Sprova e Rashicës, Gjimshitit, Rrahmanit dhe Shalës, përballë hilesë së Bunjakut
Gianni De Biasi ishte i detyruar të zgjidhte. Katër lojtarë nuk do të udhëtonin së bashku me ekipin në Francë dhe trajneri zgjodhi emrat e Milot Rashicës, Berat Gjimshitit, Amir Rrahmanit dhe Herolind Shalës. Ashtu si në çdo shtet tjetër, edhe në Shqipëri e Kosovë opinioni u nda në mes.
Dikush pro dhe dikush tjetër kundër De Biasit. Të gjithë e kritikojnë, por askush nuk thotë pse. Të gjithë thonë që Rashica apo Gjimshiti duhet të ishin pjesë e 23 lojtarëve të Euro 2016, por askush nuk thotë cilët duhet të liheshin jashtë.
Dikush e hedh diskutimin në ndarjen Kosovë-Shqipëri, dikush tjetër sheh dorën e Armand Dukës, madje ka nga ata që e shikojnë zgjedhjen e De Biasit si të orientuar nga “ata që nuk na duan të mirën”. Megjithatë, në këtë situatë të komplikuar, dikush po përpiqet të përfitojë.
Trajneri i Përfaqësues së Kosovës, Albert Bunjaku ka deklaruar se do të thërrasë katër lojtarët e larguar t’i bashkohen ekipit të tij. Një veprim amatoresk dhe shkatërrues për këta lojtarë që janë shumë të rinj në moshë.
E dini çfarë po u thotë sot Bunjaku 19 vjeçarit Rashica apo 22 vjeçarit Rrahmani? Po u thotë atyre të braktisin garën, të braktisin vëshirësitë dhe të kalojnë atje ku çdo gjë është e lehtë. Kush mendon sot se Rashica “u dogj” me këtë vendim të De Biasit nuk është gjë tjetër veçse hipokrit. Një talent si ai, vetëm 19 vjeç, ka të gjithë mundësinë që pas disa vitesh të tërheqë prej dore Kombëtaren Shqiptare drejt kualifikimit në Botëror apo Europian.
Por jo, Bunjaku kërkon ta shfrytëzojë me shpejtësi këtë situatë jo të qetë për këta lojtarë. “Hajdeni te ne se nuk jeni aq të mirë për Kombëtaren Shqiptare”, “Hajdeni te ne se ata në Shqipëri nuk ju duan dhe nuk ju vlerësojnë” apo “Hajdeni se te ne se ju jeni kosovarë”. Si do ja parashtrojë Albert Bunjaku kërkesën lojtarëve për t’iu bashkuar përfaqësueses kosovare?
Nëse nuk janë aq të mirë sa duhet për Kombëtaren Shqiptare, përse të mos bëhen në të ardhmen? Largimi nuk mund të jetë zgjidhje.
Nëse nuk vlerësohen sa duhet në Shqipëri, atëherë përse De Biasi la jashtë listës me 27 lojtarë Hamdi Salihin dhe mori me vete Rashicën?
Janë kosovarë?! Çfarë do të thotë kjo?! Nëse De Biasi merrte Rrahmanin dhe linte jashtë Veselin, a nuk është edhe ky i fundit nga Kosova? Por nëse merrte Rashicën dhe linte jashtë Kukelin, edhe ky nga Kosova është…
Bunjaku gaboi me deklaratën e tij, por jo ata që kritikojnë De Biasin. Një trajner nuk mund të jetë kurrë i pagabueshëm në zgjedhjet e tij. Por me rëndësi themelore është që të mos shtyjmë këta lojtarë përballë një gabimi, vetëm për shkak të ambicies së momentit të një apo dy personave.
Autor: Artist Pena
Add new comment