luftës. Mbetet për t’u parë sesi do të ecin marrëdhëniet, por do të ishte me të vërtetë fitore politike për Edi Ramën, që të arrinte të merrte nga pala greke një ofertë të re, të rishikuar të propozimeve të veta.
Një tjetër drejtim nga ku prej kohësh ka probleme është Maqedonia. Që nga ngjarjet e Kumanovës, gjatë të cilave zyrtarë të kabinetit të Edi Ramës, artikuluan nevojën e një hetimi ndërkombëtar dhe të një Marrëveshjeje të re të Ohrit, asgjë nuk është bërë. Faktori politik shqiptar në Maqedoni duket se është futur në një lloj autonomie politike duke u përshtatur me zhvillimet politike të brendshme mes LSDM-së she Gruevskit. Nuk është spekullim të thuhet se ka një lloj ngrirje në raportet dypalëshe, edhe pse Rruga e Arbrit është në thelb një kontribut edhe për shqiptarët e Maqedonisë.
Listës i shtohen edhe disa fërkime me Malin e Zi, i cili është në negociata me Kosovën për demarkacionin e kufirit. Marrëveshja kundërshtohet nga Vetëvendosje dhe ndërkohë që Edi Rama flet për marrëdhënie shumë të mira me Podgoricën, nuk ka munguar që të shtojë dozën e përkëdheljeve për VV-në. Përfaqësues të saj u ftuan në Kongresin e PS-së dhe njëfarësoj ky moment sinjalizon fërkime dhe ftohtësi edhe me Prishtinën zyrtare.
Një zyrtare e emëruar e Forumit Rinor Socialist bënte thirrje për protesta kundër marrëveshjes. Dhe protestat sipas saj duhen zhvilluar para ambasadës së Kosovës në Tiranë, shenjë kjo se Tirana zyrtare, edhe pse nuk prononcohet e kundërshton marrëveshjen. Ose më saktë: i intereson të shfaqet si kundërshtare e saj.
Kjo mbështetje për VV-në, drejtues të së cilës së fundmi kanë marrë nënshtetësi shqiptare, implikon marrëdhëniet me Kosovën, duke lehtësuar rrugën e Ramës në raportet direkte me Vuçiç. Raporte që shiten si strategjike për rajonin.
Qeveria e Kosovës refuzoi të marrë pjesë në forumin e Nishit, ku me siguri do t’i bëhej dekor i dyshes fotografike Rama –Vuçiç, ndaj këtu akuza që po bëhet për shmangie të Kosovës, neutralizohet disi me kartën VV.
Loja propagandistike për ndërtimin e profilit të një lideri patriot në mos nacionalist, shërbehet kështu pa kosto direkte në mbështetjen e partisë së Albin Kurtit, duke vështirësuar pozitën e Prishtinës, e cila në përpjekje për të zgjidhur një problem të brendshëm krijuar nga çështja e demarkacionit, i ka lënë rrugën bosh “liderit” të Tiranës të pagëzojë aktin e radhës të miqësisë strategjike në rajon. Teknikisht kundërshtimi i marrëveshjes nga Tirana, e kthen kundërshtimin e VV-së në kontestim nga “gjysma e kombit”.
Kjo lloj loje e shpëlarë u shërbye po ashtu edhe nga protesta e Himarës, e cila pavarësisht se lidhej vetëm me pronat, u ngjyros nga kalemxhinj të njohur të gazetarisë me ngjyrat e tensionit greko-shqiptar.
Nuk është ekzagjerim të thuhet se të gjitha këto flasin për një seri problemesh që prekin marëdhëniet mes vendeve dhe përkufizojnë deri diku pozitën e Shqipërisë në rajon. Ato burojnë më së shumti nga nevoja të brendshme të politikës shqiptare, kryesisht të një kryeministri të diskredituar që synon të bëjë për vete vota nacionalizmi, i prezantuar me amballazhin e një Politike të Dinjitetit të Shqipërisë.
Që këtej mund të kuptohet edhe mënyra e reagimit nga rruga, me statuse në Facebook, pa qëndrime zyrtare etj..
Mund të thuhet kjo pasi nuk ka një arsyetim, një dokument që të trajtojë zyrtarisht burimin e këtyre problemeve që mediatizohen shumë shpejt. Nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 2013, do të kujtojmë se Edi Rama negocoi për një marrëveshje parazgjedhore edhe me Kreshnik Spahiun e Aleancës Kuqezi, asokohe në kulminme vet. Kjo na jep një arsye të themi se Edi Rama i druhet votave nacionaliste që shkojnë djathtas, duke qenë se përherë është parë si një bohem që e përçmon shfaqjen folklorike shqiptare. Ndaj disa përpjekje si këto jo vetëm që ndihmojnë disi, por edhe i japin atij një kauzë për zgjedhje, ku mesa duket do të hyjë si europianist përkrah Ilir Metës, si nacionalist me VV-në që i bën urra, gjithnjë për të fshehur korrupsionin dhë dështimin në qeverisjen e një vendi nga i cili njerëzit po ikin. Deri më sot kemi parë probleme që sa vijnë e shtohen, akuza që drejtohen nga fqinjët, por asnjëherë oferta apo propozime për zgjidhje. Çka e bën Politikën e Jashtme një zgjatim të interesit elektoral.
Add new comment