Fetullah Gylen mohon akuzat
I akuzuari numër një nga Presidenti Erdogan për organizimin e grushtit të shtetit, Fetullah Gylen ka mohuar të ketë lidhje me zhvillimet dramatike në Turqi. Në një reagim nga Shtetet e Bashkuara imami në ekzil ka hedhur poshtë akuzat dhe e ka quajtur provokim implikimin e emrit të tij në tentativën për grusht shteti. " Dënoj me termat më të ashpër grushtin e shtetit nga ushtria në Turqi. Adhja në pushtet e një qeverie duhet të bëhet vetëm përmes një procesi të lirë dhe të drejtë zgjedhor"-thekson Gylen në reagimin e tij.
73 vjeçari që jeton në një zonë malore të Pensilvanisë është një nga kundërshtarët më të fortë të Presidentit Erdogan. Dikur bashkëpunëtorë të ngushtë, miqësia e tyre u prish në 2013 kur zyrtarë të lartë të qeverisë Erdogan u akuzuan dhe u arrestuan për korrupsion. Asokohe Erdogan akuzoi Fetullah Gylen se fshihej pas këtij aksioni. Gylen është pro një islami të moderuar dhe ka një qasje më të hapur ndaj perëndimit dhe bashkëpunimit me fetë e tjera. Ai zotëron një rrjet të gjerë kolegjesh dhe universitetesh në mbarë botën, përfshi edhe në Shqipëri.
Add new comment