Akademi, akademikë dhe probleme (intelektuale ose intelektualësh)

Postuar në 29 Maj, 2016 05:34
Robert Kushe/Ish – Drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore (1994 – 1999)

 

Akademi

Së fundmi, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, u vu në mes të një trekëndëshi zjarri në kulmet e të cilit ishin prof. Pëllumb Xhufi, prof. Artan Fuga dhe prof. Besnik Gjongecaj. Unë nuk gjykoj asnjërin prej tyre personalisht, nuk e quaj që kam kompetencën e duhur profesionale të bëj vlerësimin e asnjërit prej tyre si historian, filozof a sociolog, apo agronom. Kështu nëse në lojë do të ishte ndonjë diskutim profesionalo-akademik midis tyre nuk do të guxoja të hyja në qendrën e këtij trekëndëshi e të bëja arbitrin.

Për fat të keq debati, në se mund ta quajmë kështu,vinte më shumë era tym e barut e ishte i mbushur me etiketime jo shumë të fisme. Duhet të kishe vullnet e durim që të mund të qëmtoje ndonjë ide a sugjerim, të vlefshëm a të dobishëm. Kjo më shtyu të shkruaj këto dy-tre radhë, edhe me nxitjen e sugjerimin e miqve të ResPublica-s, për të dhënë një pamje pak a shumë të gjerë të njerëzve dhe problemeve të Akademisë, pa u angazhuar në debat të drejtpërdrejtë me ndonjë nga profesorët e trekëndëshit të zjarrit.

Si fillim do të jap një vështrim mbi historinë e Akademisë, për arsyen e thjeshtë se mendoj që pa kuptuar mire të shkuarën e saj, nuk mund të identifikojmë, dhe pastaj të zgjidhim problemet e sotme.

ASH u krijua me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 4993, datë 10 tetor 1972. Qysh në preambulën e Dekretit theksohet hapur dhe qartë që ky krijim bëhet:

“…në bazë të nevojave të ekonomisë e të kulturës të shprehura në orientimet e Partisë e të shtetit në bazë të metodollogjisë marksiste-leniniste.”

Në vitin 1972 ky formulim tingëllonte krejt natyrshëm, madje po të mungonte një formulim i tillë, njerëzia do të çuditej. I parë me syrin e sotëm, ky formulim nxjerr në pah faktin që Akademia nuk u krijua si institucion i lire dhe pa detyrime politike, ashtu si e mendojmë sot që kërkimi shkencor duhet të jetë: i lirë nga ngarkesat ideologjike. Gjithashtu ky fakt është edhe në origjinën e dy “fatkeqësive” që i ranë në pjesë Akademisë në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, e nga të cilat Akademia e gjorë nuk po e merr dot vehten as sot e kësaj dite:

E para, nga forcat e sapo krijuara politike edhe me pretekstin se çdo gjë nga e kaluara puniste e vendit duhej shkatërruar, Akademia u nominua si politike, komuniste, sovjetike, etj.. Jehona e këtyre etiketimeve nuk është shuar ende, madje përdoren edhe si fishekë në shkëmbimin e zjarrit të trekëndëshit. Që të merremi vesh: nuk po them që këto etiketime shprehnin të pavërteta, përkundrazi, por nëse për një moment kujtojmë që Akademia e ish-BS ka qenë një nga institucionet më të suksesshme kërkimore si entitet i organizuar, atëhere mund të themi me siguri se vetëm etiketimi “sovjetike” si i tillë, nuk mjafton për ta hedhur diçka menjëherë e drejtpërdrejt në koshin e plehrave. Kuptohet që në rastin e Akademisë Sovjetike ka faktorë të tjerë,  shumë më përcaktues sesa thjesht faktorët politikë, si burime njerëzore, fonde, traditë etj., por mbetet fakt që defektet e Akademisë sonë mund të shiheshin përtej etiketimit “sovjetik”, sepse kështu do të mund të ishin ndrequr pa qenë nevoja të devijohej lumi drejt haurëve të Avgjisë.

E dyta, paradoksalisht dhe për ironi, po këto forca me të ardhur në pushtet, të paafta për t’u shkëputur nga inercia e mendësisë qeverisëse të para ’90-ës, në vend se t’i jepnin Akademisë pak pavarësi e liri për t’u vetëreformuar, përdorën po të njëjtat metoda politike, por kësaj radhe për ta sulmuar Akademinë, e pastaj për ta reformuar nga lart dhe ex cathedra, pa marrë parasysh faktin që në atë Akademi kishte me qindra punonjës të kualifikuar, që mund ta kishin vetëreformuar gradualisht Akademinë drejt një bregu më të lirë se salitarët që iu riimponuan asaj nga“reformatorë” që vetëm me Akademinë nuk kishin të bënin.

Për fat të keq ai proces që filloi në atë kohë është i pakthyeshëm. Është e pamundur që të rivendoset e njëjta gjendje, si për nga burimet njerëzore, për nga pozicionimi dhe pjesëmarrja e Instituteve. Jeta e Akademisë së Shkencave pulsonte në Institutet e saj, por për fat të keq është tmerrësisht e vështirë, për të mos thënë e pamundur, në mos ndofta edhe joproduktive tashmë, për të tentuar një lloj restaurimi e pastaj një reformism të ri.

Si paraqitej gjendja në Akademi nga fundi i vitete ’80?

Në shkencat shoqërore, përveç disiplinave "apolitike", mbizotëronte ideologjia e PPSH-së. Në shkencat natyrore e teknike, idelogjia ishte e pranishme si pjesë e superstrukturës, por nuk mund të ndikonte esencialisht  në rezultatet e kërkimeve apo zbatimeve. Ndoshta gabimi më i madh në konceptimin e reformës në akademi ishte dëshira për t’u dhënë Universiteteve një atribut më shumë në kërkimin shkencor, duke ia hequr këtë Akademisë nëpërmjet transferimit administrative të Instituteve drejt Universiteteve. Ky sistem e ka provuar veten me kohë, kryesisht në vendet perëndimore, por ky system është rritur gradualisht, e ka arritur cilësinë e tij të lartë në rrjedhën e një kohe të gjatë.

Gabimi jonë, për mendimin tim, qëndron në faktin që duke mos e marrë parasysh këtë fakt, me ose pa dashje, ose ngaqë Akademia nuk mund të punonte më si sistem "sovjetik", kur e gjithë jeta e vendit po bëhej "si Europa" (me gjithë shakanë përkatëse), kujtuam se me disa vendime administrative dhe si me magji, atributet kërkimore do t’u kalonin universiteteve dhe kështu do të vazhdonim përpara me fitore të reja.

Përvec “reformës” që mëtoi të ndreqte, por prishi edhe atë pak që ishte, Akademia u dëmtua edhe nga largimi prej saj i punonjësve shkencorë më produktivë dhe më të talentuar. Kush u mor me punët e veta, kush emigroi për një jetë më të mirë e për më shumë dinjitet e sukses profesional, kështu që si përfundim, figurativisht mund të themi se me rrënimin e banesës edhe banorët më cilësorë u larguan. A mund të kishin qëndruar për të mos lejuar degradimin që ndodhi më pas apo jo, kjo më duket se është çështje personale e secilit prej tyre.

A ka më kuptim të kemi Akademi?

 Përgjigja nuk mund të jetë jo, sidomos pas asaj tradite që, duam ose nuk duam, ekziston me të mirat dhe të këqijat e veta, madje me më shumë të mira sesa të këqija. Por nëse i përgjigjemi “po” kësaj pyetjeje, atëhere duhet edhe të sugjerojmë si duhet të jetë ajo. Problemi qëndron në faktin që ky si projekt është i vështirë e i pamundur për t’u ndërmarrë nga një njeri i vetëm. Duhen shumë njerëz që kanë tagrin e duhur, eksperiencë në kërkimin shkencor, vullnetin e dinamizmin për t’i dalë mbanë një pune si kjo; por sidomos edhe dëshirën e mirë për ta dëgjuar njëri-tjetrin e për të mos  u pozicionuar nëpër kulme trekëndshash zjarri.

 

***

(Pjesa e dytë)

Akademikë

Përbërja e Asamblesë së pare të Akademisë, pra Akademikët e pare shqiptarë, u caktua me një Vendim të Këshillit të Ministrave të RPSSH-së. Ky vendim mban numrin 13 dhe datën 22 janar 1973. Ja çfarë përmban preambula e tij:

“Duke u mbështetur në orientimet e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe kriteret e përbërjes së Asamblesë së pare të saj, si edhe duke pasur për bazë propozimin e bërë nga konsulta që u mbajt më 20 janar të këtij viti në Tiranë me drejtuesit kryesorë të shkollave të larta dhe të institutive kërkimore-shkencore si përfaqësues të opinionit shkencor të vendit, Këshilli i Ministrave, Vendosi:...”

Si edhe në rastin e Dekretit për krijimin e ASH-së formulimi tingëllon krejt natyrshëm në janar të vitit 1973. Me syrin e sotëm duket qartë që Asambleja e parë e ASH-së pati për mami Komitetin Qendror të PPSH-së, që kishte dhënë orientimet përkatëse dhe për ndihmësmami, pati drejtuesit kryesorë të shkollave të larta (me gjasë shumica e tyre, anëtarë të PPSH-së po se po, por edhe forumesh të larta të PPSH-së).Pra, edhe Organi më i lartë i Akademisë, ashtu si vetë Akademia e nisi jetën e vet të shenjuar me plot ideologji e politikë. Madje njëri prej akademikëve të pare, më vonë u bë anëtar i Byrosë Politike të KQPPSH-së. Se çfarë ishin kontributet shkencore të këtij personi, edhe sot e kësaj dite mbetet mister. Kjo sa për të sjellë një shembull.

Që të merremi vesh, kjo nuk do të thotë aspak që asnjë prej akademikëve të parë nuk kishte nivelin e merituar për të qenë anëtar i saj, por të paktën hedh hijen e dyshimit se disa prej tyre u përfshinë në listë për arsye jashtëshkencore, sikurse hedh dyshimin se jashtë kësaj asambleje u lanë figura, që po të merreshin në konsideratë vetëm atributet shkencore të tyre, duhet të ishin përfshirë patjetër në Asamble.

Përbërja e kësaj Asambleje pothuajse nuk ndryshoi deri në fillim të viteve ’90. Sigurisht pati akademikë që ndërruan jetë dhe në asamble u pranuan anëtarë të rinj për t’i zëvendësuar. Gjithësesi, në më shumë se 20 vjet, me sa më kujtohet, kjo asamble nuk pati ndonjë transfuzion të spikatur me anëtarë të rinj.  Madje edhe për ato pak prurje të reja që erdhën në Asamble gjatë kësaj periudhe, mund të thuhet se ishin me nënshtresa dhe prapavija të qarta ideologjike e politike, paçka se edhe me ndonjë lustër shkencore.

Me sa më kujtohet roli i Asamblesë si e tillë, apo i akademikëve të asaj kohe si individë, ishte qartësisht i përcaktuar, jo vetëm nga çfarë impononte formalisht preambula e VKM-së që e krijoi atë, por edhe nga vetë mundësitë praktike që ofronte koha. Si pasojë, jeta shkencore e vetë Akademisë zhvillohej e lulëzonte, me aq sa lejonte koha, nëpër institutet dheqendrat në varësi të Akademisë.  Ajo që dua të ve në dukje këtu, edhe pse do t’i kthehem më hollësisht, përsëri në pjesën e tretë, është se roli i Asamblesë dhe i akademikëve si individë, ka qenë historikisht anemik në jetën e vendit dhe nuk është thjesht një sëmundje e këtyre 25 vjetëve të fundit.

Një tipar tjetër i Asamblesë dhe shumicës së akademikëve të asaj kohe ka qenë edhe një përpjekje e vazhdueshme për të ruajtur status quo-në në pothuaj çdo gjë që lidhesh me Akademinë, pa e kuptuar se kohët po ndryshonin me shpejtësi dhe, për mirë apo përkeq, të gjitha proceset e rëndësishme politike dhe sociale që po ndodhnin ishin krejtësisht jashtë kontrollit të tyre; pra përpjekjet e tyre më shumë ngjanin me betejat e Don Kishotit me mullinjtë e erës, sesa me përpjekje serioze njerëzish të shkencës. 

Papritmas, Asambleja dhe akademikët, me gjithë Akademinë si aparat  administrativ, e humbën autoritetin formal që u kishte dhënë regjimi që po binte dhe në vend se të ishin në krye të proceseve që po ndodhnin me shpejtësi, e gjetën veten të margjinalizuar, gjë që shumë shpejt u kthye në një farë paniku për të ardhmen personale të akademikëve dhe të punonjësve të aparatit e Instituteve.

Ndërrimi i kryesisë dhe disa prurje të reja në aparatin administrativ, si edhe krijimi i Asamblesë së zgjeruar me pjesëmarrjen edhe të drejtorëve të Instituteve dhe Qendra e vetë Akademisë, e zbuti disi situatën, por njëkohësisht nxori në pah diferencat midis “të vjetërve” dhe “të rinjve”. Është pikërisht në këtë periudhë që u dukën edhe përpjekjet për reformim të vetë Akademisë. Ideja e zhveshjes së Akademisë nga Institutet dhe kalimi i tyre në varësi të Universiteteve, po merrte shtat, jo aq për dobishmërinë e saj të argumentuar, sesa si refleks dhe shfaqje e “desovjetizimit” të Akademisë. Ndërkaq forca të brendshme të Akademisë, duke pranuar nevojën për reformim dhe rinovim, mëtonin ta kryenin reformën në mënyrë autonome, duke u përpjekur ta shndërronin atë në një institucion të lirë e të pavarur nga politika. Ndoshta është pikërisht kjo rezistencë e brendshme që pengoi në mënyrë të vazhdueshme kryerjen e një reforme të nxitur nga politika e ditës asokohe.

Pastaj erdhi viti 1997 dhe...Akademia u harrua. Për fat e për çudi askush nuk u kujtua të pyesë se përse akademikët nuk kishin dhënë kontributin e tyre për të sqaruar me kohë se çfarë ishin firmat piramidale, duke parandaluar kështu katastrofën e vitit 1997. Kur në fuqi erdhën socialistët, ata sërish u kujtuan që Akademia e Shkencave ekzistonte ende dhe veç të tjerave donte edhe një buxhet. Me pragmatizmin e vet politik, Fatos Nano i mblodhi akademikë e punonjës të institutive dhe personalisht garantoi vazhdimësinë e Institucionit ashtu siç ishte,  gjë që do të thoshte punë dhe rroga për të gjithë. Për fat të keq kjo rivendosi status quo-në e ëndërruar kaherë; akademikët dhe institutet e humbën agresivitetin për t’u vetëreformuar duke konsideruar që kërcënimi politik si me magji ishte shndërruar në përkrahjen e tipit “na jep, të japim”, tradicional akademik.

Këtu mbaron edhe pjesëmarrja ime e drejtpërdrejtë në jetën e Akademisë. Ata që në kampin tjetër kishin mbetur me thikën e copëtimit të Akademisë në gojë, u detyruan të merrnin një pushim duke i mbyllur përkohësisht nëpër sirtarë të ashtuquajturat projekte për reformim. Këto projekte u shpluhurosën shpejt pas rotacionit të pushtetit politik,  duke e nxjerrë Akademinë edhe njëherë, si shumë herë të tjera, krejt zbuluar e të papërgatitur, në mëshirën e njerëzve që merreshin shumë me politikë e pak me shkencë dhe ndodhi ajo që ndodhi.  Akademia mbeti si pema pa degë.

Sa i përket sot e kësaj dite, e vetmja gjë që mund të them për akademikët e sotëm është që ua shoh emrat në listën e web-sitit të Akademisë dhe shumicën e tyre nuk i njoh as për emër. Disave prej tyre ua di emrin po nuk i kam takuar ndonjëherë e ca të tjerë i njoh personalisht si ish-punonjës të Instituteve, apo të aparatit të Akademisë deri në vitin 1999...(vijon)

 

ShënimShkrimi që po publikojmë është pjesa e parë dhe e dytë e një shkrimi më të zgjeruar mbi Akademinë e Shkencave. Vendosëm të publikojmë të dyja pjesët bashkë, sipas nëndarjeve të autorit, me vlerësimin se ato pajtohen në karakterin historik që trajtojnë. Pjesa e tretë do të publikohet më vete. Falenderojmë z. Kushe për shkrimin dhe kontributin e tij për faqen tonë dhe lexuesin e saj.  

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.