Për herë të parë që nga viti 2010/Paga mesatare në shtet nuk është rritur

Postuar në 17 Maj, 2016 17:34

Për  herë të parë që nga viti 2010 pagat reale në shtet nuk janë rritur. Ky fakt raportohet nga Instituti i Statistikave sipas të cilit për vitin 2015, "pagat mesatare në sektorin shtetëror u rritën vetëm sa për të kompensuar rritjen e çmimeve". "Më konkretisht, sipas INSTAT, në vlerë paga mesatare në sektorin shtetëror u rrit me 1.8 përqind gjatë vitit të kaluar, nga 53 mijë lekë që ishte në fund të 2014-ës në 54 mijë lekë. Por në të njëjtin nivel, pra 1.8 përqind u rritën edhe çmimet, duke bërë që fuqia blerëse e pagës mesatare në shtet, që ndryshe njihet dhe si paga reale të mbetet e pandryshuar. Sipas INSTAT, kjo është hera e parë që rrogat në shtet nuk rriten në terma reale, që nga koha kur institucioni e publikon këtë tregues. Vitet e mëparshme, pagat e të punësuarve në sektorin publik janë rritur gjithmonë dukshëm më lartë sesa shifra e inflacionit.  Por ky është treguesi në nivel mesatar. Vitin e kaluar qeveria i rriti rrogat vetëm për një grup të caktuar nëpunësish, ndërsa për pjesën dërrmuese të administratës, pagat nuk kanë ndryshuar duke bërë që të ulen në terma reale.  Në marrëveshjen me FMN, qeveria është angazhuar të ngrijë për tre vjet rrogat e sektorit publik duke i rritur ato vetëm për grupe të caktuara. Por së fundmi ekspertë të ekonomisë i kanë bërë thirrje qeverisë ta rishikojë këtë politikë, e cila sipas tyre është një nga arsyet kryesore për ndrydhjen e konsumit", referon raportin "Top-Channel". Ngrirja e pagave është një nga faktorët kryesorë të rënies së konsumit, për të cilin janë ngritur shqetësime së fundmi. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.