Presidenti i Republikës: Në Himarë, politikat zhvillimore të harmonizohen me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë historike e kulturore

Postuar në 18 Gusht, 2016 14:14

Një përfaqësi e komunitetit himarjot ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Takimi siç bën me dije Zyra e Presidentit, u realizua me kërkesë të përfaqësisë e cila ka si shqetësim kryesor çështjen e pronës në zonën e Himarës.

Përfaqësuesit himarjotë pasi shprehën vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës për angazhimin e Tij personal dhe institucional në drejtim të zgjidhjes bazuar në të drejtën themelore të pronës dhe mbrojtjes së interesave të çdo qytetari shqiptar, bënë një përshkrim të situatës aktuale dhe zhvillimeve më të fundit dhe paraqitën qëndrimet dhe kërkesat e tyre e bashkësisë himarjote për çështjen e pronave në Himarë. Kreu i Shtetit shqiptar i siguroi përfaqësuesit e komunitetit himarjot se do jetë një zë i fuqishëm duke përdoruar autoritetin e Tij publik dhe institucional duke nënvizuar se kjo është një çështje shumë e ndjeshme, zgjidhja e së cilës jo vetëm do të parandalojë konflikte të panevojshme sociale, por do të mundësojë dhe lehtësojë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Në këtë pikë Presidenti theksoi se është i nevojshëm: “harmonizimi i politikave zhvillimore me ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurive dhe trashëgimisë historike dhe kulturore”, njofton ndër të tjera Zyra e Presidentit.

Në Himarë ka vite që problemi i pronës është i ndjeshëm. Takimi me kreun e shtetit jep mesazhin se veprimet dhe aktet e organeve të pushtetit vendor dhe të qeverisë, cilësohen si të papranueshme nga banorët e Himarës, apo një pjesë e tyre.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.