Njësoj si për grabitjen në Rinas edhe për turistin e vrarë në Himarë, Policia: “Përgjegjësia e Bashkisë”
Vdekja e një turisit rus sot në Himarë ka nxjerrë në dritë një problem për të cilin asnjëherë nuk janë marrë masa: siguria në plazhe. E cila përfshin edhe vijat kufizuese për lëvizjen e mjeteve motorrike në ujë, të cilat sa herë që ndalohen, ndalohen nga policia. Por kjo e fundit ka këtë shpjegim për atë që ndodhi sot:
“Policia e Shtetit ka marrë masa të plota si në forca dhe në mjete për garantimin e sezonit turistik...Nisur nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot, ku humbi jetën një pushues në zonën e Himarës, Policia e Shtetit informon se Bashkisë Himarë i janë dërguar 6 shkresa zyrtare për plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga VKM nr. 321. Në çdo takim të zhvilluar me Task Forcën, Policia e Shtetit ka ngritur problematikën për masat e munguara për sigurinë në plazhe nga ana e pushtetit vendor. Megjithatë shërbimet e Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar jetën e qetësinë e pushuesve në plazhe, sidomos gjatë ushtrimit të aktivitetit me mjete lundruese”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e sotme. Më pas edhe masat që do të merren, pavarësisht se Bashkia e Himarës deklarohet se ka qenë neglizhente: “Policia e Shtetit bën me dije se do të sekuestrojë dhe ndëshkojë me masa të ashpra të gjitha mjetet lundruese që thyejnë distancën e sigurisë prej 300 metrash nga vija bregdetare, nuk respektojnë korridoret e hyrje-daljes në det, si edhe qarkullojnë me shpejtësi të lartë në zonat e plazheve”.
Pyetja është se a do të ndodhte një ngjarje e tillë nëse ky monitorim që premtohet do të ishte kryer? Me gjasë jo, ndonëse ngjarjet nuk parandalohen dot të gjitha. Nxitimi i policisë në këtë rast të kujtin atë përpjekjen qesharake me grabitjen në Rinas, ku sërish faji, sipas policisë ishte i koncesionarit.
Add new comment